Harku i Triumfit i familjes Qerimi 

Është e vështirë të gjesh një të ngjashëm me mjeshtrin Et’hem B. Qerimaj, nuk ka një të dytë si ai. Nga një violinist i pashkolluar, mori violinën dhe u bë një nga violinistët më me emër.  

Fatos Qerimiu lind në Tiranë. Që fëmijë filloi violinën dhe vazhdoi studimet për 8 vjet, ndërsa në vitin e parë të shkollës së mesme, Liceun Artistik, ku zgjodhi të vazhdonte për klarinetë. “Ndoshta atëherë bëra këtë zgjedhje, – kujton mjeshtri,-  sepse klarineta është vegël më e lehtë, nuk kërkon studimin dhe lodhjen që do violina. Isha shumë i ri. Por përveç kësaj, ishte daja im, Ramazan Kaponi, i cili ishte i shkolluar në Pragë, pedagogu i parë shqiptar i klarinetës”.  

Qerimi III e ka pasion muzikën, por është dashuruar marrëzisht me klarinetën, duket se kanë gjetur njëri-tjetrin, pavarësisht se luan mirë edhe me violinë. “Klarineta ka një dimension gjithëpërfshirës në muzikë, qoftë klasiken, modernen, në muzikën e dhomës, në muzikën xhaz apo muzikën popullore”, – thotë në një intervistë Fatosi. “Pra, mund të them është lider i muzikës. Klarineta është në fakt një instrument që në Shqipëri mendohet si pjesë e traditës, por në konceptin europian, klarineta është një instrument shumë i avancuar. Ajo nisi si një instrument naiv dhe në muzikën kontemporane është në nivelin e saj më të lartë”.  

Ai, ndryshe nga brezi i gjyshit dhe i të atit, ka mbaruar studimet e larta në Institutin e Arteve dhe, veç talentit, ka dije të plota profesionale. Është pjesë e familjes së madhe Qerimi, ku çdo anëtar i saj është përdorues i një vegle muzikore. Fatosi është pjesëtar virtuoz i kësaj familjeje, ku janë plot 12 muzikantë profesionistë. Është mahnitës, ka arritur që klarinetën ta çojë në një nivel të lartë si instrument i muzikës klasike dhe kontemporane, e këtë ta përçojë te publiku. 

Ka një klarinetë, me të cilën krenohet, edhe pse ajo është e vjetër. “Që është e vjetër (75-vjeçare), unë s’e këmbej me asnjë tjetër. E ruaj si sytë e ballit, e mbaj si fëmijë, aq shumë kujdesem për të. Kjo klarinetë ka një timbrikë, frekuencë shumë të bukur, shumë të ëmbël, ka një dru krejtësisht ndryshe nga druri i teknologjisë moderne. Kam pasur shans që e kam blerë këtë klarinetë te një koleksionist veglash muzikore, një holandez. E kisha ëndërr një klarinetë të tillë dhe së fundi rastësia ma solli. Kur e mora në duar, nuk e besoja. Tashmë ka shumë vite dhe unë ndihem i sigurt me të, por duke i bërë një kujdesje krejt të veçantë, nga lagështira, përplasjet, goditjet, nxehtësia e tepërt etj… S’e ndërroj as me klarinetën ‘Bakun’ kanadeze, më modernia e kohës”,- thotë mjeshtri. 

Ai është pedagog klarinete në Universitetin e Arteve të Bukura prej 27 vitesh (2019), ku ka një klasë me klarinetistë, madje një klasë me pjesëmarrje të gjerë dhe nëse para viteve ‘90 kishte një numër të kufizuar studentësh, deri në gjashtë, në dekadën e dytë të shekullit 21, çdo vit kanë qenë rrethi 26. I pëlqen të punojë si pedagog. U jep studentëve me pasion përvojën e tij si klarinetist. Pedagogu Qerimaj ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të mirë me studentët që klarinetën ta konceptojnë si një instrument ku të shprehin vlerat, të mos deformohet shija mbi artin, se çdo gjë e huazuar keq nga muzika është antivlerë.  

Mjeshtri është mjaft aktiv, organizon edhe konkurse kombëtare të klarinetistëve të rinj, madje edhe jashtë kryeqytetit. Për nostalgji, nata finale e një konkursi klarinetistësh të shkolluar (2014) u zhvillua në Përmet në datën historike, 24 maj, një ditë para “Festivalit iso-polifonik të sazeve Usta Laver Bariu”. Kështu, Përmeti i sazeve dhe i Usta Laverit bekuan edhe këtë aktivitet dhe njëkohësisht tradita e gjeneratave me saze u përcollën te më të rinjtë interpretues në klarinetën klasike. 

