Tiranë, 24 qershor 2022 – Në Shqipëri është mirëpritur vendimi i Parlamentit të Bullgarisë për të hequr veton për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
“Më në fund erdhi lajmi i shumëpritur nga Bullgaria mike, që ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur e procesit tonë të anëtarësimit”, shkroi presidenti Ilir Meta, pak pas votimit në parlamentin bullgar.
“Në pritje të lajmit tjetër nga mbledhja e Këshillit Europian, që vijon ende”, shkroi ai.
Kryeministri Edi Rama ia njohu meritat kryesore partisë së ish kryeministrit bullgar, Boyko Borissov, GERB. Ai tha se kjo parti e “shpëtoi fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së”.
“Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoj sa duhet për mendimin e tij të mirë që të më telefonojë, por mund ta falënderoj për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament! Mik i vërtetë, udhëheqës i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët, shpëtuan fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt”, shkroi Rama në Twitter.
Just got a call from @BoykoBorissov. I couldn't thank him enough for his kind thought to call me,but could thank him for his defining role in getting rid of the VETO in parliament! Real friend,real leader.His party GERB&Others saved the face of Bulgaria&EU!Now EU should act fast!
— Edi Rama (@ediramaal) June 24, 2022
Një ditë më parë, Edi rama i kritikoi ashpër Bashkimin Evropian dhe Bullgarinë, për shkak se Sofja nuk e hoqi veton kundër çeljes së negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Rama e akuzoi Bullgarinë se po emban peng anëtarësimin në BE të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë.
“Një vend i NATO-s merr peng dy vende të tjera të NATO-s, ndërkohë që në oborr të Europës ka një luftë, në sytë e 26 vendeve që janë krejt të pafuqishme së bashku”, tha Rama të enjten në Bruksel.
Vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut e kishte bllokuar edhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian edhe për Shqipërinë.
(r.m.)