Në ditën e fëmijëve, “Mirënjohja e Tiranës” për shkrimtarim Gaqo Bushaka”

Basha: “Deri në fund të vitit 2014, të gjithë shkollat, kopshtet e çerdhet e Tiranës do të kenë 100% ngrohje”

 

Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh me rastin e 1 qershorit. Në këtë ditë, Kryebashkiaku Lulzim Basha ka përzgjedhur të nderojë shkrimtarin për fëmijë Gaqo Bushaka me titullin “Mirënjohja e Tiranës”, për kontributin e tij të shquar në krijimin e një prej personazheve më të veçanta për fëmijë, “Çufon” dhe për pasurimin e letërsisë shqiptare për fëmijë me veprat e tij shumë të dashura nga të gjithë fëmijët.
“Dhe po e fillojmë me një akt, që në fakt unë kam privilegjin të lexoj, po që besoj flet në emër të gjithë qytetarëve të Tiranës, prindërve të Tiranës dhe ju fëmijëve të Tiranës dhe shumë e shumë fëmijëve që sot janë rritur me krijimtarinë e Gaqo Bushakës dhe kurrë ndonjëherë nuk ka qenë më e plotë dhe më nga zemra kjo që po lexoj: “Mirënjohja e Tiranës” – Në emër të qytetarëve të Tiranës, i paraqes këtë mirënjohje z. Gaqo Bushaka, për kontributin e tij të çmuar, në krijimin e një personazhi të veçantë për fëmijë “Çufos” dhe pasurimin e letërsisë shqiptare për fëmijë me veprat e tij shumë të dashura nga të gjithë” – u shpreh z. Basha.
Kryebashkiaku Basha bëri gjithashtu të ditur se do i propozojë Këshillit Bashkiak, akordimin e titullit “Qytetar Nderi” i Tiranës. Në aktivitetin e organizuar për fëmijët, Basha ka garantuar se deri në fund të vitit 2014, të gjithë shkollat, kopshtet dhe çerdhet do të kenë sistem ngrohje.
“Dua ta filloj, duke ju uruar Gëzuar 1 Qershorin. Qyteti ku ju jetoni nuk ka pasuri më të madhe se ju, fëmijët e këtij qyteti. Jeni bukuria, ëmbëlsia, drita dhe shpresa jonë. Në këtë ditë të veçantë, të gjithë ne, prindërit tuaj, mësuesit, të rritur në përgjithësi por edhe Bashkia e Tiranës kemi mundësinë të reflektojmë se çfarë kemi bërë deri tani për ju dhe çfarë duhet të bëjmë më shumë, që ju të jeni sa më të lumtur e sa më të gëzuar.
Ju e dini që Bashkia investon fort, ashtu siç edhe ia kërkon detyra, për ndërtimin dhe rindërtimin e çerdheve, kopshteve dhe shkollat e qytetit, të bëjë të mundur që deri në fund të dimrit të vitit 2014, të gjithë shkollat, kopshtet e çerdhet të kenë 100% ngrohje por po kështu të ketë më shumë ambiente për ju, më shumë ambiente sportive, më shumë kënde lojërash jo vetëm aty ku ju kryeni aktivitetin tuaj në kopshte, çerdhe apo shkolla por edhe në qendrat tuaja të banimit, afër pallateve tuaja, që gjyshërit e gjyshet, prindërit tuaj të mos ju marrin për dore e të ecin kilometra të tërë për të shkuar afër një këndi lojërash por ta kenë sa më pranë, mundësisht poshtë pallatit apo afër derës së shtëpisë” – u shpreh kreu i Bashkisë.
Shkrimtari i dhjetëra librave për fëmijë e ka pritur me emocion të veçantë këtë titull, duke ia dedikuar krijimtarinë e tij, dashurisë që i fali Tirana.
“Unë gjej rastin këtu të falënderoj në përgjithësi qytetin e Tiranës dhe popullin shumë dinjitoz të Tiranës, sepse këtu erdha dhe nuk dija të shkruaja, mbarova dy fakultete dhe sot kam të gjithë ato libra dhe këto janë pjesa më e madhe, dhe kanë brenda dashurinë e Tiranës vet, që më deshi, më mbrojtën, më mbajtën, më rritën. I faleminderit Tiranës, popullit të Tiranës, Bashkisë së Tiranës dhe Kryetarit të saj, për këtë nder të madh që bënë! Iu faleminderit të gjithëve juve!”
Me rastin e ditës së 1 qershorit, Bashkia e Tiranës u ka shpërndarë dhurata rreth 60 fëmijëve në nevojë, të cilët trajtohen në qendrat sociale të Bashkisë.