Sa më shumë po lidhemi në rrjetin global të komunikmeve, aq më shumë po e shtojmë distancën familjare e miqësore nga njeri-tjetri, sepse dimensioni material i njeriut modern ia ka zënë frymën dimensionit shpirtëror e human dhe për pasojë ne sot kemi shtim të depresionit dhe vetmisë tek njerëzit. Por, megjithatë ka një shpresë që njerëzimi të shërohet nga ky kolaps shpirtëror, nëse në kurrikulat shkollore përfshihet doktrina paqësore e Nënës Tereze.
Titulli i ekspozitës E KAM NË ZEMËR POPULLIN TEM SHQIPTAR është një lajtmotiv që ngërthen në vetvete udhëtimin nëpër kohë të gjithë filozofisë jetësore të Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze. Duke iu falënderuar Don Lush Gjergjit, i cili ishte një njohës dhe ndjekës i spikatur i veprimtarisë së shumanshme të Nënës Tereze, ne sot kemi edhe këtë fond fotografish, të cilat ai i shoqëroi me intervista, reportazhe e shkrime të ndryshme autoriale që i botoi në librat e tij. Nëse e zbërthejmë thënien e njohur NJË FOTOGRAFI VLEN SA NJË MIJË FJALË mund të themi lirisht se edhe këto fotografi që sot i kemi para nesh, shprehin në vetvete linjat karakterologjike të një peronaliteti kompleks, siç ishte Nëna Tereze, me gjithë botën e saj të pasur shpirtërore që manifestohej me vepra konkrete dedikuar të sëmurëve dhe të braktisurve.
Pasi ta kemi shikuar këtë ekspozitë dhe pasi t’i kemi mbyllur sytë për një çast, në shiritin e imagjinatës do të na duket sikur lëviz një tren i gjatë, fundi i të cilit nuk duket agjëkundi. Udhëtimi i pambarim i këtij treni vazhdon edhe sot, kurse në të ndodhet një udhëtare e cila pret e përcjell njerëz nga stacionet ndryshme të jetës. Ajo është Nëna Tereze, e cila e filloi udhëtimin e saj maratonik nga kalldërmet e Çarshisë së Vjetër të Shkupit dhe e vazhdoi në shtigjet e mbarë globit.
Ne që nderojmë kujtimin për të, në qytetin e saj të lindjes dhe në të gjitha qytetet ku lartësohen emri dhe vepra e saj, mundohemi të ruajmë disa nga thesaret e çmuara të trashëgimisë së saj jetësore, duke nxjerrë mësime dhe udhëzime që Nëna Tereze na i la si një testament i shtrenjtë.
Ajo çka mbetet për t’u shndërruar në doktrinë të njerëzimit sot është urtësia dhe maturia me të cilën Nënë Tereza i qasej problemeve e mosmarrëveshjeve që shfaqeshin në vende të ndryshme të globit. Edhe një pjesë e fotografive të kësaj ekspozite dëshmojnë se Nëna Tereze nuk u mbyll në vetminë e saj, por përkundrazi udhëtoi gijithkund ku prositë dhe sugjerimet e saj merreshin shumë seriozisht nga liderë të ndryshëm botërorë, të cilët sa herë që ndodheshin në situata të ndërlikuara e konfliktuoze, kishin si udhërrëfim pikërisht urtësinë e Nënës Tereze.
Ajo për çka angazhohemi edhe ne, si Institut, me gjithë veprimtarinë hulumtuese e shkencore të Departamentit për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, ndëridhet pikërisht me filozofinë e kësaj doktrine paqësore të Nënës Tereze, e cila mund të aplikohet edhe sot, pasi që shumë shtete e popuj aktualisht nuk po mund të gjejnë forcë shpirtërore për të tejkaluar konfliktet dhe mosmarrëveshjet. Mjafton një rishikim i porosive largpamëse të Nënës Tereze, për të ardhur në përfundim se çmimi i paqes gjithmonë matet me peshoren e urtësisë, kurse Nëna Tereze mund të merret si një gurë i peshores që vendos balance në mes të keqes dhe të mirës, në mes të dashurisë dhe urrejtjes, në mes të kaluarës së errët dhe të ardhmes së ndritshme.
Njerëzimi sot vuan edhe për mungesë të ushqimit dhe resurseve të ndryshme natyrore, por një sëmundje më e madhe nga e cila nuk po ia del të shërohet planeti ynë është mungesa e dashurisë dhe ngrohtësisë njerëzore. Sa më shumë po lidhemi në rrjetin global të komunikimeve, aq më shumë po e shtojmë distancën familjare e miqësore nga njeri tjetri, sepse dimensioni material i njeriut modern ia ka zënë frymën dimensionit shpirtëror e human dhe, për pasojë, ne sot kemi shtim të depresionit dhe vetmisë tek njerëzit.
Por, megjithatë ka një shpresë që njerëzimi të shërohet nga ky kolaps shpirtëror, nëse në kurrikulat shkollore përfshihet doktrina paqësore e Nënës Tereze.
Ne, si Departament për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, shumë shpejt do të dalim me një nismë drejtuar Minitrisë së Arsimit dhe Shkencës, përmes së cilës do të ofronim një pako edukative-pedagogjike me mësime, këshilla e përvoja jetësore të Nënës Tereze. Duke qenë pjesë fakultative e kurrikulave arsimore, kjo pako edukative-pedagogjike do të mund të ndihmojë shumë në ventilimin shpirtëror të hapësirave tona të mbyllura mendore, pasi që Nëna Tereze, me pashterrshmërinë e thesarit të saj njerëzor, human e paqësor, duhet të na shërbejë si spirancë ku do të mund të ankorohen të gjitha varkat e ujërave të shqetësimeve tona.
Shkup, 5 shtator 2022
(Fjala e hapjes së ekspozitës së fotografive të Nënës Tereze “E KAM NË ZEMËR POPULLIN TEM SHQIPTAR”, e hapur në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në Shkup)