Nga Visar Zhiti
Ka njerëz që ikin nga kjo jetë me pikëllimin e atyre që i deshën dhe i duan deri sa të jenë, duke lenë dritën e tyre, por, ja, që nuk përbëjnë lajm, nuk shkruajnë gazetat, nuk thonë gjë televizionet, sepse jetuan modestisht, punuan pa zhurmë, me përkushtim ndaj familjes, fëmijëve gjithë nder dhe me virtyte.
Edhe pse në anonimat, jeta jo vetëm që do të ishte e zbrazët pa ta, por ata janë dhe vetë vlera njerëzore e jetës.
Kështu po bisedonim ne, që e kemi njohur zonjën Shpresa Agaj, që ndërroi jetë në këtë 7 gusht në një spital afër shtëpisë së saj, në Bloomingdale, në rrethinat e Chicago-s. Jemi mbledhur për shpirtin e saj, ka lule dhe qirinj po flasim me zë të ulët për të, por me ngrohtësi dhe përdëllim duke parë fotografi të saj e duke përsjellë kujtime,
Ishte ashtu siç ka dhe emrin, Shpresa. Me mirësi me dritë. shpesh të trishtë, por të vërtetë.
Bashkëshortja e shoqja e një burri të nderuar, Maliq Agaj, që po ashtu dhe ai, me ato virtyte dhe heshtje. Punëtor gjithë jetën. Që nga viti 1998 ikën nga Vlora dhe mërguan për në SHBA, që të ishin bashkë me fëmijët e tyre. Por familjet e tyre kanë histori, nga ato që janë pjesë e historisë së përbashkët, e historisë së re të Shqipërisë.
SHPRESA
është e bija e Dane Zdravës, lindi në Berat në vitin 1938 dhe aty u shkollua, por nuk mund të merrte dot studimet e larta, sepse…
Babai i saj, sot “Qytetar Nderi” i Beratit, i dekoruar me Medaljen “Nënë Tereza”, ka qenë i dënuar politik dy herë me burg të rëndë në diktaturën enveriste. Pse? Sepse Dane Zdrava kishte studiuar në Itali, kishte mbaruar Akademinë Navale në Napoli, ishte biznesmen me të parët, ai solli kombajnat e para në Myzeqe, ngriti centralet e parë, hapi kinemanë e parë në Berat, edhe dyqanin e parë të modes në Tiranë, deputet i Parlamentiti shqiptar në 1943, bamires i shquar, prenotonte sallat deri dhe në Romë, ku shkrimtarja Musine Kokalari do të zhvillonte takimet me lexuesin e do të fliste për Shqipërinë. Edhe pajën e martesës ua bënte ai vajzave të shokëve dhe miqëve që nuk mundnin, madje dhe fitimtarëve, që u futën në Tiranë me ato uniformat e reja e të pastra, ai i kishte paguar. Dhe ata e burgosën me të parët. E çuan në kënetën e Vloçishtit, ku ishin të burgosur dhe shkrimtarët Mitrush Kuteli e Arshi Pipa, etj, etj.
Mbas daljes nga burgu rriti me përkujdesje dhe urtësi fëmijët e vet, Shpresën e bukur dhe tre djemtë pas saj. që ta ndjenin persekutimin sa më pak, vetëm nga jashtë, jo nga brenda.
Pastaj erdhi një djalë nga Vlora, që kërkoi dorën e vajzës së tij. Po cili ishte ky?
MALO
e thërrasin, ka vërtet qëndresë dhe durim mali, e quajnë Maliq Agaj, i biri i Shero Eminit, i cili bashkë me djalin e madh, Ago Agajn do të merrnin pjesë në Luftën e Vlorës të 1920 dhe do të mbështesnin dhe Kongresin e Lushnjës. Familje nacionalitësh, arsimdashësish, Agoja do të diplomohej në Austri për inxhineri agrare, do të bëhej prefekt në Mitrovicë në Kosovë dhe minister i bujqësisë dhe regjimi i ri komunist do ta dënonte me vdekje, por ai, bashkë me vëllain tjetër e kushërinj të tjerë mërguan në SHBA, dhe iu përkushtuan çështjeve atdhetare, Agoja shkruajti libra historie, botonte artikuj në “Dielli” deri sa mbylli sytë.
