Kritika e Edi Ramës për lirimin e tre gjeneralëve të ushtrisë shqiptare është një nga ato shembujt se si ndryshon politika në Shqipëri nga politika amerikane.
Ka disa pika të rëndësishme të politikës së jashtme, sigurisë kombëtare si dhe rendit e shëndetit publik, në të cilat të dy partitë kryesore shqiptare dhe jo vetëm ato, nuk duhet të jenë në konflikt me njëra-tjetrën.
Edhe në SHBA, kjo nuk bëhet thjesht nga devotshmëria ndaj të drejtës dhe parimeve po thjesht për arsye praktike. Herët a vonë, njëra parti ia lë tjetrës pushtetin në Shtëpinë e Bardhë dhe veprimet politike të secilës palë kthehen në precedentë.
Opozita ka të drejtë të kërkojë shpjegime dhe informacion për disa nga vendimet e qeverisë, të cilat kanë të bëjnë me temat e lartpërmendura. Sidomos kur pasojat e atyre vendimeve janë afatgjatë. Vetë qeveria mund të marrë nismën për të konsultuar me opozitën disa hapa apo nisma që shkojnë përtej politikës së përditshme.
Nga ana tjetër, opozita duhet të respektojë vendimet e ketij niveli nga qeveria dhe nuk duhet t’i vërë në dyshim. Në vend të përfitimeve politike dritëshkurtra, secila palë duhet të shohë se si do të ndodhte në situata të ngjashme sikur të kishte ndodhur rotacioni në pushtet.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në misionet ndërkombëtare të paqes në vende të rrezikshme të globit, fazat e hyrjes në Bashkimin Europian, diplomacia në favor të Kosovës, masat për parandalimin apo të përballjes së fatkeqësive të mëdha natyrore etj, janë vetëm disa nga temat për të cilat PD, PD dhe partitë e tjera duhet të kenë bashkëpunim të përhershëm.
Përplasje do të ketë, se është e pashmangshme, por minimumi që mund të bëhet është që këto tema të rrihen në situata private, së pari me këshilltarë e ndërmjetës e pastaj në nivele të ndryshme politikanësh.
Marrja e borxheve të mëdha, privatizimi i ndërmarrjeve më të mëdha shtetërore, hyrja në një koalicion ushtarak afatgjatë në vende të ndryshme të globit, hyrja në BE etj janë veprime të cilat jo vetëm që nuk mjafton të këshillohen e vendosen nga një parti, po pasojat e tyre do të ndjehen edhe nga breza të ardhshëm, nganjëherë dekada më vonë pasi vendimet janë marrë.
Pavarësisht se si është çështje konkrete e tre gjeneralëve të liruar, qeveria ndoshta duhej të kishte sqaruar deputetët e opozitës në komisionin parlamentar përkatës apo njeriun në PS që është më i angazhuar me temën e mbrojtjes etj lidhur me problemet që sollën këtë vendim.
Po ashtu, opozita do të ishte më mirë të kishte pasur parasysh se kur të vijë në pushtet mund të gjendet vetë përpara situatave të ngjashme dhe do të kishte preferuar që të mos shihte reagime të tilla politike që mund të ndikojnë në mentalitetin dhe disiplinën e ushtrisë shqiptare.
Sigurisht, një nivel i tillë komunikimi mes partive kryesore në vendet më të lira e demokratike të botës nuk ka ardhur lehtë dhe në një vend ku nuk bien dakord as për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, një ambicje e tillë mbase është e tepruar.
Në fund të fundit, edhe në SHBA, jo rrallë ka raste që shkelen parimet e këtij niveli, ndonëse udhëheqësit kryesorë në të dy krahët përpiqen të ruajnë seriozitetin dhe rrugët e bashkëpunimit.
Po ajo që e bën këtë aspekt më të realizueshëm është interesi i përbashkët. Kur pas luftës në Kosovë, Republikanët në SHBA, të pakënaqur me presidentin Clinton, propozuan një projekt-ligj, që do të kufizonte të drejtën e presidentit për të filluar luftën pa aprovimin e Kongresit. Po nisma dështoi. Një nga kundërshtarët kryesorë ishte George W Bush, presidenti i ardhshëm.
Të gjithë kandidatët republikanë, përfshi edhe Bushin e Ri që synonin Shtëpinë e Bardhë, nuk panë te kjo nismë një ndëshkim për presidentin Clinton që e futi Amerikën në luftë në një vend për të cilim nuk kishte interes si Kosova, por panë një kufizim të ardhshëm për ditët kur një prej tyre të bëhej president në Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin ta kishin Demokratët.
Ky shembull është i diskutueshëm por ajo që ka rëndësi në të është rruga e të menduarit, që shpesh shmang konfliktin dhe sjell përfitime për të gjitha palët përfshi edhe qytetarët e vendit.
Prandaj sa herë që vihet re një vendim nga qeveria që mund të denoncohet e kritikohet, opozita duhet të vrasë mendjen se si do të ndodhte apo më saktë do të ndodhë kur ajo të jetë në pushtet. Guri me të cilën godet sot, nesër mund t’i bjerë kokës. Nga ana tjetër partia në qeveri, nuk duhet të druhet të këshillohet me opozitën për vendime të cilat nëse dështojnë rrezikojnë që të njollosin figurën e saj e të mallkohen nga breza të ardhshëm.
Që tani ka plot kritikë që dyshojnë se dy partitë kryesore dhe disa të tjera më të vogla janë në fakt në një marrëveshje të nëndheshme që i bën të ruajnë paratë dhe privilegjet gjatë tranzicionit.
Me që ky nam u ka dalë, qoftë edhe pa pasqyruar realitetin, të paktën ta bëjnë vërtet, e të merren vesh për ato punë që na prekin të gjithëve në mënyrë të pashmangshme që do t’i vuajnë apo gëzojnë brezat. Le ta bëjnë jo për, po për veten e tyre, se një ditë do t’ia kuptojnë vlerën.