Zelensky në Odesa: Jemi plotësisht të përgatitur për të nisur eksportin e grurit

Kiev, 29 korrik 2022 – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka vizituar të premten portin e Odesës, bashkë me ambasadorët e vendeve të grupit G7, ku ka parë nga afër ngarkimin e sasive të para të grurit që do të eksportohen.

Zelensky ka thënë se Ukraina është gati të nisë transportimin e miliona tonëve të drithërave në portet e saj jugore dhe tani po e pret vetëm sinjalin e Turqisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të cilat kanë marrë përsipër mbikëqyrjen e operacioneve.

“Ne jemi plotësisht të përgatitur. Ua kemi dërguar të gjitha sinjalet partnerëve tanë, OKB-së dhe Turqisë, dhe ushtria jonë garanton situatën e sigurisë”, ka thënë ai.

Zelensky ka thënë se ngarkesat e para do të nisen nga ukraina të premten ose të shtunën.

Më 22 korrik, Ukraina dhe Rusia nënshkruan marrëveshje për të liruar për transportin e drithërave nga tri porte të Ukrainës (Odesa, Chernomorsk dhe Yuzhny), të cilat janë bllokuar në fund të muajit shkurt, kur Rusia e filloi agresionin ndaj Ukrainës.

Marrëveshja që u nënshkrua në Stamboll, me ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së, mundëson bartjen e eksporteve të grurit nga Ukraina, ndërsa bota rrezikon të përballet me krizë ushqimore, kryesisht për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës.

Më shumë se 20 milionë tonë grurë janë bllokuar në jug të Ukrainës, prej fillimit të agresiomnit rus, më 24 shkurt.

(r.m.)