KPK dhe KGJK e bojkotojnë takimin e grupit punues për vettingun në drejtësi

Prishtinë, 27 qershor 2022 – Përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe ata të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) e kanë bojkotuar edhe të hënën takimin e grupit punues për procesin e vettingut në drejtësi.

Përfaqësues e ketyre dy organeve të pavarura të sistemit të drejtësisë e kanë bojkotuar edhe më parë këtë grup punues, me arsyetim se gjatë procesit të hartimit të draft-konceptit nuk janë marrë parasysh rekomandimet e tyre dhe se procesi I vettingut, i tillë siç është koceptuar në draft, e rrezikon pavarësinë e këtyre dy institucioneve.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur keqardhje për bojkotin e KPK-së dhe KGJK-së dhe theksoi se ministria është e interesuar të bashkëpunojë me të gjitha institucionet e drejtësisë.

“Më vjen keq që sot nuk janë të pranishëm përfaqësuesit e KPK-së dhe KGJK-së. Megjithatë, ne jemi shumë të interesuar të bashkëpunojmë me institucionet e drejtësisë, përfshirë sistemin prokruroial dhe sistemin gjyqësor. Përfaqësuesit e të dyja institucioneve kanë qenë të pranishëm në fazat e hartimit të koncept-dokumentit dhe tani, meqenëse kemi një opinion të Komisionit të Venecias, i cili është opinion professional, unë besoj se të gjithë duhet të jemi bashkë në zbatimin e rekomandimeve që dalin nga opinioni i Venecias”, ka thënë ajo.

Ministria Haxhiu ka thënë se opinion i Komisionit të Venecias i ka hapur rrugë procesit të vettingut dhe reformës së mirëfilltë në sistemin e drejtësisë.

“Kemi pasur debate dhe ballafaqime të shumta dhe, natyrisht, veç sa e kanë ndihmuar krijimin e platformës për reformën në drejtësi. Duke qenë se ky është një proces i ndjeshëm dhe jo i lehtë, ne, qysh në fillim të punës sonë, kemi konsideruar se është e nevojshme të konsultohet Komisioni i Venecias, si trup i rëndësishëm në fushën e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Tani, pas pranimit të opinionit të Komisionit të Venecias, ndodhemi në një situatë të re dhe duket që e kemi të ndriçuar rrugën për ta përmbyllur procesin e vettingut në drejtësi”, ka thënë ajo.

Ministria Haxhiu ka theksuar se Kosova “po hyn në një etapë të re” dhe se “reforma në drejtësi do të përmbyllet me sukses”.

Opinionet e Komisionit të Venecias për vettingun në drejtësi dhe për krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme janë publikuar në fillim të javës së kaluar.

Komisioni i Venecias ka rekomanduar ndryshime legjislative që do të përmirësonin sistemin aktual të verifikimit të zyrtarëve në sistemin e drejtësisë, veçanërisht të pasurisë së tyre, si edhe forcimin e njësive të vettingut brenda KGJK-së dhe KPK-së.

(r.m.)