Prishtinë, 15 gusht 2022 – Të hënën në Prishtinë u bë hapja solemne e Seminarit XL Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Në hapje të këtij institucioni me rëndësi të veçantë, sidomos për përhapjen dhe afirmimin gjuhës shqipe dhe të dijeve të albanologjisë në botë, morën pjesë autoritete të rëndësishme nga fusha e albanologjisë e të fushave të tjera të shkencës, kulturës e artit, si edhe drejtues e përfaqësues të institucioneve shkencore, arsimore e kulturore të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Kryeministri Albin Kurti, i cili nuk ishte i pranishëm fizikisht për shkak të agjendës shtetërore, iu drejtua pjesëmarrësve të seminarit përmes një fjalimi që e lexoi ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Kurti, pasi e vlerësoi seminarin si ngjarjen më të rëndësishme vjetore në fushë të albanologjisë, foli për gjuhën dhe kombin.
“Gjuha është forma e kombit që e marrim kudo me vete”, theksoi Kurti.
Ai theksoi se përgjegjësia për gjuhën shqipe nuk bie vetëm mbi albanologët, por mbi të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.
“Ndjenjën e lartë të përgjegjësisë duhet ta kemi të gjithë dhe jo vetëm hartuesit e gjuhës shqipe dhe profesionistët, shkencëtarët e gjuhës. Duhet ta bëjmë pra atë të zotërueshme nga të gjithë bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë”, theksoi Kurti.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, dashamir dhe njohës shumë i mirë i shqipes, tha se gjuha shqipe është e veçantë dhe unike.
“Kam mësuar frengjisht dhe arabisht përpara, por mund të them me siguri që gjuha shqipe është e veçantë, një ndër gjuhët e rralla indoevropiane. Gjatë kohës kur kam kaluar duke mësuar gjuhën shqipe, në Londër dhe Gjakovë, një ndër pjesët më të vështira ka qenë që rregullat e shkruara gramatikore duhet të shqiptohen. Kjo edhe e bën gjuhën shqipe unike në mesin e gjuhëve botërore”, tha Abott.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, vlerësoi rëndësinë historike të Seminarit dhe i përgëzoi drejtuesit për organizimin e kësaj ngjarjeje të cilën e quajti “ngjarje të rëndësishme kombëtare’.
Zëvendës-rektori i Universitetit të Tiranës, Bernard Dosti, tha gjithashtu se Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka një rëndësi të veçantë, edhe sepse i bashkon arbreshët, arvanitët dhe shqiptarët me albanologë nga gjithë bota.
Dekania e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, Lindita Rugova, e veçoi misionin e seminarit.
“Ky seminar është i madh jo vetëm nga numri i studentëve që marrin pjesë, por edhe nga rëndësia dhe tematikat që do të shtjellohen. Misioni i seminarit është afirmimi i shqipes kudo në botë”, theksoi ajo.
Bashkëdrejtorja e Seminarit, Dhurata Shehri, ndër të tjera, theksoi se këtë seminar “e mbajti gjallë sidomos këmbëngulja për të njohur veten dhe për t’ua zbuluar atë të tjerëve”.
Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, njoftoi se në seminar marrin pjesë mbi 100 të huaj që duan të mësojnë e ta studiojnë shqipen, si edhe albanologë të vendit e të huaj që do të marrin pjesë në sesionet shkencore të seminarit.
(r.m.)