Qerimaj III është një kompozitor i dëgjuar, i njohur për spektatorin dhe telespektatorin shqiptar e më gjerë, ka krijuar disa muzika filmash për autorë shqiptarë dhe të huaj. Muzika e filmit “Mao Ce Duni”; “Përtej detit” me regji zvicerane; “Letra e re” (një prodhim italo-shqiptar, 2003); në teatër si “Pjata e drunjtë”, disa muzika me Teatrin e Fierit me Pëllumb Kullën, muzikën e një filmi të animuar të Shaqir Veselit.  

Ndërkohë janë rreth 45 vepra të kompozuara nga unë, – thotë kompozitori-, në muzikën kontemporane dhe klasike për Orkestrën e Operës, muzikë dhome dhe për formacion xhaz”.  

Kompozitori Qerimi është drejtori i Festivalit vjetor të Xhazit në Tiranë, i pari i të cilit u mbajt në vitin 1999. Fatosi themeloi Festivalin e Xhazit sepse besonte se xhazi ishte një element i humbur në kulturën shqiptare. Që nga fillimi i tij, bandat kanë marrë pjesë edhe në festivalet ndërkombëtare, çka ka ndikuar pozitivisht në skenën e xhazit shqiptar. Festivali frymëzoi jo vetëm individë, por edhe institucione të tjera, për rrjedhojë, u hap Festivali i Xhazit në Durrës dhe në Shkodër. Në bashkëpunim me Helidon Gjergjin paraqesin INFO-JAZZ, një performancë akustiko-vizive që ka si pikënisje tingujt digjitalë të celularëve. Është një lloj kolone zanore bashkëkohore e përdorur si material bazik për të krijuar një hapësire urbane akustike.  

Fatos Qerimi është gjithashtu dirigjent dhe ka themeluar dy orkestra, njëra prej të cilave quhet Inceptionence dhe tjetra Big Band, që është grupi muzikor i Akademisë së Arteve të Bukura. “Kam realizuar shumë koncerte me Ndikimin gjatë Javës Evropiane të Kulturës, që është mbajtur shumë herë në Shqipëri, – thotë klarinetisti. – Të përbërë nga profesorë të Akademisë së Arteve të Bukura dhe muzikantë të rinj”. 

Duke qenë drejtuesi i Departamentit të Interpretimit në Akademinë e Arteve të Bukura, ai krijoi Big Band-in me synimin për të luajtur muzikë xhaz dhe stile të ndryshme të muzikës bashkëkohore. Kjo do t’i afronte studentët e rinj me botën e muzikës dhe do t’i prezantonte ata me shije të reja duke krahasuar zhanre të ndryshme muzikore. 

Festivali “Flauti magjik” është pjesë e veprimtarisë së tij. Ky festival udhëton nga klasikja te xhazi. Prej disa vitesh po gjallëron jetën artistike dhe kulturore në Tiranë, një event që edhe emrin e ka të menduar me shumë vëmendje, që del nga kornizat e një eventi të zakonshëm, ambientohet bukur, ka artistë të moshave dhe vendeve të ndryshme. Më e rëndësishmja, ka cilësi dhe kujdes në përzgjedhje. 

Emrin e festivalit ‘Flauti Magjik’ e kam vënë nga ndjesia që të japin instrumentet e frymës, si klarineta apo flauti dhe e kam marrë nga titulli i veprës së Mozartit dhe lloji i muzikës së interpretuar në këtë festival”,- thotë mjeshtri. “Në fund dua të përmend se ky festival vjen si një produkt i ‘A.C.S & music improvisation’, një shoqatë e krijuar në vitin 2006 me mbi 140 anëtarë, emra të njohur të artit e të kulturës, që ka si detyrë strategjike parësore ndërtimin e një mjedisi artistik të suksesshëm që t’u shërbejë kërkesave të komunitetit artdashës si dhe pasioneve, dëshirave dhe vullnetit të talenteve të reja për muzikën. 

Për të, muzika shqiptare është një thesar i madh dhe thelbi i muzikës sonë aq të bukur popullore nuk duhet të transferohet me tallava.  

I dedikohet shumë familjes së tij të madhe.  

Si Fatos Qerimaj kam pasur një karrierë shumë të mirë, por si pjesëtar i familjes Qerimaj, kam prekur sallat më prestigjioze të botës, ku vetëm kurrë nuk mund të ngjitesha”

I ati, vëllai dhe Fatosi krijuan një treshe të gjallë që performonte në Shqipëri dhe jashtë. Më vonë, tradita u përqafua nga xhaxhai i tij. Fëmijët e tij e vajzat e vëllait, dhe kështu me radhë e me radhë, deri sa arritën në gjendjen aktuale, ku familja e madhe ka mjaft muzikantë për të prodhuar një repertor të ri, të plotë.  

