Bisedë me Qerim Vrionin, enkas për lexuesi e ExLibris
Që zhvilloj bisedë me Qerim Vrionin, nuk lipset ndonjë rast a shkas i veçantë. As sot kur në dorë kam librin e tij të ri “Miq në 50 foto”. Ky botimi tij, madje me sjell pengesë, nga se midis atyre midis 50 miqsh dhe po aq fotografish (portrete) të tyre, jam i zgjedhur edhe unë. Jo, mor jo, ashtu sikur nuk është e vërtetë se regjistri i miqve të Qerim Vrionit përfundon (mbaron) me shifrën 50 (ndoshta as më 50 herë 50!), po aq nuk mund të këtë pengesë kur bisedon vëllai me vëlla. Qerimin e kam mik të shtrenjtë, jemi pothuaj moshatarë, po ç’t’i besh hallit kur hapi me është zvogëluar (mosha e ka bërë të vetën), kështu që Qerimin nuk jam në gjendje (fizike) ta takoj as në Tiranë, etjen time kurrë të pashuar (deri në rriskë të fundit të jetës sime!). Të takohesh si dikur “nën hijen e Valanidhit të madh para Galerisë së Arteve…” e të pimë bashkë nga një filxhan kafe e gotë uji të ftohtë, etjen mallit vëllazëror për ta shuar! Në Michigan, ku Qerimi, gjithnjë me fotoaparat (dhe laps) në dorë nuk e çojnë as ëndrrat e turbullta dhe të mëkuara pleqërisht. Kështu, pas kësaj hyrje të stërgjatë mallëngjimi, sikur jam i shtrënguar që, enkas për lesuesit e gazetës Ex Libris të Tiranës, nga Prishtina, t’ia nis disa pyetje të vogla.
Pyetje–Sa herë që zihet në gojë fotografia, veçmas në dhjetëvjeçarin e fundit, i pashmangshëm është emri yt, si lindi dhe u rritë kjo miqësi ?
Përgjigje: Unë kam jetuar për një kohë të gjatë në bregdetin e Vlorës, i cili ofron peizazhe mjaft piktorike, veçanërisht perëndimet e diellit janë aty magjepsëse. Para rreth 30 vitesh nisa të fotografoj, veçse aparati isht fare i thjeshtë. Kështu fotot dilnin të kuadruara mirë e bukur, por pak turbull. Në vitin 1997, erdha në Tiranë, në vendlindjen time, ku bleva një aparat më të mirë e vazhdova të fotografoj peizazhe natyrore. Ndërkohë (viti 2000) më dërgon një shok gjimnazi, Qemal Agaj, nga ShBA-ja një album me 500 foto nga e gjithë bota, që titullohej “The Photo Book”.
Aty gjeta dhe foton “Kapiteni Mark Raka dhe bajrktari i Shalës” (1922) të fotografit Kel Marubi. Në album shkruhej afërsisht se “nuk kuptohet çfarë ndodh në foto”, kjo më nxiti të gërmoj rreth kohës së shkrepjes së saj, Atë vit, ishte bërë në vendin tonë çarmatimi i përgjithshëm i popullsisë civile. Ky ishte çelësi::çarmatimi. Shkrova një artikull të shkurtër për këtë, me të cilin filloi rruga ime në studimin e fotografisë shqiptare. Ndërkohë vazhdoja të fotografoja. Madje nisa të marrë pjesë disa herë me foto në konkursin ndërkombëtar të fotografisë “Marubi” në Tiranë, Çmimi vjetor i fotografisë “Gjon Mili” në Prishtinë dhe në ekspozitën “Fokus” në Fier. Gjithsesi, paraqitja më mbresëlënëse e imja si fotograf i takon vitit 2009. Atë vit përfaqësova Shqipërinë me gjashtë foto në një ekspozitë ndërkombëtare të fotografisë në Romë (Itali). Ekspozita u organizua nga Administrata e Rajonit të Lazzio-s dhe titullohej “Lazio tra Europa e Mediterraneo”(Lacio ndërmjet Europës dhe Mesdheut). Në të merrnin pjesë fotografë nga vendet që lag Deti Mesdhe. Ishte kënaqësi, përveç të tjerave, të ekspozoje krahas fotografit të shquar turk Ara Guler (1928-2018) dhe peizazhistit të njohur kroat Ivo Përvan. Albumi “Mondi Mediterranei” (Botë mesdhetare) me fotot e ekspozitës mbetet nga gjerat më të vyera të bibliotekës time.
