Prishtinë, 5 qershor 2013 – Sot, në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës u prezantua viza e parë kosovare. Fituesi u shpall pas një konkursi të shpallur nga organizata norvegjeze IMG, që implementon në emër të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës, me mjetet e shtetit norvegjez.
Vendosja e vizave qytetarëve të 87 shteteve, është obligim i Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe ministri Hoxhaj ka paralajmëruar se konform afateve ligjore, sistemi do të lansohet si pilot projekt në Konsullatën e Përgjithshme në Stamboll, prej nga edhe vijnë shumë pasagjerë nga Azia dhe Afrika në Kosovë. Pritet që deri në fund të vitit, Kosova të implementojë tërësisht regjimin e vizave, duke krijuar kështu një sistem të sigurt të kontrollit të hyrjeve dhe daljeve në Kosovë.
Komisioni i udhëhequr nga Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, si dhe stafi i Departamentit Konsullor të MPJ-së si dhe pala norvegjeze kanë përzgjedhur pamjen e vizës kosovare, duke u bazuar në aplikimet anonime dhe kushtet teknike të vëna në konkurs. Viza e re e Republikës së Kosovës do t’i ketë masat e sigurisë, do të shtypet në letër speciale, e cila përdoret edhe për kartëmonedha dhe do të ketë edhe simbolet kryesore të Kosovës.
Fituesi Antoan Kurti, është dizajnuesi kosovar që jeton në Belgjikë. Vendin e dytë e fitoi dizajnuesi kosovar, Shpend Berbatovci, ndërsa vendin e tretë dizajnuesi, Norik Rizaj.