Mbi autorësinë e romaneve “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka”

Romanet që janë konsideruar gabimisht të Faik Konicës

Sevdai Kastrati

 Në dhjetor të vitit 2010 studiuesi dhe përkthyesi Fotaq Andrea zbuloi (duke e shfletuar shtypin francez) dy romane me tematikë shqiptare të shkruara nga Jean de Kroia, e sipas zbuluesit nuk ishte tjetër veçse Faik Konica.

Zbulimi i romaneve të shkruara në frëngjishte tërhoqi vëmendjen e studiuesve.     

Njoftimin e parë për zbulimin e romaneve nga F. Andrea e jep Moikom Zeqo në “Fjala e lirë” më 18 mars 2013: “Ka gjetur dhe identifikuar dy romane të shkurtër të shkruar nga Faik Konica në frëngjisht dhe të botuar më 1911 me pseudonimin Jean de Kroia, dmth Gjoni i Krujës… Njëri roman quhet “Martesa e Lejlës” dhe tjetri “Sotiri e Mitka”. Me subjekte shqiptare të europianizuar me stil erudit e gati volterian…  Fotaqi ka bërë edhe studimin argumentues, shterues për zbulimin që përbën ngjarjen kulturore më të rëndësishme kohët e fundit për ne shqiptarët”.

Njoftimin e dytë për zbulimin e romaneve nga F. Andrea e jep profesor Nasho Jorgaqi, njohësi më i mirë i tashëgimisë koniciane në gazetën “Dita” më 3 maj 2015. Në shkrimin “Për Faik Konicën e njohur dhe të panjohur” ndër të tjera shkruan: “Por më këtë rast kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t’i bëj të ditur opinionit shqiptar një zbulim historik të librave të panjohur të Faik Konicës. Është fjala për dy romane të tij me tema shqiptare, të shkruar në frëngjisht dhe të botuar në Paris në vitin 1911, siç janë romani “Martesa e Lejlës” dhe romani tjetër “Sotiri e Mitka”. Ato u nxorën në dritë pas afër 100 vjetësh nga studiuesi i njohur frankofon Fotaq Andrea falë punës së gjatë kërkimore e mbi të gjitha përkushtimi atdhetar dhe formimin serioz shkencor. Ai jo vetëm i zbuloi, por edhe i shqipëroi në gjuhën amtare të autorit në një nivel të lavdërueshëm, duke i shoqëruar dhe me një studim shkoqitës të dokumentuar e të thelluar, dhe tani presin të botohen, por akoma flenë në sirtarin e tij për shkak të pengesave tona burokratike.”

Njoftimin e tretë për zbulimin e romaneve nga F. Andrea e jep studiuesi Thanas L. Gjika në punimin “Roli i Faik Konicës në gazetarinë dhe letërsinë shqiptare” botuar në gazetën “Dielli” më 31 mars 2016: “Federata atdhetare Vatra e shpalli vitin 2016 Viti Konica me rastin e 120 vjetorit të themelimit të revistës Albania. Ajo mori përsipër që gjatë këtij viti të ndihmojë financiarisht botimin në gjuhën shqipe të dy romaneve të panjohur të Faik Konicës, shkruar më 1908 frëngjisht. Këto dy vepra të plota letrare i zbuloi, i përktheu dhe i pajisi me një hyrje të gjerë studjuesi Fotaq Andrea. Gjetja e këtyre dy romaneve të hartuar frëngjisht prej Konicës është një tjetër fakt që tregon se Faik Konica e pati aftësinë dhe vullnetin të na linte vepra të plota letrare me dimensione të gjata si romani”.

            Përsëri edhe njoftimin e katërt për zbulimin e romaneve nga F. Andrea e jep studiuesi Thanas L. Gjika në studimin “Doktor Gjëlpëra – romani i parë realist i letërsisë shqipe” botuar në gazetën “Dielli”   më 6 maj 2016: “Studiuesi Fotaq Andrea zbuloi dy vjet më parë dy romane të panjohur të Faik Konicës shkruar frëngjisht më 1908-1909, të cilët autori ia kishte shitur princit Aladro Kastriotit për të siguruar parat për botimin e mëtejshëm të revistës Albania dhe për të vijuar punën atdhetare. Këto dy romane Konica nuk i përmend asnjëherë, ndoshta sepse nuk e dinte fatin e tyre pas dorëzimit të dorëshkrimit. Sqarimet për fatin e këtyre dy romaneve dhe vlerat e tyre do t’i mësojmë së shpejti prej z. Andrea, i cili do t’i botojë ato shqip shoqëruar me një hyrje të gjatë studimore.”  ³

