Prishtinë, 9 qershor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti të enjten në takim drejtorin e përgjithshëm të Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), Abdulhamid Alkhalifa.
Kabineti i Kurtit njoftoi se në takim u bisedua për reperkusionet ekonomike që po pësojnë vendet dhe popujt si pasojë e agresionit rus në Ukrainë.
Në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti theksoi masat e menjëhershme që ka ndërmarrë qeveria për të zbutur pasojat e inflacionit të lartë dhe për të mbrojtur mirëqenien e qytetarëve.
Ai u shpreh mirënjohës për angazhimin e përgjithshëm të OFID në Kosovë, në veçanti për përkrahjen e reformave afatgjata dhe financimin e politikave për zhvillim, nëpërmjet marrëveshjes me Ministrinë e Financave, Transfereve dhe Punës, e cilau nënshkrua të enjten.
Marrëveshja mbështet prioritetet e Qeverisë së Kosovës për periudhën 2021-2025, që përfshin transparencën fiskale, mbështetjen e sektorit privat dhe tranzicionin energjetik.
Marrëveshja me OPEC është vazhdimësi e reformave të përgatitura me Bankën Botërore për Financimin e Politikave Zhvillimore për Financat Publike dhe Rritjen e Qëndrueshme.
Drejtori Alkhalifa e vlerësoi partneritetin me Qeverinë e Kosovës dhe theksoi se programi synon të mbështesë rimëkëmbjen e sektorit privat pas pandemisë dhe promovimin e tranzicionit në një ekonomi të gjelbër në përputhje me objektivat e zhvillimit afatgjatë të Kosovës.
Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati dhe ndihmësi i drejtorit të përgjithshëm të OFID, Fuad Albassam.
(r.m.)