Kështu, me studime për fotografinë, sidomos të traditës dhe me fotografime peizazhesh, portretesh, foto-çasti etj. është krijuar lidhja ime e përhershme shpirtërore me artin e “dhomës së errët”. Vetë fjala “fotografi” e dëgjuar edhe fare rastësisht, “ngre” në çast disa antena të padukshme vëmendjeje në trurin tim. Një “miqësi” krejt e veçantë dhe e painteres ajo midis meje dhe fotografisë, por që e motivon mirë e bukur çdo ditë të jetës time.
Pyetje–Ti hodhe “një grusht dritë” mbi këtë art të rëndësishëm, padrejtësisht të lenë pas dore, si të harruar fare. Cilat janë veprat tua që e çelen këtë hulli dhe, mundësisht, mbi secilën prej tyre nga ndonjë fjalë, shpjeguese ?
Përgjigje: Shkrimin tim të parë në lëmin e fotografisë e kam botuar në vitin 2001, në revistën XXL që drejtonte publicisti i njohur, Fatos Baxhaku. Ky shkrim i kushtohej fotos së Kel Marubit, “Kapiteni Mark Raka dhe bajraktari i Shalës” (1922), e përfshirë në përmbledhjen me 500 foto nga e gjithë bota “The Photo Book” (1999) të shtëpisë së njohur botuese angleze, “Phaidon”. Me këtë foto u mora gjatë, përcaktova historikisht ngjarjn, emrat e personave dhe e titullova “Dorëzimi Armëve”, “pagëzim” që sot përdoret sa herë publikohet fotoja në shtyp ose botime. Mandej, shkrova dhe botova disa analiza për foto të tjera të veçanta, kryesisht shqiptare.
Këtë praktikë nuk e hasa në shtypin shqiptare që nga viti 1912, gjatë hulumtimeve në një botim të punonjëses Katerina Goshi të Bibliotekën Kombëtare. Në vitin 2005 botova librin “Fotografia-një grusht diell”, me shkrime të miat të botuara në shtyp, historikisht libri i parë në Shqipëri kushtuar fotografisë. Pak më vonë, më 2009, hodha në qarkullim botimin “150 vjet Fotografi Shqiptare”, historia e parë e fotografisë në vendin tonë.
Ndërkohë, nisa të hulumtoja për fotografin amerikan me origjinë shqiptare, Gjon Mili. Duke kaluar disa kohë në ShBA, arrita të gjej në botime dhe shtypin e shkruar të dhëna të reja për jetën dhe krijimtarinë e Milit. Kështu, gjatë disa viteve botova në shtypin shqiptar, brenda dhe jashtë shtetit amë, një serë artikujsh studimor (rreth 12-13) vetëm për Gjon Milin.
Më pas, në vitin 2013, botova “Fjalor i Fotografisë“ edhe ky i pari i llojit në vendin tonë. Ky përmban rreth 600 zëra, duke përfshirë: terma, gjini, rryma e drejtime artistike, botime, revista e gazeta, konkurse, çmime, procese tekonlogjike, aparatura e pajisje.
Ndërkohë, shkrova dhe botova artikuj për fotografë pak të njohur ose fare të panjohur si p.sh. Kolë Maca, Pero Kaçauni, Stefan Kaçulini, Thimi Raci etj. Në vitin 2018 publikova librin “Pikëllim në një foto të vjetër”, kushtuar një fotoje të fotografit nga Shkodra, Kolë Maca. Tre vite më këtej, botova librin “Miq në 50 foto”, që në një farë mënyre, është një shkrirje e albumit fotografik me një ditar kujtimesh. Ndërsa, para 2-3 muajsh, botova një përmbledhje artikujsh të mi publicistikë me titull “Shqetësime qytetare”, punë disa vjeçare. Gjithsesi, edhe në këtë botim, fotografisë i kushtohet një vend i veçantë i ndërthurrur me tematikat e ndryshme të shkrimeve publicistikë.
Pyetje–Si autor i shumë artikujve studimore, shkruar me elegancë dhe njohuri korrekte hulumtuese e shkencore, botuar gjithkund nëpër gazeta ditore e periodike, opinionit të gjerë lexues gjithëshqiptar ia kë bërë të njohur shumë emra pak të njohur, dhe herë-herë ke hedhur me shumë se një “grusht dritë” mbi një foto të vetme, e vërtetë kjo ?