            Po kështu edhe njoftimin e pestë e kemi nga Thanas L. Gjika në “Rilindasi” më 29 maj 2016 në shkrimin “Fotaq Andrea dhe Faik Konica” ndër të tjera shkruan: “Kulmi i zbulimeve të Andreas do të arrijë në dhjetor të vitit 2010, kur piketon, gjen dhe vërteton praninë e dy romaneve të panjohura të Faik Konicës, shkruar rreth viteve 1908-1909 në frëngjisht dhe botuar më 1911 me pseudonimin Jean de Kroia (Gjoni i Krujës), titulluar “Martesa e Lejlës” dhe  “Sotiri e Mitka”… Për të vërtetuar gjithçka në mënyrë shkencore, ai hyn studimit me hollësi të revistës Albania, të epistolarit të gjerë të Konicës, artikujve dhe veprave që rilindësi i madh i kishte botuar në gjuhë të huaja, hulumton në Arkiva e biblioteka të Francës e Belgjikës, hyn në lidhje të ngushtë me studiuesin Sherif Delvina, pinjoll i familjes Konica-Delvina, i cili, me personalitetin e tij, me erudicionin dhe vizionin modern që ka për shoqërinë shqiptare, fiton simpatinë dhe miqësinë e ngushtë të Andreas. Prof. Delvina e orienton tanimë Andrean në shumë drejtime, e ndihmon me zbulimet që kishte ai vetë, duke i dhënë edhe pemën gjenealogjike të familjes Delvina-Konica.”

            Njoftimin e gjashtë për zbulimin e romaneve nga F. Andrea e jep përkthyesi Eshref Ymeri në gazetën “Bota sot” më 20 shtator 2016: “Pas një pune të gjatë hulumtuese, Fotaq ka arritur rë zbulojë dy romane të panjohura të Faik Konicës “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka” (në pritje për botim që nga vitit 2012). Shpresohet se do të botohen së shpejti, nën përkujdesin e Federatës Panshqiptare Vatra”.

             Gjashtë vjet më vonë, në vitin 2016 studiuesi Fotaq Andrea ka përkthyer dhe botuar në Tiranë romanet “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka” në një libër nga shtëpia botuese “Zenit”. Botuesi Krenar Zejno i pajisi romanet me një parathënie, kurse Fotaq Andrea i shoqërohen romanet me studimin hyrës Lojnia – kush qëndron prapa pseudonimit Gjoni i Krujës? dhe me një pasthënie. Po ashtu në libër janë përfshirë një shtojcë me dokumente (kronika e botuar më 8 tetor 1911 në gazetën franceze l’Avenir d’Arcachon për dy romanet e “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka”, dy letra për Jeronim De Radën nga G. C. Camet dhe një letër e Faik Konicës për Nikolla Naçon) dhe në fund ilustrimet. Romanet u mundësuan të botohen nga Vatra, e cili bërë edhe përurimin e romaneve më 26 nëntor 2016 në Bronx të New York-ut.

Po kështu edhe botimi i romaneve tërhoqi vëmendjen e studiuesve.

Të parin vlerësim e kemi nga Thanas L. Gjika: më 25 nëntor – 8 dhjetor 2016 e boton në gazetën “Illyria” të New Yorkut shkrimin Faik Konica – romancieri i parë realist i letërisë sonë (Mbi realizmin e diptikut romanor Martesa e Lejlës, Sotiri dhe Mitka)¹ kur ndër të tjera thotë: Fotaq Andrea, ky frankofon i talentuar dhe koniciolog i shquar me veprën FAIK KONICA alias GJONI I KRUJËS “Martesa e Lejlës”pasuar nga “Sotiri dhe Mitka” (ZENIT, Tiranë 2016), i dha letërsisë dhe shkencës sonë një mrekulli që flinte prej një shekulli. Pas një pune disavjeçare plot mund e sakrifica ai solli në shqipen e sotme dy romane të shkruar frëngjisht prej rilindësit tonë shumëdimensional, me shpjegime të nevojshme për shumë aspekte të këtyre dy veprave të panjohura. Ai ka dhënë sqarimet e nevojshme për historikun e gjetjes, për zbërtmin e pseudonimit Jean de Kroja / Gjoni i Krujës, ka sqaruar ngatërresat që solli Aladro Kastrioti me botimin e përkthimit në spanjisht të romanit të dytë me emër autori Juan Pedro Aladro, etj. Po në hyrjen e veprës, studiuesi ka shpalosur dhe vlerësimet e tij shkencore lidhur me dy veprat romanore, karakteristikat e tyre më të spikatura letrare, tiparet e personazheve, kush fshihet pas tyre, etj.”

