Kohët e fundit ka dalë nga shtypi libri Hyrje në gjuhësi i prof. Anastas Dodit, botuar nga shtëpia botuese “Naimi”, Tiranë 2019 (303 faqe).
Prof. Anastas Dodi është një emër i mirënjohur në gjuhësinë shqiptare. Ai e ka filluar veprimtarinë e tij pedagogjike dhe kërkimore shkencore që me mbarimin e studimeve të larta në vitin 1955. Ka një veprimtari të gjatë pedagogjike si pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, por dhe si një nga drejtuesit e këtij fakulteti, ku ka qenë për mbi një dekadë zëvendësdekan. Gjatë gjithë viteve që punoi si pedagog ka zhvilluar kurset e plota të fonetikës së gjuhës shqipe, të hyrjes në gjuhësi, të hyrjes në historinë e gjuhës shqipe e të fonetikës historike së gjuhës shqipe. Ligjëratat e tij për këto lëndë të rëndësishme shquheshin për nivelin shkencor dhe aftësitë e autorit për t’ua transmetuar njohuritë studentëve. Për shumë kohë (nga viti 1978-1994) ka punuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë si Sekretar shkencor i Seksionit të Shkencave shoqërore, ku ka dhënë një ndihmesë të çmuar për ndjekjen dhe mbarëvajtjen e veprimtarive studimore dhe për organizimin e problemeve të atij seksioni dhe të Akademisë në përgjithësi.
Prof. Anastas Dodi ka një veprimtari studimore e pedagogjike të pasur e të vyer në disa fusha të gjuhësisë shqiptare dhe të mësimdhënies universitare. Atë e kanë interesuar sidomos problemet e fonetikës e të fonologjisë, të gramatikës së shqipes, të gjuhës standarde dhe të kulturës së gjuhës, të historisë së albanologjisë e të gjuhësisë së përgjithshme etj. Për të gjitha këto fusha autori ka botuar në shtypin shkencor një varg studimesh e artikujsh që janë vlerësuar si kontribute të rëndësishme për gjuhësinë shqiptare. Veçanërisht i rëndësishëm ka qenë kontributi i tij në fushën e fonetikës ku, pasi kishte marrë specializime të veçanta në institute të specializuara, fillimisht në Sankt Petërburg dhe më pas në Paris dhe në Bonn, ka qenë titullar i kësaj lënde për shumë vite në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ka hartuar tekstin universitar të kësaj lënde dhe ka shkruar e botuar studime e artikuj për sistemin fonetik e fonologjik të shqipes. Me punën e tij, të vlerësuar lart nga kritika shkencore, Anastas Dodi jo vetëm hodhi për herë të parë bazat shkencore të fonetikës dhe fonologjisë së shqipes, por i zhvilloi ato me dijet më të fundit bashkëkohore deri në ditët tona.
Fusha kryesore e veprimtarisë së tij kërkimore shkencore mbetet fusha e fonetikës dhe e fonologjisë së shqipes. Kësaj fushe ai i ka kushtuar jetën e tij dhe arriti t’i lërë gjuhësisë shqiptare një vepër dinjitoze, si Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe (Tiranë 2004), e dobishme jo vetëm si tekst universitar, por edhe si vepër studimore që u ka shërbyer dhe do t’u shërbejë studiuesve të gjuhës shqipe për studime të mëtejshme. Në këtë vepër problemet e fonetikës dhe të fonologjisë së shqipes janë trajtuar në nivelin shkencor bashkëkohor, duke u mbështetur në arritjet teorike më të mira të gjuhësisë shqiptare dhe europiane e më gjerë.
