Çka kanë shqiptarët më shumë se fqinjët dhe pse sërish janë të varur nga ata?!

Emin AZEMI

Viset shqiptare janë shumë të pasura, por elitat politike kanë krijuar mekanizma varshmërie nga oligarkia ekonomike vendore e rajonale, të cilat, përpos që përkthehen në pushtet politik, në raste e vende të caktuara, çuditësisht gjejnë një gjuhë të përbashkët edhe me Ballkanin e Hapur, , siç po ndodh aktualisht.

 

Shqiptarët kanë lignit, qymyr, vijë bregdetare, ullinjë, rezerva të naftës e gazit më tepër se fqinjët malazezë, maqedonas, e serbë. Por politikat e Tiranës e Prishtinës nuk po bëjnë asgjë që zhvillimin  ekonomik e social ta ngrejnë në një strategji të përbashkët bashkëpunimi.

Hiq më mirë nuk qëndrojnë as politikanët shqiptarë në Shkup. Këta të fundit madje vazhdojnë t’i quajnë si strategji zhvillimore disa përpjekje të pasukseshme të qeverive për nxitjen e zhvillimit proporcional të rajoneve, ku sërish banorët e tetovës ngelin pa ujë të pijshëm, kurse ata të Likovës duhet të punësohen në Kumanovë e Shkup, sepse në komunën e tyre nuk ka kurrfarë perspektive punësimi. Për pasojë ministrat shqiptarë në Shkup nuk kanë një vizion të qartë se si duhet të zhvillohen rajonet shqiptare në Likovë, në rrafshin e Shkupit, në Pollog, në Pellagoni, në Strugë e Dibër. Ndonëse kanë poste të larta në Qeverinë e Shkupit, ministrat shqiptarë kanë një profil tepër të ulët sa i përket përfshirjes së tyre në mikrozhvillimin rajonal të viseve prej nga vijnë ata.

Në vend se të ndërtojnë një sistem unik të kombinuar energjetik, ku uji dhe thëngjilli do të përdoreshin si burime kryesore për rimëkëmbjen e këtij sistemi,  Shqipëria e Kosova sërish vazhdojnë të jenë në varshmëri energjetike nga Serbia dhe shtet tjera.

Në vend se të përpunojnë një sistem të përbashkët agroindustrial, Shqipëria e Kosova bashkë me ministrat shqiptarë në Shkup, vazhdojnë të varen nga hambarët me drith të Panonisë në Vojvodinë dhe në pjesët tjera në Serbi.

Shqipëria rezulton të jetë një nga vendet me pasuri natyrore më të mëdha në Europë. Shqipëria është një vend mesdhetar dhe ku për më shumë se 3000 vjet, ulliri dhe vaji i ullirit kanë qenë një nga produktet ushqimore më të njohur . Kultivimi i ullirit ka pasur traditë në të gjitha kohët qysh nga koha e Skënderbeut, ajo e mbretërisë së Zogut, në diktaturën komuniste dhe  deri sot. Në agrofondin e ullishtarisë shqiptare, deri në vitet 1945 ishin të regjistruara 1.2 milionë rrënjë ullinj, kryesisht me moshë të madhe, të mbjella në toka jo shumë produktive. Prodhimi kokërr në vite të njëpasnjëshme arrinte 25 – 40 mijë tonë ose i njehsuar me 5 – 8 mijë tonë vaj. Në fund të viteve 1990, ullishtaria zinte mbi 45 200 hektarë tokë me një inventar fizik rreth 6 milionë rrënjë. Prandaj rezulton që ullinjtë janë ndër kulturat më të rëndësishme të pemëve frutore që rriten në Shqipëri. Gjithsej numërohen pothuajse 12 milion pemë ulliri, me më shumë se 28 lloje – mesdhetare tipike.

