Uashington, 26 qershor 2022 – Në SHBA, qindra njerëz vazhdojnë të protestojnë kundër vendimit Gjykatës së Lartë që i jep fund mbrojtjes kushtetuese që gëzonte aborti prej vitit 1973. Ndërsa në një numër shtetesh tashmë kanë hyrë në fuqi ligjet për kufizimin ose ndalimin e abortit, raporton Zëri i Amerikës.
Vendimi i Gjykatës së Lartë për të rrëzuar rastin Roe kundër Wade, pritet të ndryshojë jetën e amerikanëve, ndërsa gati gjysma e shteteve pritet të zbatojnë ligje për kufizimin ose ndalimin e abortit.
Në Teksas dhe Juta, dy nga 13 shtetet me ligje që ndalojnë ose kufizojnë abortin, që ishin parashikuar të hynin në fuqi menjëherë pas shfuqizimit të rastit Roe kundër Wade, protestuesit u zotuan të luftonin për mbrojtjen e të drejtës për abort.
Ligji i Teksasit ndalon abortet që nga ngjizja, duke përfshirë edhe rastet e shtatzënive të shkaktuara nga përdhunimi dhe incesti, si dhe të atyre që tregojnë anomali të rënda. Ligji parashikon përjashtime për rastet kur jeta e grave shtatzëna është në rrezik.
Në Juta, personeli mjekësor mund të përballet me arrestime dhe gjoba nëse ofron kujdes shëndetësor lidhur me abortin. Viktimat e sulmeve seksuale mund ta ndërpresin shtatzëninë, por vetëm nëse ato më parë paraqesin një raport policor.
“Ndjehem sikur vendi im nuk dëshiron të kujdeset për mua. Ata janë të gatshëm të më lënë të vdes, në vend që të më japin të drejtën të marr vendime mbi jetën time”, thotë protestuesja Leigh Lucas nga qyteti i Salt Lejkut në Juta.
Jehona e vendimit do të ndihet përtej hapësirave me masa të larta sigurie të Gjykatës së Lartë dhe mund ta bëjë abortin një çështje të rëndësishme në zgjedhjet për Kongresin që mbahen në nëntor, në të cilat amerikanët do të vendosin nëse demokratët e Presidentit Biden do të ruajnë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit.
Vendimi do të intensifikojë gjithashtu debatin rreth gjykatës e cila po kritikohet gjithnjë e më shumë për vendimet e saj më agresive konservatore mbi një sërë çështjesh.
(Zëri i Amerikës)