Thanas Gjika më 18 dhjetor 2017 e boton në gazetën “Illyria” të New York-ut studimin Vështrim krahasimtar në studimet e sotme për F. Konicën (Vlerësime për veprat e J. Kastratit, I. Ikonomit, F. Andreas dhe A. Alibalit)² ku ndër të tjera thotë: “Me botimin në shqip të këtyre dy romaneve u rrëzua përfundimisht thënia e nxituar e Nolit se Faiku “nuk na la asnjë vepër të mbaruar”, thënie të cilën Sabri Hamiti e studiues të tjerë e kishin hedhur poshtë duke e konsideruar koleksionin e revistës “Albania” vepër të plotë e komplekse. Fotaq Andrea para se të merret me analizën e ideve dhe anës artistike të romaneve “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka”, sqaron sesi ra në gjurmë, dhe si i gjeti e i bleu këto dy vepra të mbledhura Brenda dy kapakësh në një dyqan librash të vjetër në Belgjikë. Më tej ai sqaroi se pseudonimi “Gjoni i Krojës”, me të cilin ishin botuar dy romanet në frëngjisht, ishte pseudonim i Faik Konicës. Kjo e dhënë dhe shumë materiale që studiuesi i nxjerr nga teksti, e bëjnë të padyshueshëm faktin se këto vepra ishin shkruar prej Faik Konicës në vitin 1909, para se të largohej për në Amerikë, ku ishte thirrur për të marrë drejtimin e gazetës Dielli”.

            Më 20 maj 2018 gazeta “Dita” njofton për aktivitetin që u bë për dy romane të panjohura të Faik Konicës. E sipas botuesit Krenar Zejno: “Në këtë libër përfshihen dy romane të Faik Konicës “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka”, të cilat deri pak kohë më parë e kanë pasur jetën e tyre në gjuhën frënge, ku autori ishte me pseudonimin “Jean de Kroia” ose Gjoni i Krujës. Falë punës kërkimore dhe përkthimit të bërë nga Fotaq Andrea, këto dy romane janë bërë pjesë e letërsisë shqipe. Edhe këto dy romane rrisin vlerat e Konicës dhe shndërrohen ikona të letrave shqipe”.

            Më 12 qershor 2018 botuesi Krenar Zejno flet në emisionin CODEX të KTV-së, të cilin e drejton Durim Abdullahu, rreth 14 minuta për romanet e Konicës.

            Në vitin 2018 studiuesi Sadri Fetiu³ pohon se romanet “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka” Konica i pati shkruar dhe botuar me pseudonimin Jean de Kroia / Gjoni i Krojës para se te shkonte në Amerikë. Më pas do të shtojë se “Këto dy vepra realiste i ka zbuluar, i ka përkthyer dhe i ka pajisur me shënime të nevojshme Fotaq Andrea, kurse parathënien intreresante e ka hartuar z. Krenar Zejno, pronar i shtëpisë botuese ZENIT”.

            Më 19 janar 2019 ribotohet eseja si parathënie e romaneve “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka” në ExLibris e botuesit Krenar Zejno me titull Dy romane, një libër: dy emra, një autor: Gjoni i Krujës alias Faik Konica!

Më 17 shkurt 2019 Nasho Jorgaqi e riboton shkrimin Për Faik Konicën e njohur dhe të panjohur në gazetën “Dita” duke shtuar edhe diçka më tepër lidhur me F. Andrean: “Romanet u shoqëruan me një studim shkencor serioz e i dokumentuar për vlerat e romaneve dhe zbulimin e identitetit të Faik Konicës si autori i tyre. Me zbulimin e këtyre dy romaneve që lexuesi ynë tanimë i ka në dorë Fotaq Andrea i solli një shërbim me vlera kulturës dhe letërisë sonë të traditës”.

Më 10 janar 2020 i ndjeri Moikom Zeqo e boton në gazetën “Dita” esenë Përkime kulturore (Guillaume Apollinare dhe De Rada) ku ndër të tjera shkruante: “Ky zbulim i të dy romaneve të Faik Konicës në frëngjisht është vërtet diçka befasuese. Autori i zbulimit dhe i përkthimit të këtyre dy romaneve në gjuhën shqipe, ka të gjitha të drejtat e copyright-it. Duke lexuar këto romane kujton jo vetëm forcën lakonike dhe moderne të shkrimit konician, por edhe elemente biografikë”.