Por Shqipëria shquhet edhe me pasuri të tjera natyrore. Sipas burimeve zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, rreth 40 milionë tonë naftë janë ende të pashfrytëzuara.  Sipas të dhënave, Patos-Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri. Kjo fushë prej 44 mijë ha konsiderohet si burimi më i madh i naftës në të gjithë Europën, me një kapacitet prodhimi prej 7.7 milionë fuçish nafte në vit. Madje vende si Gjermania apo Holanda, janë shumë më poshtë Shqipërisë për rezerva nafte, por ato nuk i kanë prpoblemet si Shqipëria sa i përket furnizimit me  çmime astronimike të derivateve të naftës.

Por çka ndodhë në praktikë? Përsëri Shqipëria e blen naftën me shtrenjtë se shumica e vendeve të Bashkimit Europian dhe vazhdon të jetë e varur nga shtetet tjera. Për rrjedhojë në tregun shqiptar të karburanteve, çmimet e derivateteve  janë më të lartat në Ballkan, duke arritur në nivele të papara ndonjëherë –  prej gati 270 lekë për litër.

Pse? Sepse mungon strategjia, gatishmëria dhe patriotizmi ekonomik i elitës politike shqiptare që Shqipërinë ta shndërrojë në fuqi rajonale për prodhimin e hidrokarbureve.

Në anën tjetër, Kosova është shumë e pasur me qymyr, e treta në Evropë me rezerva.Ajo posedon rreth 14.700 miliard ton linjti në rezerva, që e rendit Kosovën të pesten në botë. Gjithashtu ka rezerva prej 1 trilioni në minerale si: alumin, ari, plumb, zink, bakër, boksit, magnez, etj. Kosova gjithashtu posedon rezerva të azbestit, kromit, gurit gëlqerorë, dhe kuarcit. Ndonëse shumica e burimeve natyrore të Kosovës ende mbesin të papërdorura, rezervat e tyre të mëdha kanë një potencial të madh për zhvillime të ardhshme, siç e ka vlerësuar Banka Botërore.

Por, të gjitha këto pasuri përrallore kanë mbetur vetëm shifra të vdekura statistikore, sepse asnjë qeveri nuk e merr me seriozitet përgatitjen e një strategjie afatgjate zhvillimore, ku do të merreshin për bazë këto burime natyrore, si faktor vendimtar në prosperitetin ekonomik të Kosovës, por edhe të Shqipërisë.

Është e turpshme ta dëgjosh Kryemnintsrin Rama teksa thoshte se do të vdisnim urie nëse nuk importojmë miell nga Serbia, ndërkohë që të gjitha analizat që janë bërë deri më tani konfirmojnë se gjithë popullata shqiptare në Ballkan nuk ka nevojë të jetë e varur nga asnjë kokër drithi të Serbisë, sepse mjafton të ngritet një sitem modern agroindistrial i cili do të ishte burim i mjaftueshëm për ushqimin e shqiptarëve, madje do të mjaftonin sasi edhe për eksport.

Mirëpo kjo nuk bëhet, sepse Edi Rama e Ali Ahmeti  në vend se të nxisin zhvillimin e potencialti të brendshëm kombëtar, duke rivitalizuar burimet e shumta natyrore për nevojat ekonomisë së vendit të tyre, ata tani merren me Ballkanin e Hapur të Vuçiqit, një projekt ky që ka pretendime të fshehta filoruse për të depërtuar në ujërat e ngrohta të Adriatikut dhe Jonit  dhe për të neutralizuar ndikimin e Brukselit dhe Washingtonit në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

Viset shqiptare janë shumë të pasura, por elitat politike kanë krijuar mekanizma varshmërie nga oligarkia ekonomike vendore e rajonale, të cilat, përpos që përkthehen në pushtet politik, në raste e vende të caktuara, çuditësisht gjejnë një gjuhë të përbashkët edhe me Ballkanin e Hapur, , siç po ndodh aktualisht.

Shkup, 13 qershor 2022