Intervista me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi
Denion Ndrenika, RTK
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi thotë se në mbledhjen e të dy qeverive të hënën, do të paraqitet marrëveshja për shkëmbim informacioni për gjendjen civile. Zoti Çuçi i tha korrespondentit tonë Denion Ndrenika se kjo marrëveshje krijon databaze të shtetasve të të dy vendeve që mund të kenë ndryshuar gjeneralitetet me apo pa arsye duke përfshirë dyshimet për t’iu fshehur drejtësisë. Ministri shton se policitë e të dy vendeve janë duke vazhduar disa operacione bashkarisht kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut.
-Zoti ministër, faleminderit që ndatë kohën Tuaj për këtë bisedë me Radio Televizionin e Kosovës!
-Shqipëria dhe Kosova kanë mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive. Me çfarë marrëveshjesh shkon ministria e Brendshme, kuptoj këtu edhe Policinë e Shtetit, për këtë mbledhje?
-Bledi Çuçi: “Ministria e Brendshme do të shkojë me tre dokumenta për të firmosur në mbledhjen e radhës të të dy qeverive.
Kemi një marrëveshje dhe dy protokolle zbatimi marrëveshjesh. Dhe, rregullojnë aspekt së pari shkëmbimin e informacionit, të Gjendjes Civile të të dy vendeve dhe dy protokollet në funksion të dy marrëveshjeve që ne kemi nënshkruar në mbledhjen paraardhëse dhe e kompletojmë të gjithë kuadrin rregullator”.
–Çfarë natyre ka shkëmbimi i informacionit ndërmjet strukturave civile dhe të policisë?
-Bledi Çuçi: “Marrëveshja që do të nënshkruajmë është pikërisht për shkëmbim të informacionit që lidhen me ndryshimet e Gjendjes Civile në të dy shtetete. Dhe, që lidhet ekskluzivisht me ndryshime mbiemrash, martesa, vdekje. Pra, çdo gjë që lidhet me Regjistrin e Gjendjes Civile, të kosovarëve që janë martuar apo kosovareve që janë martuar në Shqipëri ose të shqiptarëve dhe të shqiptareve që janë martuar në Kosovë.
Kjo është e domosdoshme sepse në shumë raste duke qenë dy shtete të ndryshme, ende, ka pasur edhe tentativa për t’iu fshehur qoftë edhe drejtësisë, duke u martuar, duke ndryshuar mbiemrin qoftë ndonjë burrë apo grua në Shqipëri apo në Kosovë përkatësisht.
Pra, duke marrë mbiemrin e burrit apo të gruas në mënyrë që t’i shmangen disa detyrimeve që kanë me drejtësinë në vendet përkatëse.
Në mënyrë perodike nëpërmjet këssj marrëveshjeje çdo shtetas i Kosovës, qoftë i Shqipërisë dhe i Kosovës njëkohësisht, i cili bën një ndryshim në Gjendjen Civile dhe që jeton në Shqipëri, ne do ta lajmërojmë menjëherë atë në Kosovë dhe anasjelltas.
Pra, çdo shtetas shqiptar i cili jeton në Kosovë dhe bën një ndryshim të Gjendjes Civile në Kosovë, do të reflektohet menjëherë edhe në Shqipëri.
Pak a shumë një gjë që e ne e bëjmë brenda Shërbimit tonë të Gjendjes Civile nga bashkia në bashki, do ta bëjmë për këtë kategori shtetasisht ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”.
-Meqenëse bëhet fjalë për shkëmbim informacionesh, Gjendjen Civile, kalojnë kohë këto procedura të shtetasve që mund të jenë të përfshirë në veprimtari kriminale?
-Bledi Çuçi: “Kjo lidhet thjesht me gjurmimin e personave që kërkojnë të fshihen nëpërmjet ndryshimeve të Gjendjes Civile që i bëjnë në shtetet përkatëse.
Nëqoftëse një shqiptar shkon në Kosovë dhe martohet me një kosovare fjala bie, dhe merr mbiemrin e asaj kosovares, duhet të reflektohet dhe duhet ta dijë edhe shteti shqiptar.
Sepse, ky shqiptar mund të ketë probleme me drejtësisë, probleme me një institucion shqiptar dhe duke ndryshuar mbiemrin tenton t’i fshihet këtyre detyrimeve që mund të ketë me shtetin shqiptar.
Për këtë qëllim ne bëjmë që nëqoftëse ndryshon një element, një komponent të Gjendjes Civile në Kosovë, ajo do t’i njoftohet menjëherë Shqipërisë dhe anasjelltas.
Pra, nëqoftëse një kosovar në Shqipëri ndryshon një element të Gjendjes Civile, ne njoftojmë menjëherë shtetin e Kosovës”.
-Pra, në kuadrin e përgjithshëm të sigurisë kjo do të mund të reflektohet në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar?
-Bledi Çuçi: “Padiskut, kjo do të reflektohet kudo dhe jo vetëm në Pikat e Kalimit Kufitar. Kjo është në çdo aspekt ku mund të duhet që të gjurmohet një person i caktuar nëse ka bërë një shkelje ose një krim”.
-Cilat janë problematikat më të theksuara që keni hasur pavarësisht marrëveshjeve të ndryshme apo bashkëpunimit?
-Bledi Çuçi: “Për sigurinë kufitare ne gjithmonë e më tepër kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë me shtetin e Kosovës.
Sigurisht vizioni ynë është që të mos kemi kufi, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Për mua duhet të ishte që dje.
