Uashington, 8 korrik 2022 – Departamenti Amerikan i Shtetitdo vazhdon të kërkojë drejtësi për vëllezërit Bytyqi – Yllit, Agronit e Mehmetit – të vrarë në vitin 1999.
Ned Price, zëdhënës i Sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken, ka thënë se Uashingtoni do të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Beogradit për zbardhjen e rastit të vrasjes së vëllezërve të ekzekutuar në një bazë të policisë speciale të Serbisë në Petrovo Selo, në lindje të Serbisë.
“Kanë kaluar 23 vite pa drejtësi për tre shtetas amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, të ekzekutuar në paraburgimin e policisë speciale serbe. Ne nuk do të harrojmë dhe do të vazhdojmë të bëjmë presion për zgjidhjen e këtij rasti”, ka shkruar Price në Twitter, të premten.
Ai ia ka bashkangjitur këtë deklaratë postimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd ku u bëhet thirrje autoriteteve serbe që përgjegjësit për kryerjen dhe fshehjen e këtij krimi të rëndë të nxirren para drejtësisë.
It has been 23 years without justice for three U.S. citizens, Ylli, Agron, and Mehmet Bytyqi, executed while in Serbian special police custody. We will not forget and will continue to press for a resolution of this case. https://t.co/l1QmiNpYYt
— Matthew Miller (@StateDeptSpox) July 8, 2022
Tre vëllezërit Bytyqi, ishin pjesëtarë të batalionit “Atlantiku” të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ishte formuar nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara. Në korrik të vitit 1999, ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdar. Një gjykatë në Prokuple të Serbisë i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie për, siç është thënë, kalim illegal të kufirit, e pastaj nuk dihej gjë për faqin e tyre.
Trupat tyre u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të policisë speciale që komandohej nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviq, i njohur me nofëkn “Guri’. Ata ishin me duar të lidhura kur ishin ekzekutuar nga afërsia me plumb në kokë.
Lidhur me këtë krim makabër në Beograd ishte zhvilluar një proces gjyqësor farsë, por fajtorët kryesorë nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Autoritetet amerikane kanë siguruar dëshmi të besueshme se përgjegjësi kryesor është pikërisht ish gjenerali i policisë Goran Radosavleviq – Guri.
Besohet se ai nuk nxirret para drejtësisë sepse e gëzon mbrojtjen e autoriteteve shtetërore të Serbisë, mbase edhe për shkak se me arrestimin e gjykimin e tij mund të zbulohen edhe fugura të tjera të rëndësishme të skenës politike në Serbi.
(r.m.)