Unë e dua publikun shqiptar – thotë Qerimaj III. – Unë e kam ngjitur karrierën edhe duke qenë këtu. Ftesat janë kortezi dhe vlerësim i mirëpritur, por kam reflektuar dhe kam vendosur të mos largohem”.  

Artisti i madh bashkëpunon edhe me botën muzikore evropiane dhe performon për shqiptarët emigrantë, por edhe të huaj në disa shtete. Ka më shumë se 16 vite (2019) që bashkëpunon me dy formacione franceze dhe oferta ka shumë, madje edhe për t’u punësuar, në vendlindje ndihet si askund tjetër dhe kjo nuk e ka penguar të bashkëpunojë me shumë artistë ndërkombëtarë. Këtu përfshihen, ndër të tjerë, regjisorja bullgare Adela Peeva, pianistja kroate Ivana Vidović, Teatri Toursky i Marsejës në Francë e të tjera. 

 ***

                                                   Saga e Qerimajve 

Familja Qerimaj, ndryshe familja e artistëve të mëdhenj, apo familja më e dashur e skenës shqiptare, duket se ka rreth 12 artistë e përfshin tre breza. Ata janë mjeshtrit e muzikës tradicionale shqiptare.  

E filluan të gjithë si familje që në fillim të viteve ’90. U pagëzuan te restorant “Piazza” si trioja Qerimaj (Et’hemi në violinë, Fatosi në klarinetë dhe Bruno në organo). Për gjashtë vjet me radhë, plaku i urtë do të mahniste me tingujt e tij të magjishëm gjithë njerëzinë që hynin e dilnin nga ai restorant, deri në orët e para të mëngjesit. Ishte koha që sapo kishte dalë në pension. Djemtë, në çdo sekonde mundoheshin “t’i vidhnin” të atit emocionin, vullnetin, ritmin… Shumë shpejt do të ftoheshin edhe në vende të ndryshme të botës. Franca do ishte e para që ata do shkelnin të tre së bashku, pas një ftese që morën në një orë të vonë te “Piazza”. Pastaj ftesat e të huajve nuk kishin të sosur. 

Dora-dorës, kësaj trio iu bashkua edhe brezi i tretë, djali i Fatosit, që mbaroi në Konservatorin e Vjenës, dhe vajza e tij; por edhe dy vajzat e Brunos, të cilat studiuan njëra në Itali e tjetra në Francë. Klodi, më e vogla, i është bashkuar familjes si violiniste e si këngëtare. Zëri i ëmbël në interpretimin e “Poshtë nga çairet” e bëri të njohur artisten që në daljen e saj të parë në skenë. Orkestra e tyre ka klarinetën, që luan Fatosi; organo, që luan rolin e pianos, me të cilën interpreton Bruno; tri violina (gjyshi dhe mbesa (vajza e Brunos) dhe nipi (djali i Fatosit) etj. – Është një orkestër pa timbrika ekstreme, – thotë Fatosi, – por ka një melodi shumë të bukur

Në fillim të viteve ’90, familja Qerimaj luante pasditeve deri orët e para të mëngjesit në një nga piano-baret e para të Tiranës, ku vinin shumë të huaj shoqëruar me shqiptarë. Et’hem Qerimaj, muzikanti që ka prekur tri epoka historike, dhe familja e tij kanë mundur të krijojnë një traditë. 

Muzika e familjes Qerimaj ka prekur gjithashtu edhe skena ndërkombëtare, duke u mirëpritur edhe nga publiku i huaj, ka dhënë koncerte në shumë vende të Europës: në Gjermani, Francë, Itali, Greqi, Spanjë, në festivale të rëndësishme, ku kanë marrë çmime të ndryshme, duke luajtur pjesë shumë të vështira që bota muzikore evropiane i ka vlerësuar. 

Një mbrëmje magjike unike u organizua në Amfiteatrin e Tiranës, nën tingujt e ëmbël të muzikës së familjes Qerimaj, me rastin e 85-vjetorit të babait të dinastisë muzikore, Hetem Qerimaj (2019), ku 9 artistë përfaqësues të tre brezave të asaj familjeje, sollën në skenë repertorin më të mirë të tyre nga tradicionalja me muzikë qytetare shqiptare për të kaluar më pas një oaz të jashtëzakonshëm, siç është muzika ballkanike, e më tej ajo evropiane. Klodi e Valini luajnë me violina të dy kabatë e gjyshit. Pjesëmarrja speciale e artistëve hollivudianë, Levon Minassian dhe Sarge Arribas, si dhe e komedianit Richard Martin i shtuan magjinë mbrëmjes së dinastisë Qerimaj. 

U prehte ne paqe! Ngushellime familjes!

Shefqet A. SALIU


[1] – Rudina Hoxha, 27 gusht 2011. 

[2] – Naim Jonuzi, 23 maj 2019.