Duka: “Çdo shqiptar të vishet kuq e zi, porta jonë është e hapur”

Intervistë e presidentit të Federatës Shqiptarë të Futbollit, Armand Duka dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara

 

Bisedoi Denion Ndrenika

 

-Zoti president, meqënëse tërësia e problematikave në futboll është e gjerë, padyshim një hapësirë u jepet lojtarëve të rinj. Mirëpo, a është e nevojshme që numri i lojtarëve të huaj ndoshta të ulet në ekipet tona dhe po ashtu që të mund të vendoset pse jo, detyrimisht përfshirja e 1, 2 apo 3 të rinjve në formacione? A është e mundshme kjo?

-Armand Duka: “Numri i futbollistëve të huaj në edicionin që sapo mbyllëm ka qenë 5 në fushën e lojës, kurse vitin e ardhshëm do të jetë 4. Kjo, për t’i dhënë më shumë hapësirë talenteve dhe të rinjve që prodhohen nga ekipet zinxhirë shqiptare apo kosovare. Por, gjithsesi nuk mund të shkosh drejt bllokimit të plotë të futbollistëve të huaj, pasi jemi në një treg global, për të cilin pra nuk mund të shkosh në bllokim të plotë”.

 

-Më lejoni të kalojmë te njera ndër pikat kryesore të bisedës mes nesh dhe në tërësi të ndërgjegjes së rritur të shqiptarëve për futbollin. Për mundësinë “Brazil 2014”, përveç Norvegjisë, kemi tre ndeshje të vështira jashtë fushës me Slloveninë, Islandën dhe Qipron, ndërsa brenda fushës me kryesuesen e grupit, Zvicrën. A kemi ne shanse që të ruajmë këtë përqendrim, kryesisht psikologjik?

-Armand Duka: “Në futboll duhet të mendosh gjithmonë ndeshjen e radhës dhe ne duhet të mendojmë ndeshjen e radhës me Norvegjinë, e cila është shumë-shumë e vështirë!

Fakti që Shqipëria ka fituar në Norvegji nuk do të thotë që i ka të gjitha apo ka më shumë probabilitet më shumë se ata në Tiranë. Norvegjia është një ekip i mirë, pavarësisht se ka humbur ndeshjen e parë në shtëpi. Kështu që, ne duhet të mendojmë shumë për këtë ndeshjen e radhës. Nuk kemi luksin që të shpërndahemi në mendimet tona”.

 

-Zoti president, katër nga lojtarët tanë kryesorë janë dëmtuar apo pezulluar?

-Armand Duka: “Ëëë… Më vjen keq për ata që janë të dënuar apo të dëmtuar. Kuptohet që janë lojtarë shumë kryesorë, kapiteni Lorik Cana, mbrojtësi i djathtë (Andi) Lila, (mesfushori Odise Roshi), sëfundi (Alban) Meha, (Burim) Kukeli… Por, futbolli ky është dhe duhet t’i parashikosh dëmtimet apo dënimet. Ne do të kemi besoj edhe emra të rinj të grumbulluar për ndeshjen me Norvegjinë në dispozicion të trajnerit (Xhani De Biazi) dhe uroj që të kemi sukses”.

 

-Megjithatë, puna për rindërtimin e Kombëtares, përfshi ekipet e moshave, siç po vërejmë edhe në këtë bisedë, ka qenë e mirë. Çfarë mund të na thoni për Adnand Januzajn (Mançester Junajtid)? A jeni të kënaqur me punën e trajnerit De Biazi?

-Armand Duka: “Po, Januzaj nuk është prodhim i De Biazit, është prodhim i moshave të Anderlehtit dhe tashmë i Mançester Junajtidit. Është një lojtar me karakteristika jashtëzakonisht të mira dhe unë uroj që të vishet kuq e zi sa më parë”.

 

-Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Federatën e Futbollit të Kosovës? A keni bashkëpunim dhe bashkërendim për çdo çështje që shtrohet?

-Armand Duka: “Patjetër, patjetër! Për të gjithë problemet që ka futbolli shqiptar, sepse futbolli kosovar, futbolli i kufijve të Kosovës dhe të Shqipërisë është “1”, është “njësh” futboll shqiptar. Ne i zgjidhim sëbashku”.

 

-A kemi shanse dhe përpjekje që siç ka dëshmuar trajneri Xhemal Mustedanagiç, që lojtarët shqiptarë në shtetin maqedonas të luajnë për Shqipërinë, duke shfrytëzuar pse jo edhe mosthirrjen e tyre (ndonëse tani më rrallë) nga përfaqësuesja maqedonase?

-Armand Duka: “Çdo shqiptar duhet të luajë për fanellën kuq e zi, pavarësisht se ku jeton! Unë nuk kam koncepte të tilla. Porta e Kombëtares është e hapur për të gjithë”!

 

-Kombëtarja e Femrave, zoti Duka, pati një rezultat të shkëlqyer në debutimin e saj botëror. Ecuria, rezultatet dhe pritshmëria a na japin shpresë për më tepër?

-Armand Duka: “Fillim i mirë! Duhet të jemi të kënaqur që kemi filluar të luajmë futboll me femrat. Duhet të jemi të kënaqur që zyrtarisht në një turne të parë kemi pasur rezultat pozitiv. Pra, duhet të jemi të kënaqur që jemi prezent në këtë lloj futbolli dhe jemi në hapat e parë të zhvillimit të tij. Pastaj rezultati do punë. Kuptohet që ekipet e tjera, vendet e tjera, e kanë filluar shumë më parë këtë punë. Dhe, nuk është e lehtë që të ngjisësh shkallët”.

 

-Zoti Duka, jemi në fund të bisedës sëbashku. Më lejoni të ndalem te dy çështje të vogla. Çfarë do të sjellë riformulimi i ligave futbollistike në Shqipëri?

-Armand Duka: “Po, ne po shkojmë drejt reduktimit të ekipeve që marrin pjesë në Kategorinë Superiore për një arsye të thjeshtë: për të pasur një futboll më kualitativ (në Kategorinë Superiore), më shumë profesional dhe me më shumë të ardhura. Dhe, që synojmë që pas dy sezonesh të arrijmë në një numër 10 të skuadrave në Kategorinë Superiore, por kuptohet duke ruajtur edhe masivitetin e tij në nivelet e tjera të Kategorisë së Parë, të Dytë, të Tretë e kështu me radhë”.

 

-Cili është vlerësimi juaj për gjykimin dhe vendimmarrjen për dënimet me gjobë apo moslojë të cilitdo aktor. Bëj fjalë për klubet, lojtarët, trajnerët dhe vetë gjyqtarët.

-Armand Duka: “Futbolli është lojë, nuk është shkencë ekzakte dhe kështu që në futboll nuk ka “gjykim”, ka “arbitrim”. Dhe, “arbitrim” do të thotë vendim arbitrar i marrë në kushte loje, që përfshin brenda edhe gabimin. Ne kemi bërë përpjekjet maksimale për përgatitjen e këtyre arbitrave, që të ketë gabime sa më pak. Por, gabimet do ta shoqërojnë lojën për gjithë jetën e saj”.