Komuna e Tetovës e zhytur në borxhe

Kryetarja e komunës Teuta Arifi prezantoi gjendjen financiare – Detyrimet në vlerën e 8 milion eurove (492 milion denarëve) apo 30% e buxhetit vjetor të komunës

 

SHKUP, 3 qershor – Gjendja financiare e komunës së Tetovës dhe ndërmarrjeve publike që ka ardhur si pasojë e keq-menaxhimit me buxhetin e komunës, punës jo transparente dhe udhëheqjes së papërgjegjshme është brengosësh dhe rrezikon seriozisht funksionimin normal të komunës. Kështu ka deklaruar kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi gjatë prezantimit të gjendjes financiare të komunës, bazuar në të dhënat që dalin nga analizat e para të hulumtimit të gjendjes në këtë komunë. Me këtë rast Arifi theksoi se borxhi i komunës së Tetovës arrin vlerën e 492 milion denarëve ose 8 milion euro, shumë e cila paraqet 30% të buxhetit vjetor të komunës.
“Në kushte të zakonshme për tu kthyer ky borxh administrate e komunës do të duhej t`i ndalojë ofrimin e shërbimeve të saj qytetarëve të Tetovës për një vit të tërë, pasi që kjo komunë për ta kthyer borxhin prej 8 milionë eurosh, duhet të funksionojë vetëm me 30 milionë denarë. Për një vit në zonat urbane dhe rurale duhet të mos ketë ndriçim publik, të ndërpriten të gjitha punimet lidhur me ujësjellësin, të mos ndërtohet asnjë rrugë, të mos investohet në higjienën e qytetit dhe mos të bëhet asnjë shpenzim tjetër për kryerjen e cilit do obligim që është në kompetencë të komunës”,tha Arifi, në një takim me përfaqësuesit e mediave.
Mirëpo, këto sipas saj janë kushte të jashtë zakonshme, sepse për mos u realizuar parashikimet e zymta që bazohen në gjendjen faktike që trashëguam, nevojiten përpjekje të jashtëzakonshme.
“Masat urgjente të cilat do të merren për stabilizimin financiar të komunës janë rebalanci i buxhetit, revidimi i planit të furnizimeve publike, revizioni i kontratave financiarisht të dëmshme për komunën dhe riprogramimi i borxhit të komunës. Po ashtu, me qëllim të konsolidimit financiar të komunës do të analizohet dukuria e mbi punësimit në komunë, do bëhet zvogëlimi i shpenzimeve për rroga, do të zvogëlohen shpenzimet për mallra dhe shërbime, do të rritet transparenca lidhur me shërbimet dhe do të riorganizohen furnizimet publike me qëllim të fitimit të çmimeve më të ulta”, tha Arifi.
Gjithashtu, sipas Arifit, rritja e të hyrave dhe të ardhurave të komunës do të arrihet përmes donacioneve të huaja dhe atyre vendore, aplikimit të partneritetit privat publik, menaxhimit efikas të të ardhurave që vijnë nga tatimet komunale, marrja e huave nga institucionet financiare ndërkombëtare, ministria e Financave dhe subjekte tjera për realizimin e projekteve kapitale.
“Dua tu siguroj edhe një herë që besimin e marrë në këto zgjedhje do ta dëshmoj që është i merituar me punë të palodhshme dhe përkushtim maksimal për realizimin e vizionit për Tetovën i cili mori përkrahjen e shumicës dërmuese të qytetarëve prandaj shërben si shtysë për tejkalimin e gjithë vështirësive dhe sfidave me të cilat sot ballafaqohet komuna e Tetovës. Po ashtu, dëshiroj të ri konfirmoj që transparenca, përgjegjësia, llogaridhënia dhe profesionalizmi do të jenë shenjë mbrojtëse e mandatit tim udhëheqës me komunën e Tetovës”, theksoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi në fund të takimit me gazetarët. (Z. V.)