Prishtinë, 30 gusht 2022 – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të kërkojë zyrtarisht që procesi i dialogut të kalojë te Presidenti i ShBA-ve, Joe Biden.
“Unë besoj shumë, dhe këtë ia thash kryeministrit Kurti, se është me rëndësi që BE-ja ka kryer një punë të rëndësishme në dialog, por rrethanat kanë ndryshuar dhe BE nuk është më neutrale tashmë sikurse e gjithë bota është në luftë me Rusinë. Mendoj që është koha që edhe Kurti të kërkojë zyrtarisht që çështjen e dialogut ta kalojë te Presidenti Biden, sepse në këtë formë do të sigurohej jo vetëm arritja e marrëveshjes, por edhe garanca për implementimin e saj”, ka thënë Haradinaj, pas takimit me kryeministrin Kurti.
Haradinaj ka thënë se Kosova nuk bën të pranojë të dialogojë me Serbinë për marrëveshje veç e veç, por për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“Ia kam tërhequr vërejtjen e Kurtit për strategjinë e Serbisë që të shkohet me marrëveshje një nga një dhe për rrezikun që nëse Serbia e arrin ndonjë sukses me marrëveshjen për Asociacionin (Asociacionin e komunave me shumice serbe), ajo do të çohet nga tavolina dhe nuk do ta vazhdojë dialogun. Ngjashëm ka vepruar edhe në konferencën e Rambujesë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka theksuar se kushdo që e përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë duhet të mos i harrojë tri parimet themelore: integritetin territorial, sovranitetin dhe kushtetutshmërinë.
Në takim me Kurtin ka marrë pjesë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku. Kurti e kishte ftuar në takim edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqin, por ai ka refuzuar të shkojë. Ai ka thënë se me Kurtin do të takohet vetëm kur procesi i dialogut të ketë “avancim dhe diskutim konkret”.
(r.m.)