Prof. A. Dodi ka ligjëruar për shumë vite në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë lëndën Hyrje në gjuhësi dhe ka qenë bashkautor në hartimin e tekstit përkatës së bashku me M. Reson, F. Agalliun dhe E. Lafen, botuar disa herë në vitet 1970, 1973, 1975, 1977, 1981. Ai kishte hartuar për këtë tekst kreun e Fonetikës, por ka pasur merakun dhe dëshirën e tij prej studiuesi pasionant që të hartonte dhe të linte një botim të plotë të vetin në këtë fushë, të përditësuar me arritjet e reja të gjuhësisë teorike ku të përfshiheshin edhe të dhënat më të fundit studimore për gjuhën shqipe. Këtë synim e plotësoi duke hartuar këtë vepër që po paraqesim në mënyrë të përmbledhur në këtë shkrim.
Vitet e fundit të jetës së tij prof. Anastasi jetoi në SHBA pa u shkëputur nga veprimtaria studimore. Atje ai ka pasur mundësi për kontakte me studiues të njohur dhe për të konsultuar literaturë shkencore të re në fushën e gjuhësisë së përgjithshme gjë që i krijoi mundësi të reja për të njohur më nga afër zhvillimet në gjuhësinë botërore. Kjo i nxiti dëshirën për të hartuar një vepër të re në fushë të gjuhësisë që të përfshinte në mënyrë sa më të plotë konceptet më të reja gjuhësore teorike dhe të shërbente jo vetëm si tekst universitar për studentë të fakulteteve filologjike, por edhe si vepër studimore për studiuesit specialistë të fushës së gjuhësisë, që dëshirojnë të merren me studime të mirëfillta shkencore në këtë fushë. Siç thotë dhe vetë autori në parathënien e veprës së tij, “pas viteve 1990, me ndryshimin e sistemit politik dhe shoqëror, sidomos që prej botimeve të para të ”Hyrjes në gjuhësi”, ka vijuar kontakti i hapur me gjuhësinë dhe kulturën e vendeve të tjera më të zhvilluara evropiane. Njëkohësisht kanë ecur përpara disa studime tonat për probleme të përgjithshme gjuhësore, si dhe për probleme të gjuhës shqipe. Kjo u ka dhënë mundësi studiuesve shqiptarë të gjuhësisë për të bërë përgjithësime e përditësime cilësore edhe për sa u përket problemeve që trajtohen në një tekst universitar të “Hyrjes në gjuhësi”.
Anastas Dodi punoi me përkushtim në fushën e studimeve gjuhësore derisa u nda nga jeta në Filadelfia të Amerikës në 8 maj 2008. Dëshmi e kësaj pune është edhe vepra e fundit e tij, Hyrje në gjuhësi, Tiranë, 2019, të cilën ai e kishte lënë në dorëshkrim, por për fat të mirë, për botimin e saj u kujdes familja e tij: djali i tij, Auron Dodi, i cili ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës me rezultate të larta, ka qenë edhe për pak kohë pedagog i lëndës Hyrje në gjuhësi në atë Fakultet, si dhe bashkëshortja e prof. Anastasit, Ksanthipi Dodi e vajza e tij, Edlira Dodi-Xheka.
Në një letër që na dërgonte në janar të vitit 2008 z. Llazar Vero, Kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, na bënte me dije se “prof. Anastasi gjatë viteve të mërgimit…ka punuar me një përkushtim të veçantë për përfundimin e dy librave shkencorë të rëndësishëm, siç janë “Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe” dhe “Hyrje në gjuhësi”. Fatmirësisht libri “Fonetika dhe fonologjia e shqipes” u botua sa qe gjallë autori më 2004 nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave, ndërsa “Hyrja në gjuhësi” botohet me përkujdesjen e familjes së tij duke përmbushur kështu një amanet dhe dëshirë të tij dhe duke i shtuar gjuhësisë shqiptare një vepër shkencore me vlerë dhe një tekst universitar të përditësuar me dije bashkëkohore.
