Akademia që e ndan Oskarin i kërkon falje aktores Sacheen Littlefeather, pas 50 vjetësh

Los Angeles, 16 gusht 2022 – Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, e cila ndan çmimet “Oskar”, i ka kërkuar falje zyrtarisht aktores Sacheen Littlefeather, për shkak se 50 vjet më parë ishte diskriminuar në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Në vitin 1973, Marlon Brando i kishte kërkuar aktores me origjinë nga fisi indian Apache që në emër të tij ta merrte pjesë në ndarjen e çmimit Oskar.

Brandonit i ishte dhënë çmimi Oskar për aktorin më të mirë, për rolin e bosit të mafies italiane Don Vito Corleone, në filmin “The Godfather”. Por, ai e kishte refuzuar çmimin, në shenjë proteste ndaj shtypjes së indianëve të Amerikës në industrinë e filmit.

“Brandon, për fat të keq, nuk mund ta pranojë këtë çmim shumë bujar”, kishte deklaruar në skenë aktorja Littlefeather, duket folur në emër të aktorit, gjë që ishte përcjellë me protesta dhe fishkëllima nga shumë prej të pranishmëve.

Edhe në prapaskenë kishte pasur pakënaqësi për këtë deklaratë. Thuhet se ylli i filmave uestern, John Ëayne, ishte zemëruar shumë nga deklarata e aktores. Disa dëshmitarë kanë treguar se e kishin ndaluar aktorin që të mos e sulmonte edhe fizikisht Sacheen Littlefeather.

Këtë e ka pranuar edhe vetë aktorja, e cila për shumë vite pas ngjarjes është shpërfillur e diskriminuar. Prej asaj ngjarjejje ajo nuk ka pasur më pothuaj asnjë ofertë për ndonjë rol në film.

This image has an empty alt attribute; its file name is Sacheen-Littlefeather-2.jpg

“Fyerjet që ajo duhet t’i duronte për shkak të kësaj deklarate ishin të papranueshme dhe të pajustifikueshme”, thuhet në letrën e Akademisë, të shkruar në qershor, e cila u publikua këtë të hënë, më 15 gusht.

“Shqetësimi emocional me të cilin jeni përballur dhe ndikimi që ka pasur kjo në karrierën tuaj është i papranueshëm”, thuhet më tutje në letrën e nënshkruar nga presidenti i Akademisë, David Rubin.

“Guximi i aktores Littlefeather nuk është vlerëuar për shumë kohë. Ne sinqerisht kërkojmë falje për këtë dhe në të njëjtën kohë shprehim admirimin tonë të thellë”, thuhet në letër.

Njëkohësisht me publikimin e letrës, Akademia i ka dërguar aktores Sacheen Littlefeather ftesë që të flasë në një ngjarje në Muzeun e ri të Oskarit, në Los Angeles, më 17 shtator. Në këtë ekspozitë flitet edhe për kapituj të vështirë në historinë e Holivudit, si racizmi apo diskriminimi. Në këtë ekspozitë do të flitet edhe për diskriminimin e aktores Littlefeather pas deklaratës së saj në ndarjen e çmimit Oskar, në vitin 1973.

Vetë aktorja iu përgjigj kërkimfaljes me humor, duke e quajtur atë të vonuar.

“Sa i përket kërkimit të faljes nga Akademia, ne indigjenët jemi njerëz shumë të duruar. Nga ajo kohë kanë kaluar vetëm 50 vjet!”, tha aktorja.

This image has an empty alt attribute; its file name is Sacheen-Littlefeather-1.png

Ajo e cilësoi si “ëndërr të realizuar” ekspozitën e ardhshme në Los Angeles.

“Është thellësisht inkurajuese të shohësh se sa shumë kanë ndryshuar gjërat që nga koha kur nuk e pranova çmimin e Akademisë, 50 vjet më parë. Jam shumë krenare për çdo person që do të ngjitet në skenë”, theksoi Littlefeather.

(r.m.)