Më 30 gusht 2020 në gazetën Illyria botohet intervista e studiuesit Behar Gjoka me titullin Faik Konica – babai i kritikës dhe eseistikës. Në këtë bashkëbisedim me gazetarën E. Jaçaj studiuesi B. Gjoka4 i konsideron romanet si të Konicës.

Në vitin 2020 studiuesi Thanas Gjika, i cili brenda disa vjetëve ka shkruar tre artikuj vlerësues) në studimin Faik Konica – themelues i romanit realist shqiptar5ndër të tjera, ka pohuar se: “Dy romanet e parë të Konicës Martesa e Lejlës dhe Sotiri e Mitka shkruar në frëngjisht më 1909 e botuar më 1911, janë përkthyer tashmë mjeshtërisht në shqip prej frankofonit të talentuar Fotaq Andrea. Këto romane dallohen prej veprave romanore pararendëse përsa i përket realizmit si metodë krijuese. Romani i Sami Frashërit Fatma (1872) ishte vepër krejt romantiko-sentimentale, kurse romani i Santorit Sofia e Kominiatëve (1873) dhe ai Pashko Vasës Bardha e Temalit (1890) ishin vepra ku binte në sy largimi nga romantizmi dhe sentimentalizmi dhe prirja për afrim me realizmin. Kurse në romanet e parë të Konicës realizmi nuk është thjesht një prirje, por një metodë krijuese e zbatuar me ndërgjegje. Në romanet e Konicës nuk kemi dashuri me një të parë, nuk kemi përshkrim të zakoneve të jetës si dukuri folklorizante, natyra nuk përcakton fatin e heronjve, nuk kemi personazhë skematikë që mendojnë e veprojnë sipas skemave të paracaktuara prej autorit. Ngjarjet në të dy romanet e parë të këtij shkrimtari zhvillohen në përputhje me rrethanat dhe ligjet e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, kurse personazhet janë krijuar si personazhe tipikë që veprojnë në rrethana tipike”.

Më 22 shkurt 2021 Sinan Gashi e boton në “Fjala e lirë” punimin Katër shkrimtarë shqiptarë me pseudonime të shumta6 thotë se ‘është me interes të theksohet se Faik Konica edhe për veprat e lëna në dorëshkrim, ishte nënshkruar me pseudonimin, si Jean de Kroia (Gjoni i Krujës), për romanet e tij “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka”..

Më 10 tetor 2021 Thanas Gjika e boton në gazetën “Dielli” recensionin Ndërfutjet dhe alternimet e ngjarjeve – tipar themelor i një romani (Vlerësime për romanin “Dy jetë…” të Pandi Papandos) ku ndër të tjera do të shkruajë edhe këtë: “ecuria logjike dhe thurja e ngjarjeve me realizëm e bën lexuesin t’i pranojë ato si ngjarje e përkime që ndodhin në jetë. Këtë dukuri lexuesi e has edhe në romanet e shkrimtarit italian Kazanova (Giacomo Casanova), dhe në romanet e shkruar frëngjisht prej Faik Konicës, përkthyer me mjeshtëri në shqip prej Fotaq Andreas “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka” ZENIT EDITION, Tiranë 2016, 332 f.”

Hipotezat dhe shpjegimet e Fotaq Andreas

Fotaq Andrea në shpjegimet përshkruese që sjell në studimin e tij “Lojnia” edhe pse duket si një përshkrim shterues dhe i hollësishëm apo siç e quan N. Jorgaqit “një studim shkoqitës të dokumentuar e të thelluar” prapëseprapë na del një studim me njoftime të shumta si dhe me hulumtime të gabuara.

Disa janë arsyet që na shtyjnë të dyshojmë:

  1. A është Faik Konica autori i romaneve?

Fotaq Andreas, pa dyshim, i takon merita për zbulimin e romaneve “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka”, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për autorin. Sa i përket autorit, ai jep disa shpjegime dhe mundohet të gjejë ndonji argument për të provuar se autori është vetë Konica. Në mungesë të dhënave për autorin Andrea është munduar të krijojë të dhëna jashtëtekstore. Në të vërtetë, siç do të shohim në vijim është prirja e F. Andreas për të sjellë njoftime sa më të shumta, në shikim të parë, që kanë të bëjnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, për Faik Konicën. Kështu ai përpiqet të bëjë analiza e krahasime në mënyrë të imtësishme, me përkime dhe anologji dhe prapëseprapë arrin në përfundime të pasakta.