Vepra “Hyrje në gjuhësi” e prof. A. Dodit është një tekst që përmban kursin e kësaj lënde formuese e informuese që zhvillohet në vitin e parë të studimeve universitare në fakultetet filologjike të universiteteve që përgatisin mësues për gjuhën e letërsinë dhe studiues të shqipes që synojnë të thellojnë njohuritë e tyre në fushën e gjuhësisë. Vepra mban titullin tradicional Hyrje në gjuhësi, por në të vërtetë nga përmbajtja e gjerë e saj dhe nga mënyra dhe gjerësia e trajtimit të çështjeve që shtjellohen në të, është jo një tekst mësimor i thjeshtë, por një vepër studimore për probleme të shumta të teorisë dhe praktikës gjuhësore. Në këtë botim nuk trajtohen vetëm nocionet themelore të shkencës së gjuhësisë, siç ka qenë tradita e kësaj lënde gjatë mësimdhënies në Fakultet, por nocionet themelore më të përgjithshme që përmban hyrja në gjuhësi zgjerohen e gërshetohen me probleme të historisë së gjuhësisë, të historisë së lindjes dhe të zhvillimit të drejtimeve të gjuhësisë moderne gjatë shekujve XIX-XX, të gjuhësisë historike krahasuese, të shkollës së gramatikanëve të rinj, të shkollës biologjike, të gjuhësisë strukturaliste, funksionale, të glosematikës daneze dhe të gjenerativizmit amerikan etj., duke vënë në dukje arritjet e tyre dhe duke mbajtur qëndrim kritik ndaj çështjeve që nuk i kanë qëndruar kohës.
Pas një parathënieje të shkurtër, libri nis me një krye të veçantë me titull domethënës: Gjuhësia, gjuhësia e përgjithshme dhe hyrja në gjuhësi në të cilin janë trajtuar në mënyrë të përmbledhur objekti i shkencës gjuhësore, lidhjet e saj me shkencat e tjera, funksioni shoqëror i saj dhe struktura e brendshme, gjuha si një sistem origjinal shenjash, arbitrariteti i shenjës gjuhësore, gjuha dhe ligjërimi, stilistika dhe stilet funksionale të gjuhës dhe dallimet stilistike në gjuhën standarde.
Një krye i veçantë i kushtohet gjuhës dhe shoqërisë ku janë trajtuar një sërë problemesh teorike të një karakteri të përgjithshëm si: problemi i ndërlikuar i prejardhjes së gjuhës, gjuha dhe shoqëria njerëzore, gjuha, populli dhe raca, gjuha dhe rendi shoqëror, gjuhët në epokën e formimit të kombit, gjuhët kombëtare dhe gjuhët standarde, tiparet kryesore të gjuhës standarde, drejtimet e reja në gjuhësi, nocioni i normës në gjuhësi, nocioni i informacionit etj. Më tej autori trajton përmbajtjen dhe historinë e dialektologjisë dhe të gjeografisë gjuhësore, duke u ndalur veçanërisht në ndarjet dhe tiparet dialektore të shqipes dhe në paraqitjen dhe vlerësimin e Atlasit dialektologjik të gjuhës shqipe të hartuar nga dialektologët shqiptarë etj. Shumë nga këto aspekte të gjuhësisë u interesojnë një rrethi të gjerë lexuesish, jo vetëm studentëve që përgatiten si mësues e si studiues të gjuhësisë, por dhe specialistëve dhe intelektualëve të fushave të tjera që dëshirojnë të zgjerojnë njohuritë e tyre për këto probleme.
Në pajtim me traditën e lëndës së Hyrjes në gjuhësi një vend të gjerë u ka kushtuar autori krerëve që trajtojnë përmbajtjen dhe konceptet themelore të degëve kryesore të gjuhësisë, si leksikologjia, fonetika, gramatika, drejtshkrimi e shkrimi, ku sqarohen konceptet themelore për çdo disiplinë.
