Shkup, 28 qershor 2022 – Përplasjen fizike me deputetët e opozitës, Arbër Ademi, kryetar i Komisionit parlamentar për çështje evropiane e ka vlerësuar si “incident të provokuar nga opozita për destabilizimin e Maqedonisë së Veriut”.
Incidenti ndërmjet Ademit, i cili vjen nga partia në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe deputetëve të opozitës, përkatësisht të VMRO-DPMNE-së dhe Aleancës për Shqiptarët, ndodhi të hënën në momentin kur deputetët e opozitës u tubuan para tavolinës së tij dhe i larguan mikrofonin për të kundërshtuar rendin e ditës, ku ishte edhe propozim-ligji për punën e gjykatave, i cili parashikon zgjatjen e punës së gjyqtarëve deri në moshën 67-vjeçare.
Sipas opozitës, me këtë ligj, pushteti synon “mbajtjen në gjykata të njerëzve të tij”, me qëllim të “mbrojtjes së krimit dhe korrupsionit”. Me këtë rast, Ademi kishte filluar të hidhte sende të forta, si shihe uji e filxhanë kafeje në drejtim të deputetëve të opozitës.
Ademi tha të martën se “përplasja ishte provokuar qëllimisht nga opozita për të penguar agjendën evropiane”.
“Shpreh keqardhje për të gjitha skenat e provokuara nga opozita, gjë që nuk duhej të ndodhnin. Agjenda reformuese e kësaj shumice parlamentare dhe e Qeverisë duhet të vazhdojë. Nuk duhet të biem pre e provokimeve të tyre, të cilat janë në funksion të realizimit të agjendave të huaja për destabilizim të vendit, por edhe për shpërqendrimin e qytetarëve dhe të mbarë opinionit nga proceset integruese”, tha Ademi.
Megjithatë, sjella e kryetarit të Komisionit, Arbër Ademi, nga opozita është vlerësuar si akt “vulgar”, që sipas deputetit të VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski, tregon “fytyrën e vërtetë” të partive në pushtet.
“Komisioni për çështje evropiane nën drejtimin e Arbër Ademit është shndërruar në Komision të ‘Perëndimit të egër’. Për fat të keq këtë duhet ta konstatoj pasi si kryetar i Komisionit, ai nuk respekton rregulloren e punës së Kuvendit, as deputetët e as opinionin. Konsideroj se ky është edhe një turp i madh për Kuvendin dhe për atë se çfarë janë në gjendje të bëjnë partitë në pushtet, LSDM dhe BDI”, tha Milloshoski.
VMRO DPMNE-ja kërkon që Ademit t’i hiqet imuniteti dhe të ndiqet penalisht për aktet e dhunës në Kuvend.
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se akti i Ademit “reflekton nervozizmin e pushtetit kur opozita denoncon krimin dhe korrupsionin”.
“Kjo nuk është hera e parë që bëjnë skenarë të këtillë të dhunshëm me qëllim fshehjen e krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Në Kuvend dhe skenën politike ka pasur shumë raste kur deputetët e BDI-së kanë mundur ta tregojnë veten, por i kemi parë të gjithë se si ikin nga komisionet ku duhet të mbrohen qytetarët, ose si përqafohen me kriminelët. U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien në skenarë të këtillë dhe lojëra të fëlliqura të BDI-së të cilët i kap paniku sa herë që u rrezikohet pushteti, ose nuk u shkojnë planet deri në fund”, deklaroi Ilire Dauti, deputete e Aleancës për Shqiptarët.
Lidhja Social Demokrate e kryeministrit Dimitar Kovaçevski që është në koalicion qeverisës me Bashkimin Demokratik për Integrim për incidentin fajësoi opozitën, e cila sipas LSDM-së, “tenton të fshehë krimin që ka bërë kur ishte në pushtet”.
“Çdoherë kur temë debati në Kuvend është drejtësia, VMRO-DPMNE-ja është në ankth dhe me veprime destruktive, tensione, provokon përplasje fizike. VMRO-DPMNE-ja fuqishëm i mbron kriminelët e regjimit dhe gjithmonë është kundër sistemit funksional gjyqësor”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut edhe më parë ka pasur incidente, ndërsa si më i rëndi njihet ai i27 prillit 2017, kur në Kuvend janë futur ithtarë të VMRO-DPMNE-së, duke përdorur dhunë ndaj deputetëve të partive që në atë kohë kanë qenë pjesë e shumicës parlamentare.
(Isuf Kadriu, REL)