Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në pushtet e kanë shfrytëzuar këtë artikull duke ngritur pikëpyetjet për burimet e financimit
Nga Dritan Malaj
TIRANË – Një takim mes kreut të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama dhe ish kryeministrit britanik Tony Blair ka ngjallur kureshtjen e medias angleze. Gazeta “Telegraph” shkruan se Tony Blair ka rënë dakord të ofrojë këshillim për qeverinë e ardhshme të Shqipërisë duke hapur rrugën një marrëveshjeje e cila mund t’i sjellë atij miliona paund.
Marrëveshja mes Blair dhe Ramës është negociuar së pari në shkurtin e këtij viti, kur Campbell fluturoi drejt Tiranës për të promovuar librin e tij në formë ditari. Aktualisht ai është duke ofruar këshilla strategjike për llogari të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 23 Qershorit.
Në fillim të muajit maj, kreu i opozitës shqiptare njoftoi zyrtarisht se kishte takuar z.Blair në zyrën e tij në Grosvenor Square në qendër të Londrës. Në tekstin shoqërues të njoftimit për takimin dhe fotos ku ndodheshin dy personalitetet thuhej se Blair do të ishte konsulent i qeverisjes së ardhshme socialiste në Shqipëri.
Siç shkruan “Telegraph”, Shqipëria shpreson ti bashkëngjitet Bashkimit Evropian dhe Blair mund të këshillojë se si të implementohen reformat e stilit të laburistëve të rinj. “Zoti Rama është popullor në Shqipëri dhe sondazhet parashikojnë se ai mund të fitojë deri në 49% të votave në nivel kombëtar”, thuhet në artikullin e “Telegraph”.
Ky lloj biznesi këshillimi nisi nga Blair menjëherë pasi u largua nga Downing Street në vitin 2007 dhe bashkë me të veprojnë ish shefi i kabinetit Jonathan Powell dhe ish drejtori i tij i komunikimit Alastair Campbell. Në vëmendjen e shtypit britanik vijnë marrëveshjet e mëparshme të Blair me qeveritë e Kazakistanit, Kuvajtit, Brazilit dhe Kolumbisë.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në pushtet e kanë shfrytëzuar këtë artikull duke ngritur pikëpyetjet për burimet e financimit. “Telegraph shkruan se Rama do t’i paguajë ish-kryeministrit Blair miliona paund, për këshilla. Pyetja shtrohet ku i gjen Edi Rama miliona paund? Nga vijnë këto para? Çfarë origjine kanë? Kush është donatori? Për çfarë interesi paguan shuma të tilla katastrofike? Edi Rama duhet të përgjigjet për këtë”, deklaron Ministri i Transporteve dhe deputet i Partisë Demokratike Sokol Olldashi.
Kontrata e Blair me qeverinë e Kazakistanit, një prej vendeve më të pasura me rezerva nafte raportohet të ketë patur një vlerë rreth 16 milion paund, një shumë të cilën sipas medias angleze zyrtarët pranë ish kryeministrit e kanë mohuar por nuk kanë dhënë ndonjë shumë tjetër për ta hedhur poshtë.
Një tjetër marrëveshje e Blair është ajo e këshillimit me qeverinë e San Paolos, një prej ekonomive me ritmin më të shpejtë të rritjes në Brazil, me vlerë rreth 4 milion paund në vit.
Por, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama hedh poshtë këto akuza të demokratëve për kontrata me çmime të kripura për lobim. Në reagimin e tij publik kreu socialist nuk lë pa shigjetuar edhe kontratën e firmosur nga qeveria shqiptare me Podesta Group për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ngutje e madhe, ngutje e kotë, ngutje e lodhur për të bërë krahasime midis pranisë së Tony Blair-t dhe të grupit të tij në Këshillin e Ministrave për organizimin e qeverisë dhe të procesit qeverisës me praninë e një grupi lobistësh që paguhen nga taksat e popullit shqiptar për të dezinformuar opinionin ndërkombëtar dhe për të zbukuruar imazhin e një pushteti të korruptuar deri në palcë”, pohon Rama.
Duke ju përgjigjur drejtpërdrejtë aludimeve për koston financiare të kontratës së këshillimit me ish kryeministrin britanik ai insiston se vullneti i Tony Blair-t për të ndihmuar Shqipërinë duke ndihmuar qeverinë e re të Shqipërisë nuk ka çmim për nga të mirat që do të sjelli.
“Ne do të realizojmë një kontratë që nuk do të rëndojë hiç fare në buxhetin e shtetit dhe të publikut. Për momentin kemi një marrëveshje të bazuar në dëshirën e dy palëve për të bashkëpunuar në të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, premton Rama.