Gjatë trajtimit në kreun Leksikologjia, autori jep përkufizimin e kësaj disipline si një degë e veçantë e gjuhësisë që studion fjalorin e një gjuhe, njësitë e kuptimshme të saj, fjalët dhe togjet e qëndrueshme të fjalëve, kuptimet dhe zhvillimet kuptimore të tyre. Më tej jepen nocionet themelore për fjalën si njësi e gjuhës, për përbërësit kuptimorë të saj, për poliseminë, për homonimet dhe homografet, për sinonimet e antonimet, për përdorimet e figurshme të fjalëve, metafora, metonimia, sinekdoka, përdorimet terminologjike, frazeologjizmat, për fjalorët e tipave të ndryshëm, tabutë dhe eufemizmat etj. Me interes është edhe trajtimi i etimologjisë si shkenca mbi origjinën dhe historinë e fjalëve. Këtu autori është ndalur në historinë e studimeve të shqipes, veçanërisht në paraqitjen dhe vlerësimin e Studimeve etimologjike në fushë të shqipes të prof. Eqrem Çabejt, në parimet e ndërtimit të tyre dhe në arritjet, të botuara në shtatë vëllime të gjera nga Akademia e Shkenca të Shqipërisë.
Një vend të veçantë zë kreu i Fonetikës ku jepen njohuri shkencore për tingullin e fonemën, për njësitë lineare (vijore) ku bëjnë pjesë tingujt që vijnë njeri pas tjetrit në përbërjen e fjalës dhe njësitë jolineare ose mbisegmentore ku bëjnë pjesë theksi dhe intonacioni, të cilët nuk mund të shqiptohen në mënyrë të shkëputur nga elementet segmentore. Mjaft gjerë shtjellohen edhe aspektet e studimit të tingujve (akustik, fiziologjik e funksional), kundërvëniet fonologjike, tiparet dalluese dhe tiparet redondante, sistemi i fonemave, ndërrimet e fonemave, theksi dhe llojet e tij, intonacioni dhe melodia, si melodia e frazës në fjali tipesh të ndryshme, për kurbat melodike të fjalive dëftore, pyetëse, nxitëse e thirrmore etj., për theksin e ngulmimit, theksin logjik dhe emocional, për fonetikën e zbatuar etj. Në këtë krye janë shpjeguar edhe transkriptimi e transliterimi si mënyra të posaçme që përdoren në studimet filologjike. Natyrisht që ky krye është shtjelluar mjaft gjerë, sepse fonetika si thamë më sipër, është fusha e studimit që autori e kishte për zemër e në të cilën janë derdhur ndihmesat kryesore të tij.
Në kreun e Gramatikës shpjegohen kategoritë gramatikore të sistemit emëror dhe foljor dhe mjetet e shprehjes së tyre: kategoria e numrit, e gjinisë dhe e rasës; në sistemin foljor kategoria e aspektit, të cilin shqipja nuk e ka, kategoria e mënyrës, e kohës dhe e vetës, kategoria e diatezës, flitet edhe për pjesët e ligjëratës, si një nga kategoritë më të përgjithshme të gjuhës me një histori të veçantë. Bëhet fjalë edhe për abstraksionin gramatikor dhe leksikor, për morfemat dhe alomorfet, për përbërjen morfologjike të fjalës, për rendin e fjalëve si mjet gramatikor, për njësitë sintaksore të gjuhës, për marrëdhëniet ndërmjet gjymtyrëve të fjalisë, për tipat e fjalive etj. Siç vë në dukje autori, në këtë vepër janë diskutuar mjaft probleme aktuale të gjuhësisë, si probleme të informimit faktik (a sendor), i cili ka të bëjë me përmbajtjen faktike të fjalive, të shkëputur nga rrethanat konkrete të ligjërimit, d. m. th. nga konteksti ku përdoret si dhe nga synimi i folësit dhe probleme të informimit aktual të fjalisë, i cili përbën këndvështrimin me të cilin jepet informimi faktik, duke u mbështetur në synimin e folësit në situatën konkrete. Kështu me interes për studiuesit janë dhe trajtimi informacionit aktual të fjalisë, që njihen në gjuhësi me termat tema dhe rema, e njohura dhe e panjohura, trajtimi i metodave statistikore dhe matematikore në gjuhësi, roli i kompjuterit në studimin e gjuhës si dhe teoria e informimit e mjaft dukuri të tjera gjuhësore.