Përgjigje: Po, p.sh. emër fare pak i njohur ishte ai i fotografit nga Shkodra, Kolë Maca (1872-1945), e , natyrisht edhe fotoja e tij që e titullova fillimisht:”E bija e Gjon Palit”, mandej në librin e mëvonshëm e quajta “Gjon Pali dhe e bija”. Kjo është një shkrepje fotografike që, për mendimin tim, mbetet krejt e veçantë në të gjithë historinë e fotografisë shqiptare. Fotoja ka datë vitin 1913, muajt e rrethimit të Shhkodrës nga ushtria malazezë dhe është botuar së pari në shtypin italian (“Corriere della Sera”, Milano), mandej në ballinën e një libri të shtypur në Milano (“L’Assedio di Scutari”—Rrethimi i Shkodrës), të dyja dukjet e fotos janë në muajt maj dhe qershor të atij viti. Një status ky që vështirë ta ketë ndonjë foto tjetër shqiptare.
Foton dhe historikun e saj botova në një shkrim me titull “Fotoja “e bija e Gjon Palit” e Kolë Macës”, tek shtojca kulturore “Milosao” të Gazetës Shqiptare, i cili u prit mjaft mirë nga lexuasit. Kjo më nxiti të vazhdoj hulumtimet për foton brenda dhe jashtë vendit. Pasi gjeta disa të dhëna të tjera, vendosa që t’a botoj si libër dhe e titullova “Pikëllim në një foto të vjetër”. Libri doli në qarkullim, siç e ceka më sipër, në vitin 2018 dhe për të janë botuar në shtypin shqiptar 12 artikuj analizues, numër relativisht i lartë për një libër, merita kryesore i takon fotografit Kolë Maca për foton e tij trishtuese e njëkohësisht, befasuese.
Pyetje–Ndonjë fjalë më shumë për librin-album “Miq në 50 foto” dhe punët në vazhdim: në nisura, ne rrugë e sipër, të realizuara ?
Qerimi: Në të vërtetë, ideja e këtij libri lindi pasi ishin botuar në shtyp disa foto-portrete miqsh me veprimatri të spikatur shoqërore, shtuar me një tekst të shkurtër jetëshkrimor. “Një foto dhe…disa rreshta”–kështu i titulloja; në to paraqitej fotoja dhe mandej rreshtat përkatës. Ato botoheshin në raste përvjetorësh dhe ishin pritur mirë nga lexuesit, gjithmonë me foto të realizuar prej meje. Ishte diçka e re për shtypin, midis albumit fotografik dhe ditarit të kujtimeve. Aty përfshiheshin të dyja. Ndërkohë më lindi mnendimi për t’i përmbledhur në një libër. Përzgjodha 50 prej një numri më të madh fotosh dhe vendosa titullin “Miq në 50 foto”. Pastaj përdora shënime për foto të ndryshme, për cv-të e personazhev, mandej futa në lojë dhe kujtesën time Me personat e gjallë u këshillova duke ua dërguar para botimit materialin e shkruar dhe mora miratimin e tyre.
Vërej se disa foto të librit po përdoren në internet si portrete përfaqësues të disa miqëve të librit dhe kjo më jep kënaqësi të veçantë. Ka ndodhur që ndonjë nga personazhet e librit është ndarë nga jeta pas botimit, në këto raste dy faqet (fotoja dhe teksti) e tij janë botuar në shtyp si homazh i veëantë.
Mendoj se “Miq në 50 foto” do të pasohet nga një i dytë, gjithmonë me foto të mia të miqve me kontribute të dalluara në botën shqiptare. Por këtë le tja lëmë kohës. Natyrisht po punoj edhe mbi 2-3 materiale të tjera, gjithmonë në fushën e fotografisë, madje një tjetër e kam përfunduar dhe e kam dhënë për redaktim.
Pyetje–Kujt i përkushtohesh më shumë, studimit të fotografisë apo fotografimit ?
Përgjie: Thuajse të dyjave njësoj.
Në emër të lexuesve të gazetës Ex Libris dhe në emrin tim personal. me fat e mbarësi, mik dashur z. Qerim!
Prishtinë,17,08.2022
(Botuar ne gazeten “ExLibris”, 27 gusht 2022)