Maliq Agaj mbeti në Vlorë, të mbante nënën e të kujdesej për motrat, për nipër e mbesa dhe do të përndiqej gjithë jetën, nuk do t’i jepeshin kurrë ato që quheshin “triska fronti”, që veçonin nga të tjerët për keq, do të punonte ku të mundëte, punëtor krahu, në ndërtim, por do të ishte mjeshtër si saldator.
Shpresa me Maliqin ngritën një shtëpi plot dashuri në kohën e mjerimit të madh. Por kishin atë frymë besimi dhe force si një amanet të të parëve të tyre. Maliqi made gdhëndi vetë dhe një raft librash, i blinte të gjithë librat e reja, përkthime nga letersia botëore dhe kishte piktura në shtëpi të miqve të tij piktorë. Shokë të tij do ishin dhe shkrimtarët, patjetër ata të persekutuarit.
Shpresa e bukur, me buzëqeshjen të patretur, iu përvesh punëve të rënda në bujqësi, në ullishten e Vlorës, dimër, verë me çizme nëpër baltë, punonin kanaleve dhe mblidhnin ullinj për shtetin me duart e enjtura.
Rritën tre fëmijë, dy vajza si yje, të shkëlqyera në shkollë dhe në rrugë, të pastra në veshje dhe sjellje.
Shpresa mori dhe një makinë qepëse, është dhe sot në reliket e shtëpisë dhe qepte, këmisha e fustane, sajonte me copat mrekullira, atje vinin, thjeshtësia përzihej me elegancën, moda me të pranueshmen, të gjithë do të vinin për të qepur te ajo. Fëmijëve të tyre nuk u mungonte asgjë, falë duarve të arta të prindërve, dashurisë së tyre, të meritës që ditën të ishin nënë e devotshme dhe baba me dinjitet.
Kur doli nga burgu poeti Kudret Kokoshi, i diplomuar në Itali, Shpresa me Maliqin e ftonin në shtëpi, që t’u jepte fëmijëve mësime italishteje. Me gjithëse nuk do të lejoheshin të shkonin në shkolla të larta, me “biografi të keqe”, u vinë letra nga Amerika, pako nga xhallarët e arratisur.
Brengat, shqetësimet e tyre, padrejtësitë jashtë, sherret, kurrë nuk lejuan që t’i ndjenin dhe fëmijët e tyre, përkundrazi ata panë vetëm harmoni e mirëkuptim e dashuri, me shpresën se gjerat do të bëhen me mirë.
BASHKË PËRHERË
Dhe erdhi koha e ndryshimeve të mëdha, perandoria komuniste po binte, në Shqipëri nisën protestat e fillimit të viteve ’90. Shkodra kërkonte të shkulte bustin e Stalinit nga piedestali, ndërsa në Vlorë gratë e persekutuara u futën në grevë urie. Mes tyre ishte dhe Shpresa Agaj, qëndrestare, kurajoze dhe zonjë. Megjithëse shqiptarët në grevë urie kishin qenë gjithmonë…
Me fundin e diktaturës, Shpresa dhe Maliqi dolën ne pension, qenë rropatur gjithë jetën, por pensioni ishte i pakët. I martuan fëmijët, po ndjenin gëzimin e të bërit gjyshe e gjysh dhe i mësonin nipërit e mbesat të dhuronin e të buzëqeshnin, i ushqenin, luanin me ta.
Pas zhgënjimeve jo të pakta dhe vitit vrastar ‘97, edhe ata ikën, mërguan në SHBA, të ishin bashkë me fëmijët e tyre, krenarë madje, kishin tani dhe ç’të trashëgonin ata, por mbi të gjitha, bashkë me dashurinë, dinjitetin e jetës. U bënë nështesa amerikanë, por flamurin e Shqipërisë e mbajtën gjithmonë pranë atij të SHBA-së. Krijuan miqësi të reja, me shqiptarë nga të gjitha trevat, nga Maqedonia e Kosova e nga Çamëria, por shqetësimet për atdheun nuk i ndanë nga vetja kurrë. As librat shqip.
Po rinoheshin. Maliqi kishte vuajtur nga shëndeti, sidomos nga stomaku, edhe Shpresa nga tensioni dhe ëntja e këmbëve, I fryheshin, pasojat nga punërat e rënda në diktaturë, por këtu patën përkujdesin më të madh.