Paraqitja e këtyre koncepteve themelore të gjuhësisë në fusha të ndryshme në masën e duhur i përgatit studentët për lëndët gjuhësore më të specializuara që zhvillohen në vitet më të larta ku ata do të marrin njohuri më të plota.
Prof. Anastasi e ka zgjeruar tekstin dhe me krerët për shkrimin, për klasifikimin e gjuhëve dhe për drejtimet në gjuhësi. Në kreun për Shkrimin autori merret me origjinën dhe me kushtet historike te evoluimit të tij gjatë shekujve, me klasifikimin tradicional të shkrimit dhe tipet e tij: piktogramat, ideogramat dhe fonogramat, me parimet e përgjithshme të sistemit grafik, për të ardhur te shkrimi silabik dhe shkrimi alfabetik. Autori është ndalur në një nënkrye të veçantë për alfabetin e gjuhës shqipe dhe historikun e shkurtër të vendosjes së tij, për sistemin drejtshkrimor të shqipes, si dhe për problemet që paraqet drejtshkrimi i fjalëve bashkë dhe ndaras të një gjuhe, një çështje aktuale për drejtshkrimin e gjuhës së sotme standarde, për dendurinë e përdorimit të shkronjave të gjuhës shqipe, ku jepet dhe një tabelë në të cilën rreshtohen sipas dendurisë së përdorimit fonemat e shqipes, e ku bie në sy denduria më e madhe e përdorimit të fonemave të tilla si ë, e, t, i, a, r, n, o etj.
Me interes është edhe kreu Klasifikimi i gjuhëve ku, pasi jepen disa informacione të përgjithshme për numrin e gjuhëve që fliten në botë, për kohën dhe historinë e dokumentimit të tyre, autori ndalet në kriteret e klasifikimit të tyre, duke dalluar grupimin e gjuhëve sipas prejardhjes së përbashkët të tyre e të afrisë së tyre farefisnore, të cilat përfshihen në klasifikimin gjenealogjik dhe grupimin sipas ngjashmërisë strukturore tipologjike, pavarësisht nga prejardhja e tyre, grupim që përfshihet në klasifikimin tipologjik. Autori paraqet shkurt dhe historinë e përpjekjeve që janë bërë nga dijetarë të ndryshëm gjatë shekujve për klasifikimin e gjuhëve. Në këtë krye autori e ka parë të arsyeshme të përfshijë edhe metodën historike krahasuese në gjuhësi, kontributin e themeluesve të këtij drejtimi gjuhësor si Franz Bop, Rasmus Rask etj, dhe kontributin e gjuhëtarëve të këtij drejtimi gjuhësor që përfshin edhe studimin e gjuhës shqipe me metodën historike krahasuese në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe që përcaktuan vendin e saj në familjen gjuhësore indoeuropiane dhe tiparet e përbashkëta tipologjike të gjuhëve të Ballkanit.
Kreu VIII dhe i fundit i këtij botimi titullohet Drejtimet në gjuhësi, një krye i gjerë dhe me rëndësi të veçantë për historinë e gjuhësisë dhe për gjuhësinë e përgjithshme ku trajton drejtimet e ndryshme dhe shkollat gjuhësore që kanë lindur dhe janë zhvilluar që nga fillimi i shekullit XIX deri në ditët tona në Europë dhe në Amerikë. Autori brenda caqeve që lejon një tekst universitar, është përpjekur të shpjegojë rrethanat historike e kulturore në të cilat kanë lindur dhe janë zhvilluar këto shkolla, konceptet dhe arritjet themelore teorike dhe praktike të tyre, personalitetet më të rëndësishme që janë themelues dhe kontribuuesit më të shquar të këtyre drejtimeve dhe zhvillimet që kanë sjellë në gjuhësinë botërore. Trajtimin e problematikës që ngërthen ky krye autori e nis me gjuhësinë historike krahasuese që përbën drejtimin kryesor të gjuhësisë së shekullit XIX që pati themelues e përfaqësues të shquar si Franz Bop, Rasmusk Rask e më vonë Antuan Meillet etj. Është pa dyshim drejtimi gjuhësor që ka lënë më shumë gjurmë në studimet gjuhësore për shqipen sidomos në studimet për historinë e saj. Këtu autori ka përfshirë edhe shkollën natyraliste në gjuhësi me përfaqësues kryesor August Scheicher-in, që njihet sidomos në fushën e klasifikimit të gjuhëve me teorinë e tij të Drurit gjenealogjik, si edhe shkollën gjuhësore të gramatikanëve të rinj, një nga shollat gjuhësore më të rëndësishme të gjysmës së dytë të shekullit XIX që solli arritje të shënueshme në gjuhësinë historike krahasuese.
