Shqipëria një nga vendet e para që nënshkruajnë traktatin për armët

SHBA premton ta nënshkruajë së shpejti – ndërkohë Rusia, Kina, Arabia Saudite etj ende heshtin

 

Shqipëria ishte një nga vendet e para që nënshkruan Traktatin mbi Tregtinë e Armëve (ATT), në 3 qershor 2013, gjatë ceremonisë zyrtare, në selinë e Kombeve të Bashkuara, në New York.
Për vendin tonë, Traktati u nënshkrua nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë pranë Misionit të Kombeve të Bashkuara në New Jork, z. Ferit Hoxha.
Rreth 65 vende kanë nënshkruar traktatin historik të Kombeve të Bashkuara, i cili rregullon tregtinë globale të armëve.Traktati mbulon tregtinë e tankeve, automjeteve luftarake, artilerisë, avionëve luftarakë, luftanijeve dhe armëve të vogla.
Nisma për të bërë realitet këtë traktat ishte ndërmarrë fillimisht nga Australia dhe Argjentina. Por negociatat duket se kanë vijuar për vite me radhë. Shqipëria duket se ka luajtur një rol aktiv gjatë gjithë këtij procesi duke e mbështetur fuqimisht dhe pa mëdyshje nismën.
“Kam nderin që të shpreh sot kënaqësinë që në mënyrë zyrtare po e përkushtoj vendin tim ndaj një Trajtati, i cili mendojmë dhe shpresojmë se do të kontribuojë që ta bëjë botën, një vend më të sigurtë”, tha veç të tjerash Ambasadori Ferit Hoxha, në ceremoninë e nënshkrimit. “Një traktat që do të ndihmojë që armët të mos përfundojnë në tregun e zi, që të mos bien në duart e gabuara, në ato të abuzuesve të të drejtave të njeriut dhe shkelësve të të drejtës ndërkombëtare”.
Ambasadori Hoxha shprehu besimin dhe shpresën se ku lloj përkushtimi do të ndihmonte në pakësimin e e vuajtjeve njerëzore kudo në botë.
Sipas këtij Traktati, secili shtet duhet të vlerësojë përpara çdo transaksioni, nëse armët që do të shesë, do të përdoren nga grupe terroriste për të anashkaluar një embargo ndërkombëtare, për të kryer akte gjenocidi, krime lufte ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Në të gjitha këto raste, vendi eksportues është i detyruar që të mos e autorizojë këtë transfertë.
Duke nënshkruat këtë traktat të rëndësishëm, Shqipëria konfirmon edhe një herë angazhimin e saj në funksion të paqes e stabilitetit ndërkombëtar, duke qenë një kontribues dhe një partner i rëndësishëm i komunitetit ndërkombëtar në fushën e sigurisë globale.
Mirëpo, ende duhet kohë e punë që kjo përpjekje të bëhet globale. Tregëtuesi më I madh I armëve në botë, Shtetet e Bashkuara, të paktën, ndonëse nuk kanë qenë në mesin e nënshkruesve të parë, kanë premtuar se do ta bëjnë këtë së shpejti. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka premtuar personalisht se Washington-i do t’i bashkohet kësaj nisme.
Mirëpo, eksportues të tjerë shumë të mëdhenj si Rusia dhe Kina nuk pritet të bëjnë një gjë të tillë. Po ashtu kanë heshtur importues si Arabia Saudite, Indonezia, Egjipti etj.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar traktatin në muajin prill, pasi 154 shtete kanë votuar në favor të tij. Ai është kundërshtuar nga Siria, Koreja e Veriut dhe Irani, ndërsa 23 vende, përfshirë Rusinë, Kinën, Egjiptin dhe Indinë, kanë abstenuar.
Po siç u shpreh shumë saktë, Ambasadori i Shqipërisë, Fetior Hoxha në ceremoninë zyrtare, me aktin e nënshkrimit vetëm sa zë fill një fazë tjetër shumë e rënësishme e këtij Traktati.
“Tani ne duhet të bashkojmë forcat që ky trajtat të hyjë sa më shpejt në fuqi dhe të vihet në zbatim me efektivitet sa më të lartë”, tha ai. “Shqipëria do të japë kontributin e saj më të mirë në këtë drejtim”. (Përgatiti: Illyria)