SHBA kërkon të shtyhet për 30 ditë zbatimi i vendimeve për targat dhe letërnjoftimet

Prishtinë, 31 korrik 2022 – Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, të dielën nëmbëmje ka biseduar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, lidhur me situatën në pjesën veriore të Kosovës.

Pas takimit, ambasadori Hovenier tha se nga udhëheqësit e Kosovës ka kërkuar që implementimi i vendimit të qeverisë për targat e automjeteve dhe për letërnjoftimet të shtyhet për 30 ditë.

Ai tha se vendimi për letërnjofimet dhe për targat e automjeteve është plotësisht në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, por ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të tij për të shmangur dezinformatat dhe keqkuptimet.

“SHBA-ja nuk ka pasur shqetësim për vendimin. Kam pasur takim me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe ministren e Jashtme, Gërvalla, për të bërë një kërkesë të qartë nga Qeveria e SHBA-së që të shtyhet implementimi i vendimeve për 30 ditë. Mendoj se shtyrja e implementimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në BE që të reduktohen tensionet”, tha ai.

Ambasadori Hovenier theksoi se SHBA nuk kërkon rishikimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

“Dua të jem i qartë. Nuk duam që këto vendime të rishikohen. Duam edhe të jemi të qartë se jemi të shqetësuar se disa individë po i shprehin pakënaqësitë me vendosje të barrikada, duke mohuar lirinë e lëvizjes. Nuk i përkrahim këto veprime. Mënyra e shprehjes së pakënaqësive është përmes dialogut. Do të shohim përpara lidhur me  vendimet e qeverisë”, tha ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

(r.m.)