Nga Dardan Malaj
Shqiptarët vazhdojnë të mos kenë për bazë kryesore të gjykimit politik programet e partive politike por liderët dhe bindjet e majta apo të djathta. E pavarësisht kësaj, forcat kryesore por edhe ato të vogla e më pak të njohura kanë hartuar tekstet me propozime surprizuese.
I tillë është programi politik i Partisë Lëvizja Shqipëria e Re, subjekt në aleancë me Partinë Demokratike në të djathtën. Në dokumentin elektoral të kësaj partie thuhet se mbështetet “ndryshimi i kodit të familjes, pranimi i poligamisë (martesat një burrë me deri në 4 gra, me kushtin që secilës prej grave t’i krijohen kushte dhe përkujdesje proporcionale dhe të barabartë)”.
Sipas PLSH, kjo është një zgjidhje e mundshme për t’u bërë ballë shumë ndryshimeve demografike të ndodhura në këto 22 vitet fundit, emigracioni masiv kryesisht i meshkujve shqiptarë dhe boshatisja demografike nga meshkujt në Shqipëri, martesat e grave shqiptare në vendet fqinje në kombe të cilat historikisht kanë qenë të interesuar për asimilimin dhe eleminimin e Kombit tonë.
Një propozim tjetër interesant gjendet në programin politik të Partisë Lëvizja e Legalitetit, edhe kjo pjesë e koalicionit të djathtë. Në të parashikohet sanksionimi i mos lejimit me ligj të homoseksualitetit dhe abortit si dy çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me familjen si një bazë e shoqërisë.
Kryetari i legalistëve Ekrem Spahia, prej disa vitesh zv.ministër i mbrojtjes, u përfshi muaj më parë në një konflikt të hapur me përfaqësuesit e komunitetit LGBT duke u deklaruar kundër zhvillimit të një parade publike prej tyre.
Surprizues është edhe programi politik i Partia e Punës së Shqipërisë e Riorganizuar, e vendosur në koalicionin opozitar me Partinë Socialiste.
“Të ndërgjegjësojmë komunitetin mbi domosdoshmërinë e licencimit të kultivimit dhe shitjes për qëllime mjekësore dhe industriale të disa bimëve që gabimisht janë quajtur droga, si kanabis sativa (kërpi industrial). Në këtë drejtim duhet të shfrytëzohet praktika e vendeve të zhvilluara si SHBA, Holanda, Zvicra etj. të cilat prej kohësh e kanë hequr këtë bimë nga ‘lista e zezë’”, thuhet në programin e PPSHR.
Në vlerësimin e kësaj force politike, kanabis është një bimë e njohur për aftësitë e veta kurative, por edhe e mbushur me bioenergji, gjë e cila nuk i ka leverdisur prej dhjetëra vitesh lobeve të mëdha të naftës, të cilat kanë financuar edhe ‘deklasimin’ e kësaj bime, duke shfrytëzuar disa veti të saj halucigjene.
Një qasje të re ka dhe ndaj ish-të përndjekurve politikë. Për shkak të abuzimeve të shumta që janë bërë me burgun politik, komunistët kërkojnë rigjykim për të gjithë ata që pretendojnë se kanë qenë të burgosur për arsye politike, sipas shtetit të së drejtës dhe kompensim të tyre mbi bazën e këtij gjykimi.
Pavarësisht pozicionimit në koalicione me forcat e mëdha, programet e këtyre partive nuk janë të prezantuara në publik dhe vet ato nuk e përqendrojnë fushatën tek propozimet radikale. Një fakt që përforcon idenë se edhe në një qeverisje të mundshme programet e këtyre subjekteve do të mbeten në letër pa gjetur dot zbatim.