Gjykimi i rastit “Toka”: Azem Syla e të tjerët deklarohen të pafajshëm

Prishtinë, 10 qershor 2022 – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të premten u zhvillua seanca gjyqësore lidhur me rastin “Toka”

I akuzuari kryesor, ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, i cili akuzohet për krim të organizuar, pastrim parash, marrje të mitos dhe vepra tjera penale, është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Njëjtë janë deklaruar edhe të akuzuarit tjerë: Arton Vila, Ramadan Uka, Avdyrrahman Brajshori, Shpresim Uka, Shaban Syla, Gazmend Gashi, Ramadan Mavraj, Ndue Palushi, Sami Maqedonci, Nyrtene Brajshori, Lumnije Sopjani, Elheme Uka, Lubisha Vujoviq, Avni Maxhuni, Sabedin Haxhiu, Ilaz Syla, Vidosav Novakoviq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Lidhur me aktakuzën nuk është deklaruar vetëm i akuzuari Fahredin Gashi. Avokati i tij, Gëzim Kollqaku, ka thënë se ekspertiza psikiatrike vërteton se Gasgi nuk është i aftë ta kuptojë aktakuzën, pra as të deklarohet lidhur me të.

Të gjithë të akuzuarit tjera dhe mbrojtësit e tyre kanë qëndruar mbrapa fjalëve hyrëse të dhëna në shqyrtimin paraprak, me arsyetimin se ky gjykim ka qenë pothuajse në përfundim dhe nuk është vërtetuar asnjë nga pretendimet e prokurorisë.

Fillimisht, prokurori special Naim Abazi ka deklaruar se qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë me shkrim dhe me gojë më 11 shtator 2019 dhe ka dorëzuar me shkrim fjalën hyrëse për dy të akuzuarit që i janë bashkuar procedurës.

Avokati Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Azem Syla, ka thënë se me asnjë provë të vetme nuk është provuar përfshirja direkte apo indirekte e klientit të  tij me pretendimet e paraqitura në aktakuzë.

Avokati Afrim Salihu, mbrojtës i të akuzuarit Shpresim Uka, e ka mbështetur fjalën e tij hyrëse të mëparshme, duke shtuar se në aktakuzë çdo kund elaborohet viti 2007-2016, mirëpo askund ka data të sakta për kohën e kryerjes së veprës penale nga i mbrojturi i tij. Sipas tij, mbrojtja nuk di si të thirret në parashkrimin e lëndës derisa nuk dihet saktë se kur është kryer vepra penale e pretenduar.

I akuzuari Shaban Syla ka thënë se ndihet i diskriminuar pasi, sipas tij, aktakuza është mbarështruar në Beograd dhe është përcjellë në Kosovë nga prokurorët e EULEX-it. Sipas Sylës, e gjithë aktakuza bazohet në deklaratat e Nazim Bllacës, të cilin ai eka quajtur spiun.

Edhe avokati Haxhi Millaku, mbrojtës i të akuzuarit Ilaz Syla, e ka mbështetur fjalën hyrëse të dhënë në seancat e mëhershme dhe ka kërkuar që prokuroria “ta pastrojë” tekstin e aktakuzës që ka të bëjë me klientin e tij. Sipas Millakut, trupi gjykues duhet të vlerësojë se për secilën pjesë çka kërkohet sa i përket të akuzuarit Syla, duke shtuar se Syla nuk ka të bëjë fare me veprat që i ngarkohen.

Kurse avokati Basri Morina, mbrojtës i të akuzuarit Sami Maqedonci, e ka mbështetur fjalën hyrëse të dhënë në seancën e shtatorit të vitit 2019, duke theksuar se prokuroria nuk ka asnjë provë të vetme relevante që do të vërtetoheshin akuzat që i vihen barrë klientit të tij.

Avokatja Kosovare Kelmendi, mbrojtëse e të akuzuarit Ramadan Mavraj, tha se e mbështet fjalën hyrëse të kolegut të saj në shqyrtimin paraprak, porka shtuar se në fazat e ardhshme të procesit do të dorëzojë prova që e dëshmojnë pafajësinë e klientit të saj.

Ndërsa, avokati Fitim Malokaj, mbrojtës i të akuzuarit Vidosav Novakoviq, i cili i është bashkuar lëndës me aktakuzë të re, ka thënë se gjatë shqyrtimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve do të vërtetohet se i mbrojturi i tij është i pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë. Vetë Novakoviq tha se ai ka ardhur në Kosovë nga Serbia pasi që është frikësuar për sigurinë e tij. Sipas  tij, prokurori Italian i kishte kërkuar të dëshmojë kundër Azem Sylës, por ai kishte refuzuar pasi Azem Sylën nuk e kishte njohur fare dhe atë po e shihte për herë të parë në seancën e sotme. Novakoviq kathënë se ai e ka dorëzuar shtetësinë e Serbisë dhe është vetëm shtetas i Republikës së Kosovës, ku jeton edhe familja e tij. Ai ka thënë se pafajësinë e tij do ta dëshmojë gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Në seancën e sëpremtes, ishin të pranishëm edhe dëshmitarët: Jeton Govori, Bademe Kelmendi dhe Naser Hoxha. Të tre thanë se qëndrojnë prapa deklaratave të dhëna para hetuesisë dhe gjatë shqyrtimit paraprak, më 20 nëntor 2019.

Seanca ka vazhduar me paraqitjen e kërkesave të të akuzuarve, kryesisht me kërkesën për ndërprerjen e masës së paraburgimit.

Seancat e radhës janë caktuar për 8 dhe 12 shtator 2022.

(r.m.)