Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai i Malit të Zi Dritan Abazoviç, nisën sot një vizitë në Ukrainë. Ata shkuan fillimisht në zonat e bombarduara të Borodyankas dhe Irpinit, ndërsa më pas vizituan dhe ekspozitën me dëshmi të pasojave që ka shkaktuar sulmi rus mbi Ukrainën. Gjatë vizitës të dy kryeministrat u takuan dhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Kryeministrat e të dy vendeve ballkanike mbërritën në Kiev në orët e para të ditës, pas një udhëtimi të gjatë me tren nga Polonia. Të shoqëruar nga autoritetet vendase, zoti Rama dhe Abazoviç e nisën vizitën e tyre duke parë nga afër pasojat shkatërrimtare të luftës së nisur nga Rusia në Borodyanka dhe Irpin, zona të cilat ishin ndër të parat që u bombarduan dhe ku është deklaruar një numër i lartë civilësh të vrarë e të gjetur nën rrënoja, përfshirë dhe fëmijë. Edhe pamjet e shpërndara nga zyra e kryeministrit shqiptar, dëshmojnë lehtësisht dëmet e mëdha në banesa e pallate të rrënuara.
Zoti Rama dhe homologu i tij i Malit të zi, Abazoviç, vizituan më pas një ekspozitë me dëshmitë e agresionit rus në Ukrainë. Në fund të saj, në librin e përshtypjeve kryeministri Rama do të shkruante se “bota duhet ta ndalë këtë horror dhe Ukraina të dalë e rilindur nga kjo”.
Ndërsa per mediat e vendit të tij, kryeministri Abazovic është shprehur se “është tragjike ajo që kemi parë dhe dëgjuar”, duke nënvzuar se “gjëja më e rëndësishme është ndalimi i sulmeve, agresionit dhe vrasjes së civilëve”.
Shqipëria ishte ndër vendet e para që dënoi agresionin rus në Ukrainë. Ajo, sikundër nga ana e vet dhe Mali i zi, i janë bashkuar sanskioneve ndaj Rusisë. Edhe vizita e sotme ishte shenjë e qartë e mbeshtetjes ndaj Ukrainës.
Shqipëria ishte gjithashtu pjesë e konferencës së donatorëve për këtë vend, duke ofruar 1 milion euro, ndërkohë që ka dhënë ndihma dhe në ushqime e materiale ushtarake.
Vizita e sotme në Ukrainë vjen në në një moment kur Shqipëria kryeson Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku njëkohësisht ajo është dhe penë-mbajtëse, së bashku me Shtetet e Bashkuara, për çështjen e Ukrainës, duke qenë kështu nismëtare dhe e rezolutave që dënojnë agresionin rus.
Kryeministrat Rama dhe Abazoviç, u pritën sot në Kiev dhe nga presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy. Takimin mes tyre, përmes një lidhjeje video, e përshëndeti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Në fillim të muajit maj, po përmes një lidhjeje video, presidenti Zelenskyy mbajti një fjalim drejtuar parlamentit shqiptar, duke falenderuar Shqipërinë për ndihmën e ofruar dhe qëndrimet e mbajtura prej saj.
Kryeministrat Rama dhe Abazoviç, u pritën më pas dhe nga kryeministri ukrainas Denys Shmyhal. Dhe brenda godinës ku u zhvillua takimi dukeshin qartë shenjat e një situate lufte, me thasë dheu që krijonin llogore nëpër korridoret e saj. (VOA)