Një vlerësim i merituar më zgjoi kujtesën

Nga Pertefe Leka

30 vjet të shkuara,kur u hap Shqipëria shumë atdhetarë nga Diaspora filluan të vinin në tokën e të parëve. Ndër më të shpejtët, që bëri vizitën e parë në Shqipëri, ishte Z. Demë Balidema. Si mik i familjes Leka, ishte mysafiri ynë në Shqipëri, ndaj u shoqërua nga Dr. Luan Leka, në takimet që pati, nga jugu në veri.
Mora shkas nga nderimi shumë i merituar, nga” Kuvendi I Alpeve” Çmimi i Madh “Nënë Tereza”, akorduar humanistit të shquar Shqiptaro- Amerikan, Z. Demë Balidemaj, i cili përveç vlerave si biznesmen i palodhur, aktivist shoqëror me kontribute të çmuara për çështjen shqiptare, i pasqyron të gjitha këto me një modesti të dalluar dhe dashuri të sinqertë.
Duke ruajtur virtytet e malësorit tradicional të Martinajt, të gërshetuar me prakticitetin dhe shpirtin demokrat amerikan, ka arritur të persosi cilësi të vyera të një personaliteti misionar humanitar.
Nuk mund ta ndajë në këte sherbim njerëzor, Zonjën e tij, Julia Balidema, bashkudhëtaren e pandarë, në familje, në punë, mikëpritësen e palodhur dhe e kudogjendur në aktivitete kulturore, në promovime librash, në konferenca historike, që organizoheshin në sallat e lokalit tyre …

Takim në Debal Garden organizuar nga Prof. Repishti me rastin e 50 vjetorit të Konf. së Bujanit .

Mbaj mend Restorantin Debal Garden, një vatër e ngrohtë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për personalitete të larta amerikane, dashamirës të popullit shqiptar. Kam pasë fatin të jem e ftuar dhe pjesëmarrëse në shumë organizime në ate lokal. Me rastin e 50 vjetorit të Konf. Bujanit,përgatitur nga Prof. S. Repishti, ku edhe kam referuar. Në festën për “Mother Day” me shqiptaren izraelite Anna Kohen dhe me këngëtaren P. Simaku, po ashtu në një koncert me këngëtaren popullore Fitnete Rexha dhe me Humoristin Gëzim Kruja etj. Nuk kanë të numëruar…. Të gjitha këto shfaqje i mbulonte me fitimet e veta,edhe pse në familje bënte një jetë normale, pa shpenzime të tepërta.
Artikulli në fjalë është shkruar tri dekada me parë, me rastin e vizitës së tij në Shqipëri, ku kam shenuar të dhëna për paraardhësit, Balidema, si luftëtarë për bashkimin e trojeve shqiptare.

Z. Deme Balidemaj për herë të parë në këte pjesë të Shqipërisë

Vetem e keqja e madhe e detyronte shqiptarin të largohej nga vendi… Megjithate ata kurrë nuk e harronin vendlindjen
Lord Byron

Koha e solli sot që mërgimtarët, të kthehen me etje të madhe për të pirë ujin e gurrave që rrjedhin nga malet e Shqipërisë. Megjithëse të ngulitur në vende të largëta prej mëmëdheut, nuk i kanë shkulur rrënjët nga toka dhe historia.
Ata vijnë t’i kërkojnë e ct’i vadisin rrënjët, të cilat i kanë rezistuar kohërave pasi qenë të përhapura në thellësi.
Kur erdhi na tha: – Unë vi për herë të parë në Shqipëri. Dua t’i mbush mushkëritë me ajrin e pastër të vendit tim.
Ishte me origjinë nga fshati Martinaj, një njeri i thjeshtë që varfëria e kishte detyruar të largohej e të punonte ditë e natë për të krijuar një kapital, sa të fillonte një tregti. Fati e solli që të mëkëmbet e të jetojë në mes të New Yorkut, me djersën dhe mundin e vet duke u bërë pronar i një lokali nga më luksozët, ku argëtoheshin dhe ku priteshin bujarisht shqiptarë dhe amerikanë.
Nëpërmjet ekranit televiziv kemi parë sallat e shndritshme të -Debal Gardens- ku janë ftuar shumë personalitete të Shqipërisë demokratike dhe nga Republika e Kosovës, të cilët ia kanë ngrohur shpirtin dhe ia kanë rritur krenarinë,burrit të Malësisë.

