Kur ta paraqes formularin e kontrollit mjekësor të aplikimit për green card?

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Po bëhem gati t’i paraqes shërbimit të emigracionit aplikimin për green card. Sipas udhëzimeve, dokumentin e kontrollit mjekësor ose mund ta dërgoj bashkë me aplikimin për green card ose mund të pres deri sa të vijë momenti i intervistës. Më tha një shok që atij vetë iu desh të dërgojë një dokument të dytë mjekësor pasi për shkak të vonesave në procesimin e çështjes, dokumenti i parë kishte skaduar. Cila është zgjidhja më e mirë? Faleminderit për këshillën e vyer.

BD

Bridgeport, CT

Keni të drejtë.  NUK ju kërkohet të paraqisni formularin I-693, Report of Medical Examination and Vaccination Record, njëkohësisht me formularin e aplikimit për green card, I-485 Application to Adjust Status (AOS).

Diçka që shkakton konfuzion mes aplikantëve që përgatiten të paraqesin aplikimin për ndreqje të statusit, është pyetja se kur duhet të paraqitet formulari mjekësor shtesë. Formulari I-693, të cilit aplikantët shpeshherë i referohen thjesht si “medical”, plotësohet dhe firmoset nga mjekë të pajisur me liçensën përkatëse dhe të akredituar nga Shërbimi i Nënshtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së (USCIS-i) që të kryejnë në SHBA kontrollin mjekësor që ka të bëjë me emigracionin, në mënyrë që të vendosin nëse aplikanti duhet ose jo të pranohet në SHBA për arsye shëndetësore. Në momentin kur formulari plotësohet dhe firmoset, mjeku i vë vulën dhe ia jep aplikantit në mënyrë që ky i fundit t’ia paraqesë USCIS-it si dokument në mbështetje të aplikimit për green card (AOS). Gjatë fazës së përgatitjes së aplikimit, ku përfshihet dhe marrja e vendimit se kur duhet caktuar takimi me mjekun e emigracionit për të marrë dokumentin mjekësor, aplikantëve u lind pyetja se kur duhet ta dërgojnë dokumentin, pasi ta kenë marrë. P.sh. duhet paraqitur bashkë me aplikimin për green card? Nëse jo, duhet paraqitur brenda një numri të caktuar ditësh që nga momenti kur ka vënë firmën mjeku?

Dokumenti mjekësor në fjalë që është plotësuar, firmosur dhe vulosur nga mjeku siç duhet, zakonisht është i vlefshëm për dy vjet duke filluar nga data kur është firmosur nga mjeku i emigracionit. Aplikanti duhet të paraqesë dokumentin mjekësor brenda periudhës të vlefshmërisë dhe po gjatë kësaj periudhe, aplikimi për green card (AOS) duhet të ketë marrë drejtim, përndryshe nevojitet të paraqitet një dokument i ri mjekësor. Dokumenti mjekësor mund të firmoset nga mjeku i emigracionit përpara, ditën ose pasi të jetë paraqitur aplikimi për green card. Nëse dokumenti mjekësor është firmosur përpara se të paraqitet aplikimi për green card, data e paraqitjes së AOS-së nuk duhet të jetë më vonë se 60 ditë nga dita kur është vënë firma. Nuk ka udhëzime specifike se kur duhet të paraqitet formulari mjekësor: bashkë apo pasi është dërguar aplikimi për green card (AOS). Gjithsesi, nëse dokumentat mjekësorë paraqiten pasi është dërguar formulari për green card (AOS), është mirë që të dërgohen në një nga dy mënyrat në vijim: ose nëpërmjet postës, në përgjigje të një kërkese përkatëse me shkrim nga USCIS-i për ta paraqitur dokumentin ose të merret me vete në ditën e paraqitjes për intervistë, gjithnjë nëse do të ketë intervistë.

Për shembull, nëse aplikanti, ka marrë nga mjeku i emigracionit dokumentin mjekësor të plotësuar dhe vulosur siç duhet më datë 1 shtator, dhe më pas dërgon aplikimin për green card më 1 tetor, pra 30 ditë më vonë, por harron të përfshijë në aplikim dhe dokumentin mjekësor, ky dokument i firmosur nga mjeku jo më parë se 60 ditë nga data e dërgimit të aplikimit, mbetet i vlefshëm dhe për dy vjet të tjera duke filluar nga 1 shtatori. Duke u nisur nga presupozimi që dokumenti është i vlefshëm dhe mbetet i vlefshëm derisa të merret vendim për aplikimin AOS, ai dokument mund t’i dërgohet USCIS-it me postë në përgjigje të kërkesës përkatëse ose të paraqitet nga vetë personi ditën e intervistës. Nëse, dokumenti mjekësor është firmosur nga mjeku i emigracionit në të njëjtën ditë ose pasi është dërguar AOS-ja, atëherë ky dokument mbetet i vlefshëm për të gjithë periudhën dy vjeçare nga data kur mjeku ka vënë firmën dhe siç u tha, mund t’i dërgohet me postë USCIS-it në përgjigje të kërkesës përkatëse ose mund të paraqitet gjatë intervistës.

Aplikanti mund të dëshirojë ta marrë dokumentin mjekësor sa më shpejt, pasi ka paraqitur aplikimin AOS në mënyrë që të jetë në gjendje ta dërgojë sapo t’ia kërkojnë një gjë të tillë. Caktimi i takimit me mjekun e emigracionit dhe sigurimi i formularit mjekësor përkatës sa më parë që të jetë e mundur, pasi është dërguar aplikimi AOS, bën që aplikanti ta ketë dokumentin gati për ta dërguar sapo t’ia kërkojë USCIS-i, gjë që mundëson një aprovim më të shpejtë se në rastin kur dokumenti sigurohet pasi ka ardhur njoftimi nga USCIS-i apo është caktuar intervista. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se në rast se dokumenti mjekësor merret pasi është paraqitur aplikimi AOS dhe aplikimi nuk shqyrtohet brenda periudhës dy vjeçare të vlefshmërisë së dokumentit, aplikantit do t’i duhet të nxjerrë një dokument të ri mjekësor, gjë kjo që do të kërkonte kohë, përpjekje dhe shpenzime shtesë. 

USCIS-i pranon versionin e formularit I-693 që është në fuqi në datën kur mjeku i emigracionit ka vënë firmën. Kjo do të thotë që çdo përditësim i versionit egzistues që ndodh nga data e firmosjes së dokumentit mjekësor deri në datën kur paraqitet dokumenti nuk e cënon vlefshmërinë e dokumentit. 

Së fundi, kur bëhet fjalë për kohën kur duhen paraqitur dokumentat mjekësorë, duhen patur parasysh faktet, rrethanat dhe preferencat e aplikantit, të cilat përbëjnë faktorë të rëndësishëm në hartimin e një strategjie të përgjithshme lidhur me proçesin e marrjes së rezidencës së përhershme. Do t’ju këshillonim, që përpara se të paraqisni një formular I-485, të konsultoheshit me një avokat, sidomos nëse rasti juaj ka të bëjë me kategoritë preferenciale.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]