Në këtë krye autori u jep mjaft vend edhe drejtimeve më të reja gjuhësore të shekullit XX, duke filluar me shkollën gjuhësore të Gjenevës, me përfaqësuesin e saj kryesor, Ferdinand De Sosyrin dhe duke vijuar më tej me shkollën gjuhësore të Pragës duke përmendur përfaqësuesit e kontribuuesit kryesorë si Nikolai Trubetskoi, Andre Martinet, Roman Jakobson, etj., me shkollën daneze dhe përfaqësuesit kryesorë të saj, Luis Hjelmslev e Oto Jespersen, i njohur sidomos me veprën Filozofia e gramatikës (1924) etj. Nuk lë pa përmendur edhe Idealizmin estetik të Benedeto Kroçes e shkollën gjuhësore të Londrës. Mjaft vend i ka kushtuar autori strukuralizmit amerikan, rrethanave të veçanta në të cilat lindi dhe kontributit themelor të dy gjuhëtarëve të shquar, L. Blumfildit dhe E. Sepirit.
Noam Çomski trajtohet në veçanti si një nga personalitetet më të njohura të gjuhësisë gjenerativiste me ndikim të gjerë në shkencën gjuhësore që hodhi teza të guximshme për të hapur rrugë të reja në studimin teorik shkencor të gjuhës. Ai i kushtoi vëmendje të veçantë gramatikës gjenerative në veprën Strukturat sintaksore, botuar në SHBA, në vitin 1957, e cila nga shumë studiues konsiderohet si vepra themelore e tij. Ai ka hedhur disa ide të guximshme lidhur me universalet në gjuhë dhe gramatikën gjenerative, të cilat kanë ngjallur diskutime në rrethe të ndryshme gjuhësore.
Në një paragraf të veçantë autori ka trajtuar edhe shkaqet e ndryshimeve gjuhësore përmes nocioneve dhe veprimit të substratit, superstratit dhe adstratit. Këtu autori ka gjetur rastin të përmendë edhe problematikën e gjuhëve të vjetra të Ballkanit, hipotezën e ekzistencës së gjuhëve paraindoeuropiane, mbishkrimet mikene dhe minoene, hipotezën e prejardhjes pellazgjike të shqiptarëve, tezën ilire dhe trake etj.
Për nga informacioni i gjerë që jep, libri i prof. A. Dodit Hyrje në gjuhësi, paraqitet si një enciklopedi gjuhësore ku janë dhënë e përshkruar në mënyrë të përmbledhur shkencore e të qartë konceptet themelore të disiplinave e të rrymave të ndryshme gjuhësore, të analizuara në pjesën më të madhe në lidhje me të dhënat e shqipes.
Botimi i këtij libri që mban firmën e prof. Anastasit, studiuesit të autoritetshëm e të mirënjohur të gjuhësisë, i bën nder emrit të tij dhe pasuron bibliotekën universitare me një botim serioz e dinjitoz me vlera të veçanta për përgatitjen e mësuesve dhe studiuesve të ardhshëm të gjuhësisë.
Prof. Enver Hysa
Prof. Seit Mansaku
Tiranë, korrik 2022