Kurti: Vuçiq e Petkoviq janë përgjegjës për tensionet në veri

Prishtinë, 31 korrik 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të dielën se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, janë përgjegjësit kryesorë për tensionimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës. Ai ka thënë se tensioneve në veri u paraprinë deklaratat nxitëse të zyrtarëve të Serbisë.

“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre u paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë”, ka deklaruar kryeministri Kurti përmes një video-mesazhi në Facebook.

Kurti ka thënë më tej se Qeveria është e përkushtuar për të ofruar ligjshmëri dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim në mbarë vendin.

“Organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacion, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jenë të vëmendshëm dhe të informohen nga kanalet zyrtare të autoriteteve të Kosovës.

“Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike”, ka thënë mes tjerash Kurti.

https://www.facebook.com/watch/?v=732848581348735

Rrugët që çojnë drejt dy vendkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe në Bërnjak, por edhe rrugë të tjera në pjesën veriore të Kosovës, u bllokuan të shtunën pasdite me kamionë e automjete të tjera, nga grupe radikale të serbëve.

Bllokadat u vendosën një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të hënën, më 1 gusht, do të nisë lëshimi i dokumenteve të përkohshme për hyrje-dalje dhe qarkullim në Kosovë të shtetasve të Serbisë.

Ky document, që do të lëshohet në të gjitha vendkalimet kufitare të Kosovës, tokësore dhe ajrore, do të jetë i vlefshëm 90 ditë, njëjtë sikurse dokumenti që autoritetet serbe ua lëshojnë shtetasve të Kosovës kur hyjnë në territorin e Serbisë.

Të hënën pritet të hyjë në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e automjeteve të regjistruara në Serbi dhe për zëvendësimin e targave me akronime serbe të qyteteve të Kosovës me targa të Republikës së Kosovës, RKS. Afati për riregjistrimin e automjeteve do të zgjasë deri më 30 shtator.

(r.m.)