Dilnin në kopshtin veror në shtëpinë e bukur, ulur në poltrona mes blerimeve, pemëve dhe luleve të shumta, me kafenë që ua silltnin në tryezë, bisedonin me orë të tëra, lexonin të dy, shkonin në dhomën e tyre, hapnin televizorin, ndiqnin emisonet e Tiranës, flisnin në telefon, shikonin fb, diskutonin me miq, shkonin në Atdhe, por duke u moshuar, duke i pakësuar të gjitha. Vetëm dashurinë dhe merakun jo.
Sapo u kthyen nga vizita e fundit në atdhe. Të lodhur, por të mbushur. Shpresa me këmbët e nxira, por me zemrën e bardhë, qe çmallur me shtëpinë e saj në Durrës dhe Maliqi i gjallëruar nga takimet në Vlorën e tij.
Dhe pa u ankurar kurrë, kurrë, pa ia zbrazur ndokujt dhimbjet e veta, madje as fëmijëve, Shpresa mbylli sytë si për t’u shplodhur në mesditën e së dielës, shpirti i saj mori rrugët qiellore me Maliqin e saj te kryet, duke i shtrënguar dorën dhe fëmijët e pikëlluar.
Pafund po vërshojnë mesazhet nga kudo, nga Amerika e Atdheu, nga Kanadaja e nga Europa, nga arbëreshë, etj, dhe nuk është vetëm lehtësia e mrekullueshme e komunikimit elektronik sot, por dhe mrekullia e zemrave njerëzore, Shpresa duke ikur vetë, ngjalli bisedat e mira, njerëzit po kujtojnë vlera e virtyte, e mira, e urta, e dashura, zemërbardha, po thonë, e kujtojnë si teta Shpresa, kur vinin në shtëpinë e saj, edhe në kohën e krizave, ndante ushqimin me ne, ishim të dobëta dhe na ushqente bashkë me çupat e veta, e paharruara, zonjë e nderuar, shkruan një tjetër, heroinë, ngushëllime familjes, që i shërbeu si askush, qoftë e parajsës, do ta kujtojmë fisnikërinë e saj, urtësinë e mirësinë, thekson prapë një tjetër, Shpresa e mirë, njerëz të tillë rrezatojnë dhe pas ikjes, etj, etj.
Po bashkëshorti, Maliqi i saj, mbas 60 vjetesh me të, duket sikur dridhet nga e ftohta e vetmisë. Donte ai të ikte i pari, po punët e Zotit, nuk i di askush. Po Shpresa ka lënë aq ngrohtësi dhe aq vetvete dhe aq siguri për shokun e jetës, babain e fëmijëve të saj. Ata, duke qenë vetë familjarë, e dinë dhe e ndjejnë babain, dashurinë e patjetërsueshme, të patundëshme të tij, se pasuria e vërtetë është familja e mirë, dashuria e saj dhe ky është amaneti i vërtetë i që na vjen nga nënat..
Lutjet për shpirtin e Shpresës vazhdojnë.
POROSIA
Dhe ky është shkaku i këtij shkrimi, përshpirtje për të thjeshtën dhe virtytin, për një grua me ato veti që duhet t’i kenë të gjitha së brendshmi, se është tjetër gjë të shquarit dhe lavdia, kryeministre, presidente, yll kinemaje a mode, deputete, super e pasur, drejtoreshë a çdo profesion, etj, etj, sot kujtuam Shpresën, e zakonshme si jeta e saj, që nuk e mposhtën përndjekjet dhe vuajtjet, por dhe begatia e mëvonshme, as lumturia, jo nuk e tjetërsuan, qendroi me fuqinë instiktive dhe të madhërishme të gruas, bashkëshorte dhe nënë.
Nuk kam njohur njeri me aq edukatë, shkruante një tjetër më së fundmi. Dhe ajo edukatën nuk e kishte të mësuar, por karakter. Pa thënë asgjë, as emrin e saj, madje duke ikur përgjithmonë, u kujtoi të gjithëve të gjitha këto, që nuk përbëjnë lajm, për të cilat s’ka kamera e intervista, gazetat nuk do të shkruajnë, por përtej këtyre, urtësisht dhe pa zhurmë Shpresa dha shpresë për mirësi dhe nder dhe virtyte (…nuk na duhet një demokraci pa virtyte, na mësonte Papa Vojtila…), për të vërtetën e të jetuarit vetëm me to. Prandaj dhe mbetet zonjë e nderuar dhe grua e bukur.