Rama i kundërpërgjigjet Sofjes, nuk heq dorë nga gjuha e tij

Tiranë, 24 qershor 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, e cila ka reaguar ashpër ndaj gjuhës që përdori Rama ndaj Bullgarisë, të enjten, në Bruksel, për shkak se Sofja nuk e tërhoqi veton kundër çeljes së negociatave për anëtarsësimin e Maqedonisë së  Veriut në Bashkimin Evropian.

Rama, në një postim në Twitter, ka thënë se edhe ai ka problem me Bullgarinë për shkak të mënyrës si dëshiron ajo t’i zgjidhë çështjet dypalëshe, duke bërë të qartë se ai nuk do ta ndryshojë gjuhën derisa Sofja ta heqë veton për Maqedoninë e Veriut, gjë që është bërë pengesë edhe për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe për Shqipërinë.

Rama ka theksuar se Bullgaria ose duhet ta heqë veton ose duhet ta durojë gjuhën e tij.

“Oh! Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka problem me mënyrën time të të folurit. E drejtë. Edhe unë kam një problem me mënyrën se si Bullgaria dëshiron të zgjidhë çështjet dypalëshe, duke përdorur procesin e zgjerimit si mjet për të marrë peng dy vende të NATO-s. Qetësohuni miq: Hiqni veton, ose më duroni!”, ka shkruar Rama në Twitter.

“Dhe meqë ra fjala, më lini t’jua kujtoj miq të vyer bullgarë se u desh një telefonatë e shkurtër me Boyko Borissovit për të zgjidhur në mënyrë miqësore dhe të ndershme çështjen e pakicës bullgare në Shqipëri. Miqtë e vërtetë nuk i bëjnë dëm njëri-tjetrit, por flasin sinqerisht dhe gjejnë gjuhën e përbashkët”, ka shtuar Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, në samitin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor, ka thënë se Bashkimi Evropian “është bërë për keqardhje” për shkak se mbetet peng i problemeve që ka një vend anëtar.

Ndërkaq, në konferencë për medie, pas përfundimit të samitit, Rama ka thënë se vendimi i Sofjes “është për turp”.

(r.m.)