Fotaq Andrea, pa zgjidhur çështjen e pseudonimit Jean de Kroia, na flet për një pseudonim të ri të Konicës kinse e ka zbuluar vetë. Bëhet fjalë këtu për pseudonimin Tepeleni, i përdorur për herë të parë nga Konica në gazetën La Libre Parole më 26 dhjetor 1895.  Shkrimi në frëngjisht mban titullin “L’Albanie et les Turcs” [Shqipëria dhe turqit] dhe nuk është i panjohur për studiuesit e Konicës. Për herë të parë e gjejmë të përmendet me emrin e autorit në Bibliografinë shqype / Albanesische Bibliographie të botuar në Vjenë më 1909 dhe që është përgatitur nga F. Manek, Gj. Pekmezi dhe A. Stotz7.  Sa më është e njohur të dhënat e para për këtë shkrim i kemi ndeshur në vitet ’20 të shekullit të kaluar në gazetën “Dielli” ku gabimisht përmendet si broshurë. Më pas e ndeshim titullin e kësaj ‘broshure’, pra me emrin e autorit, në veprën “Popolo, lingua e letteratura albanese” të Gaetano Petrottës8. Njëmbëdhjetë vjet më vonë kjo tezë përsëritet te Namik Resuli në kristomacinë9 “Shkrimtarët shqiptarë”, ku besojmë se studiuesi arbëresh ka qenë i vetmi burim i të dhënave për Konicën. Po kështu do të përsëritet pa ndonjë të dhënë të re te disa studiues si p. sh.: Sabri Hamiti, Jup Kastrati, Nasho Jorgaqi, Moikom Zeqo dhe Shyqri Galica10. Ndërkaq studiuesi Jup Kastrati, autor i një monografi për Konicën, është i mendimit se kemi të bëjmë me një artikull dhe me një broshurë11. I këtij mendimi është edhe M. Zeqo, pa mëdyshje mund të themi se është ndikuar nga ky i fundit. Po këtë qëndrim mban edhe studiuesi N. Jorgaqi, i cili12 nuk e mëdysh aspak bindjen tonë se është i ndikuar nga J. Kastrati.

I pari studiues që bën fjalë për artikullin L’Albanie et les Turcs ka qenë Ymer Jaka¹³ në studimin “Veprat e rilindësve shqiptarë në gjuhën frënge” të botuar në revistën Gjurmime albanologjike më 1976. Ai na bën me dije se artikulli në fjalë dhe pseudonimi Tepeleni janë zbuluar nga Luan Starova14. Për hirë të së vërtetës në atë periudhë i riu Starova bënte hulumtime për lidhjet e Konicës me Apolinerin, i cili një vit më vonë do të mbrojë në Universitetin e Zagrebit tezën e doktoratës me titull “L’oevure de Faik Konitza en français et sa collaboration avec Guillaume Apollinare”[Vepra e Faik Konicës në gjuhën frënge dhe marrëdhëniet e tij me Gijom Apolinerin]. Për fat të keq, kjo tezë doktorate, deri në ditët tona, mbeti e panjohur për lexuesit.

F. Andrea për ta bërë të besueshëm ‘zbulimin’ citon Jup Kastratin, i cili flet mbi pseudonimet e Konicës në përmbledhjen e sesionit shkencor “Faik Konica: jeta dhe vepra” të botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, më 1997.  Me këtë rast detyrohemi të shtojmë se punimi i Jup Kastratit “Bibliografia e botimeve të Faik Konicës (1895-1942)” speaks for itself. Me gjithë sqarimet e mëtejshme që jep F. Andrea, madje i sajonë vetë (jo vetëm në këtë rast) por edhe nxit një fare dyshimi saqë ato nuk përputhen midis tyre. Gjithsesi Andrea nuk ngurron të shtojë në listen e pseudonimeve të përmendura nga J. Kastrati edhe ‘zbulimin’ e tij. Po kështu, mund të thuhet, se Andrea të dhënat e para për këtë pseudonim i ka marrë nga L. Starova, të cilin përpos vlerësimit që i bën në librin Faik Konica: përlindësi modern (2016), po aty përmendet edhe vepra e Starovës Faik Konica dhe Guillame Apollinaire: një miqësi europiane (2001).