Por, meqenëse jemi dy shtete të ndryshëm, duke qenë se secili nga ne ka partneritet me organizma dhe partnerë të tjerë perëndimorë dhe detyrime që lidhen nga këto, duhet të funksionojmë si dy shtete duke lehëtsuar çdo gjë brenda detyrimeve që kemi ne me parnterët dhe duke shkuar siç thashë drejt një heqjeje fare të kufirit.
Ndërkohë derisa të bëhet nëse arrihet kjo gjë, ne kemi forcuar kontrollet për çdo qarkullim të jashtëligjshëm në kufijtë midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Kemi rritur ndjeshëm kontrollin dhe sigurinë, madje ndajmë territore të cakuara për ta bërë edhe më eficente punën e Policisë Kufitare ku një pjesë e mbulon Policia e Kosovës dhe një pjesë Policia e Shqipërisë.
Çdo marrëveshje që lidhim në fushën e sigurisë kufitare, për sigurinë e kufirit të përbashkët është në funksion të një rritjeje të sigurisë dhe drejt vendimit përfundimtar për ta hequr fare (kufirin)”.
-Në tërësi bashkëpunimi policor me Kosovën, mendoni se e ka kaluar kufirin e të qenit “i mirë”?
-Bledi Çuçi: “Padiskutim! Ne kemi patrulla të përbashkëta, gjithmonë e më tepër bëjmë operacione të përbashkëta në policim, qoftë edhe me policitë kriminale.
Rasti i fundit ka qenë pikërisht me Policinë Kufitare ku një operacion i përbashkët ndërmjet forcave të Policisë Kufitare Shqiptare dhe forcave të Policisë së Kosovës çoi në arrestimin e mbi 50 forcave të policisë nga të dy anët, që kishin krijuar një rrejt korrussioni dhe kjo gjë u arriti nëpërmjet bashkëpunimit të të dy policive dhe sidomos Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.
Operacione të tilla ne kemi pasur edhe në goditjen e grupeve të organizuara kryesisht të trafiqeve të lëndëve narkotike dhe të trafikut të qenieve njerëzore”.
-Sa operacione kemi ende të përbashkët në këto veprimtari në zhvillim?
-Bledi Çuçi: “Janë një sërë operacionesh sipas fushave të bashkëveprimit për të goditur elementët kriminalë në administrimin e kufirit, krimit të organizuar”.
-Në çfarë mënyrash bashkëpunohet me Kosovën për të goditur narkotrafikun, personat që mund të jenë me të shkuar kriminale?
-Bledi Çuçi: “Janë operacione të përbashkët dhe kanë protokolle të caktuara se si bëhen. Ne nuk kemi vetëm Kosovën, por kemi partnerët europianë.
Madje, disa kanë qenë me më shumë se një partner, Kosovës, Italisë dhe këto rregillohen me protokolle strikte të bashkëpunimit të të dy policive tona”.
-Janë më të ndjeshme veprimtaritë në fushën e narkotrafikut në bashkëpunimin mes të dy vendeve?
-Bledi Çuçi: “Narkotrafiku apo trafiku i lëndëve narkotike, është një fenomen botërore që nuk luftohet nga një shtet. Madje as nga dy shtete.
Ne kemi pasur rezultate shumë pozitive që nga bashkëpunimi me policinë e Spanjës, policinë e Italisë, policinë e Gjermanisë, Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet agjenciës DEA që merret posaçërisht me trafikun kundër lëndëve narkotike.
Pa këtë aktivitet të përbashkët nuk mund të kemi suskes.
Burimi i lëndëve narkotike që vjen në Europë më së shumti është jashtë Europës dhe kërkon kombinimin e shumë agjencive për të arritur suksesin”.
-Marrëveshjet për lejeqëndrimet dhe lejet e punës që tashmë janë të njehsuara, a e kanë lehtësuar në tërësi punën e Policisë së Shtetit për të parë mundësitë që disa persona që janë në kërkim për shtetsëi të Shqipërisë, të kenë një evidentim, një database të saktë?
-Bledi Çuçi: “Marrëveshjet kanë lehtësuar jetën e qytetarëve shqiptarë dhe kosovarë për të marrë përkatësisht leje qëndrimi në Shqiëpri për një shtetas të Kosovës dhe në Kosovë për një shtetas të Shqipërisë.
Sot një shtetas i Kosovës aplikon pa dokumenta, online, për të marrë lejen e qendrimit, pra vetëm plotësosh një formular!
Sigurisht duhet të shkojë të bëjë edhe fotografinë sepse leja e qëndrimit jepet me të njejtat parametra sigurie, është e njejtë me kartën e identitetit shqiptar.
Pra, jepet menjëherë mjafton të deklarojë një adresë. Fillimisht jepet për një afat 5-vjeçar dhe automatikisht pas 5 vjetësh nëqoftëse do që ta bëjë, jepet pa afat”.
-Në kushtet kur Kosova nuk i ka të lehtësuara procedurat e vizave, pra lehtësimin e vizave, liberalizimin, krijojnë këto ndonjë lloj problematike sepse disa shtetas mund të marrin një shtetësi…
-Bledi Çuçi: “Shtetësia ka një ligj të filtruar dhe të certifi kuar nga partnerët tanë, i përputhshëm 100 për qind me legjislacionin e Bashkimit Europian. Kështu që nuk ka asnjë lloj problemi për këtë”.
-Zoti ministër, faleminderit!
-Bledi Çuçi: “Faleminderit gjithashtu”!