Nga Dardan Malaj
Ndarja e votave mes dy koalicioneve kryesore garuese në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit nuk është e vetmja enigmë për opinionin publik. Shqiptarët do të ftohen të shprehin vullnetin e tyre duke pasur në fletën e votimit edhe dy subjekte të tjera jashtë këtyre grupimeve, parti të drejtuara respektivisht nga Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu.
Fryma e Re Demokratike është subjekti politik i krijuar nga ish Presidenti Topi i cili më herët ka qenë nënkryetar dhe kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Ndërkaq, Aleanca Kuqezi e drejtuar nga ish nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë bazohet kryesisht tek tezat nacionaliste.
FRD dhe AK kanë preferuar të mos i bashkohen asnjë prej aleancave parazgjedhore duke dashur të sfidojnë edhe njëra-tjetrën. Një veprim që ka shumë gjasa që t’i ndëshkojë për shkak të sistemit zgjedhor i cili e favorizon qenien brenda “shportave” të mëdha dhe jo garimin më vete.
Ndërsa Bamir Topi e njoftoi që në fillim se nuk do të bashkëpunojë përpara zgjedhjeve me PS dhe as PD, Spahiu negocioi deri në orët e fundit me kryesocialistin Edi Rama për të ju bashkuar koalicionit të majtë “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”.
Dështimi i këtyre bisedimeve pasoi nisjen e një lufte të ashpër mediatike mes AK dhe PS ku nuk kanë munguar akuzat për presion dhe blerje anëtarësh në këmbim të parave. Rama akuzoi Spahiun se ka paraqitur një grup propozimesh të papranueshme dhe ka kërkuar një numër të madh portofolesh ministrore në qeverisjen e pas 23 Qershorit. Kreu i AK-së pretendon nga ana e tij se Rama e ka mbajtur Aleancën Kuqezi jashtë koalicionit për hatër të mos prishjes së marrëveshjes me kreun e Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut Vangjel Dule i cili është mbrojtësi kryesor i minoritetit grek në vend.
Teorikisht, shanset më të mëdha për të marrë një mandat deputeti janë në Qarkun e Tiranës ku numërohen 32 ligjvënës dhe pragu është më i ulët për votat që duhen mbledhur. Megjithatë, zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhanë shembullin më tipik se si një parti me më pak vota por brenda një koalicioni të madh përfiton dhe një tjetër jashtë aleancave ndonëse me më shumë vota rrezikon përfaqësimin.
Lëvizja Socialiste për Integrim e cila në vitin 2009 garonte në koalicionin e saj “Aleanca Socialiste për Integrim” mori 17.552 vota duke marrë me shumë vështirësi një mandat deputeti. Në të njëjtat zgjedhje dhe në të njëjtin qark, Partia Republikane në koalicion me Partinë Demokratike mori 6.131 vota dhe një mandat deputeti.
Në tre sondazhet publike të realizuara para zgjedhjeve nga kompania italiane “IPR Marketing” rezulton se mbështetja e qytetarëve ndaj Frymës së Re Demokratike dhe Aleancës Kuqezi ka ndryshuar me ritme rënëse. Në sondazhin e 2 majit këto dy parti kishin nga 4.8% të votave në rang vendi ndërsa në sondazhin e 20 majit Partia e Bamir Topit zbret në 3.5% dhe ajo e Kreshnik Spahiut në 4%. Pyetësori i fundit i publikuar më 3 Qershor nxjerr FRD-në me 3.7% dhe Aleancën Kuqezi me vetëm 2%.
Bamir Topi deklarohet hapur në mbështetje të rotacionit të pushtet dhe shpreson në votën ndëshkuese duke sjellë njerëz të rinj në krye të institucioneve qeverisëse duke rigjeneruar elitat politike.
“Sot qoftë njëra forcë politike, qoftë tjetra nuk garantojnë atë që shpresojnë simpatizantët e tyre. Sot është një forcë e re që do t’i bëjë të pamundur qoftë njërës parti për të qëndruar në pushtet, qoftë tjetrës për të ardhur në pushtet sepse FRD do të jetë forcë vendimmarrëse për garantimin e mazhorancës së re dhe do të jetë vendimmarrëse edhe në qeverisjen e ardhshme”, pohon Topi.
Për shumë të djathtë, Bamir Topi është në të njëjtën pozitë me atë të Ilir Metës i cili me krijimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në vitin 2004 çoi në largimin e Partisë Socialiste nga pushteti në zgjedhjet e korrikut të vitit 2005.
Ndërkaq, pas largimit të disa prej përfaqësuesve të strukturave të larta drejtuese, Aleanca Kuqezi po noton në një det me shumë dallgë duke rrezikuar ndjeshëm rënien e nivelit të mbështetjes. Në javën e parë të fushatës zgjedhore Aleanca Kuqezi nuk është pasqyruar pothuajse nga të gjitha radiotelevizionit private, situatë për të cilën Spahiu akuzon publikisht Edi Ramën dhe Sali Berishën.
“Aleanca KuqeZi sot përfaqëson një ideal që nuk mund të vdesë, pasi ky ideal është amaneti iluminist i rilindësve tanë dhe jo i rilidhjes së tradhtarëve. Berisha mashtroi një komb me premtimin se do i pajiste me një pasaportë ditën që u ul në karriken e Ismail Qemalit në Vlorë, ndërsa Rama mashtroi familjarët e Gërdecit dhe 21 Janarit se do t‘ju jepte drejtësi dhe do të burgoste Berishën dhe Ilir Metën”, shprehet Spahiu.
Sipas kreut te AK ne 23 vite jemi qeverisur majtas dhe djathtas dhe përfundimi ka qene një grusht horrash që pasurohen dhe shesin shpirtin e tyre vetëm për para.
Nëse do të arrijë të fitojë ndonjë mandat deputeti, AK e ka deklaruar si prioritet aleancën paszgjedhore me Partinë Socialiste për të larguar Sali Berishën nga pushteti ndërsa FRD mbështet rrotacionin, specifikon se do të jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme por nuk deklaron aleancat. Qëndrim që krijon dilema nëse Topi do të pranonte të jepte votat për një qeverisje të djathtë me kushtin që Berisha të mos jetë kryeministër.