Me kalimin e kohës, katër vjet më vonë, F. Andrea në studimin “Rrugëtimi i gjatë i revistës Albania” i kthehet edhe një herë artikullit “Shqipëria dhe turqit” duke korrigjuar mendimin e vet të mëparshëm. Ai është i mendimit se Konica i ka dërguar gazetës La Libre Parole një ese prej 80 faqesh dhe redaksia e gazetës e masakron duke e botuar vetëm në një shtyllë e gjysmë faqe gazete15. Me këtë rast jemi të detyruar ta hedhim poshtë mendimin e F. Andreas, sepse kemi vetëm hipotezë dhe jo siguri. Të dhënat që na jepen nga F. Andrea nuk përputhen me asnjë argument dhe mbetet për t’u saktësuar në vijim. Në të vërtetë të dhënat e para përë këtë njoftim të Andreas i kemi drejtpërsëdrejti prej Konicës, i cili në një letër16 që i dërgon një mikut në Bukuresht më 1896, ndër të tjera, thuhet: Shkrova një artikull prej 80 faqesh, i cili kishte si titull: “Ese mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe përpjekjet e saja për pavërsi në shekullin XIX. Ali pashë Tepelena. – Revolucioni i 1831. Kryengritja e vitit 1866. Abdyl beu dhe kryengritja e viteve 1879-80; roli i Bektashizmit në këtë kryengritje. Lëvizja bashkëkohore. Apostolo Margariti dhe ati Faveyrial. Naço dhe lëvizja antihelenike.” Për këtë artikull punova tre muaj. E çova te revista më e medha e Evropës. Drejtori m’u përgjigj se artikulli ishte shumë interesant dhe mund të kishte një jehonë ndërkombëtare (këtë letër ia kam dërguar vëllait tend); vetëm se, shtoi drejtori, është në vetë interesin e çështjes, që të hiqen disa pjesë; unë pranova dhe i kërkova të më shënonte se çfarë duhet të hiqja: u çudita kur pashë se ai kërkonte që unë të hiqja gjithçka, përveç rreth dhjetë faqeve mbi bektashizmin; me fjalë të tjera, ai dëshironte një artikull mbi një çështje interesante dhe të panjohur të fushës së filiozofisë fetare; kurse për sa u takonte kërkesave dhe të drejtave të Shqipërisë, ai as që donte t’ia dinte fare: unë parapëlqeva të hedh artikullin në zjarr, sepse ai mund të rriste tirazhin e revistës, por nuk do t’u sillte kurrfarë dobie maleve tona të gjora.

Pra, siç mund të shihet F. Andrea shtrembëron të vërtetën (me dashje) që të pranohet teoria e tij. Dhe kjo mosnjohje shkencore e çon shpeshherë në rrugën e hamendësimeve, sepse nuk i përmbahet gjithmonë teorisë së tij.

Në fund duhet thënë se sa i përket i artikullit “L’Albanie et les Turcs” F. Andreas i takon merita e përkthimit dhe e botimit në shqip17.

Fotaq Andrea pseudonimi Jean de Kroia e shqipëron gabimisht (ndoshta pa dashje) emrin GjinGjon, ‘edhe pse emri Gjin mbahet si variant i emrit Gjon18. Më pas, ai bën përpjekje të japë ndonji sqarim të shkurtër për autorin, duke u nisur në zbërthim emrash e faktesh historike, por mungesa e burimeve për ta zgjidhur çështjen e autorsisë e shtynë F. Andera të pohojë në mënyrë të prerë (edhe me zë19) se autori i romaneve është Faik Konica dhe këtë ‘s’e luan as topi!’ Me një fjalë, me këtë pohim e mbyll shtegun për ta vazhduar mendimin edhe dikush tjetër.

(vijon)

Shënime

¹Shih Thanas L. Gjika, Faik Konica – romancieri i parë realist i letërisë sonë (Mbi realizmin e diptikut romanor Martesa e Lejlës, Sotiri dhe Mitka), në gazetën “Illyria” më 25 nëntor – 8 dhjetor 2016, nr. 2437, f. 71-72.

²Thanas Gjika, Vështrim krahasimtar në studimet e sotme për F. Konicën (Vlerësime për veprat e J. Kastratit, I. Ikonomit, F. Andreas dhe A. Alibalit), në: Thanas Gjika, Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm, “Kumi”, Tiranë, 2018, f.?

³Shih Sadri Fetiu, Parathënia, në: Thanas Gjika, Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm, “Kumi”, Tiranë, 2018, f. 11.