E kam me të shpejtë këtë herë, – tha – sa u ul nga avioni dhe pa arritur në destinacion vizitoi Krujën, muzeun, monumentin e heroit kombëtar, Skënderbeun….
Kur kthehesh nga Kruja, prej këtij vendi historik, përveç mbresave të çastit, të lindin përsiatje për të gjetë lidhjet me paraardhësit. Dema kujtoi Balidemën, të parin e fisit të vet, emrin e të cilit e kujtonte me respekt sepse e dinte që ai zëvendësoi dy herë Ali Pashë Gucinë në luftën e Nokshiqit, kur ai shkoi të merrte pjesë në mbledhjet e ”Lidhjes Prizrenit”.
Pra ishte kjo lidhje gjaku dhe kjo tokë që e ftonte të vinte sa më parë.
Ashtu siç janë mësuar të punojnë njerëzit në Amerikë, po me atë mënyrë të shpejtë i ra qark Shqipërisë duke e përshkuar gjithë bregdetin deri në Butrint, ku u çudit se si kishin mbetur të pashfrytëzuara ato bukuri natyrore nga vizitorët e huaj.Uji i kthjellët dhe i kaltër i Borshit dhe Sarandës, ku u ndal, e joshën dhe e hodhën në mendime….
Këtë habi ia zgjonte më tepër një fotografi e Bajronit me veshje shqiptare, të cilën ia kishte dhuruar një i huaj.
Demë Balidema, hyri deri në zemër të Shqipërisë duke vazhduar nga Gjirokastra antike, në Beratin muze, ku i pa me kureshtje ndërtimet e hershme të shtëpive dhe shtrimin e rrugëve me gurë të skalitur.
Por me keqardhje shihte betonët e rrumbullakta që ia zbehnin bukurinë vendit, investim jo rentabël që ka pushtuar sipërfaqe të mëdha prodhuese.
Kënaqësinë më të madhe e pati kur vizitoi Shkodrën, qytetin ku i prehej gjyshi e ku babai i tij strehohesh gjithmonë, kur ndiqeshin nga shkjau. Kishte nostalgji për këtë qytet jo vetëm për hirë të afërsisë me vendlindjen, por si qytet me tradita të vjetra, që nuk e hiqte nga goja i jati, ndaj kishin mbetur në kujtesën e tij. Për pak kohë të qëndrimit rregjistroi gjithshka në mendje, kishte intuitë dhe aftësi me përpi gjithçka sa e shihte e dëgjonte, jo vetëm për t’u zbavitë por edhe për të menduar se ku mund të bënte diçka, ku mund të realizohet një investim, që t’i shtohesh hijeshia e begatia Shqipërisë dhe njerëzit t’i shijonin frutet e punës tyre.

Puna e kishte lidhur me kalue gjithandej në botë, edhe Floridën që mbahet si pranvera e Amerikës nuk donte ta vinte mbi Shqipërinë.
Këtu, natyra gjithshka e ka favorizuar, por sistemi i gabuar e ka lënë të shkretë këtë vend.-
Megjithatë konstatoi se ndryshimet janë të dukshme, shanset janë të mëdha, eksperienca e botës është e pasur, ajo do t’i vlejë Shqipërisë për t’u bërë model për një kohë të shkurtër.
Takohet edhe me miq e të afërm, të cilët e mirëpresin dhe secilii thotë diçka të vyer për fisin e tij. Ai mbledh ato degë të kujtesës dhe i vë rreth trungut familjar për ta konkretizuar gjenezën stërgjyshore. Kjo ia shton besimin në vetvete që të vazhdojë rrugën e tyre me kujdes dhe përpjekje për Shqipërinë. Një provë të tillë e kishte dhënë, ai ishte ndër të parët që kishte kontribuar me dinjitet për çështjen e Kosovës dhe mbarëvajtjen e Republikës së saj. Kujdes tregoi edhe për shkollën teknike Harri Fulltze, ku u kënaq me nxënësit që ishin të disiplinuar dhe mësonin rregullisht, me trupin mësimor të përgatitur dhe u interesua e u angazhua për plotësimin e librave që u mungojnë si dhe disa mjete shumë të nevojshme për zhvillimin e mësimit.
Miqtë e tij ishin nga ata që punonin për Shqipërinë e Kosovën. Bisedat me disa nëpunës të lartë të vendit për çështjen e zhvillimit të turizmit dhe ngritjes së objekteve me një bashkim fondesh nga afaristë të diasporës, ishin premtuese.
Iku, me mendim që të kthehesh sa më shpejt, duke thënë – “Pushimet e verës do t’i kaloj këtu së bashku me familjen dhe do t’i lë më shumë që ta njohin nga afër Shqipërinë dhe të flasin bukur gjuhën shqipe, të cilën asnjë prej nesh s’e ka harruar”.


Pertefe Leka