Uashington, 31 korrik 2022 – Zyra e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi konfirmoi të dielën se ajo do të udhëheqë vizitën e një delegacioni të Kongresit amerikan në Azi, por nuk përmendi nëse zonja Pelosi synon ta sfidojë Kinën, duke u ndalur edhe në Tajvan.
Nëpërmjet një deklarate, zonja Pelosi tha se ajo dhe një grup prej pesë ligjvënësish të tjerë të Partisë Demokrate po shkojnë në Azi “për të riafirmuar angazhimin e palëkundur amerikan ndaj aleatëve dhe miqve të saj në rajon”.
Në deklaratë thuhet se udhëtimi do të përfshijë ndalesa në Singapor, Malajzi, Kore të Jugut dhe Japoni. Ligjvënësit e kanë vizituar tashmë Havain, ku janë takuar me përfaqësues të Komandës shtarake amerikane të zones së Indo-Paqësorit.
Mediat amerikane njoftuan të premten se zonja Pelosi kishte planifikuar paraprakisht të ndalonte në Tajvan. Vetë zonja Pelosi ka folur në mënyrë indirekte për një mundësi të tillë, edhepse zyra e saj nuk e e ka konfirmuar, duke përmendur protokollet e sigurisë.
Nëse një gjë e tillë do të ndodhte, do të shënonte vizitën e nivelit më të lartë të SHBA-ve në Tajvan që nga viti 1997, kur ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, e kishte udhëhequr një delegacion të Kongresit në ndalesën e tyre në këtë vend.
Kina ka paralajmëruar vazhdimisht se një vizitë e zonjës Pelosi në Tajvan do të ishte shkelje e papranueshme e asaj që Pekini e konsideron si sovranitet të saj mbi ishullin e vetëqeverisur.
Tajvani dhe Kina janë ndarë në vitin 1949, pas luftës civile atje. Që nga ajo kohë Partia Komuniste e Kinës është zotuar ta marrë Tajvanin nën kontrollin e saj, duke paralajmëruar se do ta përdorë edhe forcën, në qoftë se do të ishte e nevojshme.
(Zëri i Amerikës)