4 “Fakti që Fotaq Andrea para disa vitesh zbuloi në Francë dy tekste romanesh, në frëngjisht të Konicës, ose letra të autorit në SHBA, tregon se përmasat e Konicës janë shumë më tepër, nga sa njohim, mbase letërkëmbimi i autorit, mbetet ende në hije.”

5Thanas Gjika, Faik Konica – themelues i romanit realist shqiptar, në: Adnan Mehmeti, Autorë dhe vepra, “Adriatic Press”, New York, 2020, f. 258.

6Përpos gabimeve të shumta, ai ka përvetësuar punën e të tjerëve dhe aq më tepër as që i ka lexuar romanet.

7Shih F. Manek, Gj. Pekmezi dhe A. Stotz, Bibliografinë shqype – Albanesische Bibliographie, e shtypi shoqërija “Dija”, Vjenë, 1909, f. 73.

8Shih Gaetano Petrotta, “Popolo, lingua e letteratura albanese”, Palermo, 1930, f. 352.

9Shih Namik Resuli, Faik Konica, në “Shkrimtarët shqiptarë II”, Tiranë 1941, f. 237.

10 Është për të theksuar se Gaetano Petrotta në veprën e tij të njohur “Popolo, lingua e letteratura albanese” ka pohuar gabimisht se Faik Konica ka botuar gazetën “Ushtima e Krujës” në Durrës. (shih Gaetano Petrotta, Popolo, lingua e letteratura Albanese. Palermo 1930, f. 356). Ky pohim i tij është përsëritur nga një studiues te tjetri: Jup Kastrati (1995 201), Isak Shema (2015 372). Edhe pse G. Petrotta, 20 vjet më vonë, në librin “Svolgimento storico della cultura e della letteratura Albanese” botuar në Palermo më 1950 e korrigjon mendimin e vet të mëparshëm. Lidhur me këtë vetë F. Konica ka pohuar në një letër të dërguar gazetës “Dielli” nga Vjena (letra mban datën 10 shkurt 1914) se gazeta “Ushtima e Krujës” nuk është gazetë e themeluar prej tij, veçse ka shkruar një artikull dhe ka ndrequr e artikujt e tjerë në numrin e parë. (shih Letrë nga z. Faik Konica, në “Dielli”, 3 mars 1914, f. 1).

¹¹Shih Jup Kastrati, Faik Konica (1875-1942), “Jehona”, Shkup 1992, nr. 5-6, f. 13; Jup Kastrati, Faik Konica, “Gjonlekaj Publishing Company”, New York, 1995, f. 55, 138, 154, 441.

¹²Shih Nasho Jorgaqi, “Kronikë e shkurtër e jetës dhe e veprës së Faik Konicës”, në Faik Konica, Vepra 5, Botimet “Dudaj”, Tiranë 2001, f. 433.

¹³“Në këtë artikull Konica vë në pah frikën e Perandorisë Osmane nga kryengritjet e popujve të shtypur, sidomos të shqiptarëve dhe maqedonasve, denoncon manovrat e sulltanit, i cili përpiqej t’i neutralizonte këto lëvizje me përfaqësimin e rrejshëm të këtyre popujve në parlamentin turk dhe e bën me dije opinionin e huaj publik për përgatitjet e kryengritjes së armatosur të shqiptarëve për çlirim nga zgjedha e huaj”, në:  Ymer Jaka, Veprat e rilindësve shqiptarë në gjuhën frënge, “Gjurmime albanologjike – seria e shkencave filologjike”, viti V, Prishtinë 1976, f. 115; në: Ymer Jaka, Lidhjet letrare shqiptaro-frënge, “Rilindja”, Prishtinë 1979, f. 58.

14Shih Luan Starova: Faik Bég Konitza:Une symphonie inachevée, në: Amis européens d’ Apollinaire. Actes du seizième colloque de Stavelot, 1-3 septembre 1993, réunis par Michel Décaudin, Presses de la Sorbonne Nouvelle, Paris, 1995, f. 171, 174; Luan Starova, Faik Bég Konitza et Guillaume Apollinaire: Une symphonie inachevée, në: Faik Koniza et Guillaume Apollinaire: Une amitié europénne, “L’Espirit des Péninsules”, Paris, 1998, f. 13; Luan Starova, Faik Konica dhe Guillaume Apollinaire: një miqësi europiane, Botimet Onufri, Tiranë 2001, f. 12; Luan Starova, Kthimi i Faik Konicës, “Flaka”, Shkup 2001, f. 147-148.

15Fotaq Andrea, Rrugëtimi i gjatë i revistës “Albania”, në Faik bej Konica – Baroni Julius Zwiediek, Letërkëmbim 1897-1912: “Albania” dhe Vjena, Botimet “Artini”, Prishtinë 2020, f. 11.

16 Faik Konica, Vepra 4, Letërkëmbimi, zgjedhur e përgatitur nga prof. Nasho Jorgaqi, Botimet “Dudaj”, Tiranë 2001, f. 6-7.

17Faik Konica, Shqiptarët dhe turqit, “Gazeta shqiptare – La gazeta del mezzogiorno”, 1 prill 2012, nr. 5596, f. 26; Fotaq Andrea, Faik Konica – përlindësi modern, Botimet “Zenit”, Tiranë, 2016, f. 179-183; Faik bej Konica – Baroni Julius Zwiediek, Letërkëmbim 1897-1912: “Albania” dhe Vjena, Botimet “Artini”, Prishtinë 2020, f. 789-795.

18Shaban Demiraj, Prejardhja e shqiptarëve përmes dëshmive të gjuhës shqipe (botim i dytë – i përmirësuar), Botimet Naimi, Tiranë, 2015, f. 135.

19Shih në emisionin “Rreze dielli” në Raport TV, Fotaq Andrea për Faik Konicën, të datës 3 nëntor 2016, në minutën e 11:00.

3 Responses to “Mbi autorësinë e romaneve “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka””

Read below or add a comment...

  1. Astriti says:

    Kastrati kundershton Andrean,
    por nuk jep asnje mendim per romanet.
    Duket se eshte perpjekje per debat. Pa baza

    • Astrit says:

      Shkruaj gjatë se s’kam hohë shkruaj shkurt. Kështu e vlerësoj shkrimin bosh me shumë fjalë të Kastratit mbi autorësinë e romaneve të Koniccēs. Që në titull ai hedh poshtë punën me shumë mundim të studiuesit Andrea. Dhe lagohet pa i dhënë zgjidhje antitezës, duke iu përgjur pyetjes me pyetje. Fotaq Andrea me tezat e tij pasuron traditën. Sevdai Kastrati e kundershton këtë pasurim, duke iu bashkuar obskurantizmit që zotëron kulturën e pandriçuar shqiptare e vendosur nga një parti me bëma monstruoze në mbarë trashëgimisë shqiptare. Pranda populli vuan.

  2. Paro says:

    Me një lexim të shpejtë të këtij shkrimi të Sevdai Kastrati, kuptova qëllimin e tij thjeshtë, rrënjësisht e tërësisht. Asgjë nuk kuptova se ku qëndron, gabimi i Andreas dhe të tjerëve. Një përshkrim kaq i gjatë dhe asgjë konkrete, thjesht nuk është Konica që e ka shkruar me pseudonimin këto dy romane sepse nuk dua unë.
    Nuk jam gabim të shpreh se mënyra si autori e shtron problemin duke përmëndur gjithë studiues të shquar, me emër të vendit tonë që kanë shkruar me simpati për Andrean,e mbështetur dy romanët e panjohur më parë të Konicës, të përkthyera e analizuar me mjeshtëri nga studjuesi e frankofoni shquar Fotaq Andrea , ai ka një qëllim: të diskreditojë gjithë këta studjues me emër, dhe të dalë vetë në krye, të bëjë një emër.
    “Me kalimin e kohës, katër vjet më vonë, F. Andrea në studimin “Rrugëtimi i gjatë i revistës Albania” i kthehet edhe një herë artikullit “Shqipëria dhe turqit” duke korrigjuar mendimin e vet të mëparshëm. Ai është i mendimit se Konica i ka dërguar gazetës La Libre Parole një ese prej 80 faqesh dhe redaksia e gazetës e masakron duke e botuar vetëm në një shtyllë ,,,,,,…….dhe jep disa spiegime të Konicës që në fund të fundit të çojnë në atë që shkruan Andrea, se nga 80 faqe u botuan një shtyllë……”
    Nuk është rrugë e ndershme dhe e drejtë kjo që ka ndjekur , Sevdai Kastrati dhe të shpëtojë nga diskreditimin i sigurtë më mirë të mos vazhdojë më gjatë. Turp për të dhe humbje kohe për ne që e lexojmë.
    Po shkruaj” a derëbardhë” diçka të bëjë krenarë shqiptarët e jo të sulmosh shqiptarët atdhetar.