Tiranë, 13 shtator 2022 – Në Shqipëri, Partia e Lirisë, ish Lëvizja socialiste për Integrim, e drejtuar nga ish presidenti Ilir Meta, organizoi mbrëmjen e së martës, një protestë pranë vendtrajtimit të mbetjeve, ose siç njihet, “inceneratori i Tiranës”, për të denoncuar atë që siç e përkufizoi zoti Meta, është “afera më e zezë që zhvesh lakuriq shtetin e kapur për fyti nga mafiozët rilindas me Edi Ramën”.
Kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishin në qendër të akuzave të zotit Meta gjatë fjalës që ai mbajti në përmbyllje të protestës, e para e organizuar nga kjo forcë politike e cila ka paralajmëruar një stinë revolte ndaj qeverisë, por që sot pati një pjesmarrje modeste. “Kemi përballë një organizatë kriminale, ku drejtues është Edi Rama dhe pjesë e saj janë ministra, kryetarë Bashkisë, Sekretari i përgjithshëm i qeverisë, drejtorë dhe një rrjet i tërë kompanishë hajdute, të ngritura nga vetë qeveria. Pra qartazi, është organizata më e madhe kriminale që realizon cdo ditë këtë vjedhje monstruoze”, deklaroi zoti Meta.
Rasti i inceneratorëve, përfshirë dhe ato të Elbasanit dhe Fierit, konsiderohet gjerësisht si një prej aferave më të mëdha korruptive. Për këto dy të fundit, hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, janë shoqëruar me arrestimin e ish ministrit të Mjedisit Lefter Koka, deputetit socialist Alqi Bllako, dhe disa prej anëtarëve të Komisioneve të vlerësimit. Ndërsa administratorët e kompanive koncesionare, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, për të cilët ka urdhër ndalimi, janë në arrati.
Të dy impiantet e trajtimit të mbetjeve të Elbasanit dhe Fierit, ku përfshihet dhe procesi i djegies, janë tashmë nën sekuestro. Ndërsa për rastin e Tiranës, hetimet janë në vazhdim, dhe nuk ka asnjë të pandehur apo masë.
Prokuroria e Posaçme ishte në shënjestër të akuzave të zotit Meta, sipas të cilit kjo strukturë po vepron sipas interesave të pushtetit. “U bënë 558 ditë, që nga denoncimi zyrtar i ish LSI-së, për këtë aferë kriminale dhe drejtësia nuk vepron, nuk e shikon. Nuk ka incenerator, nuk ka proces djegie, është mashtrim, siç është treguar e provuar me fakte, e në mënyrë të përsëritur nga përfaqësues të shoqërisë civile e të opozitës. Jemi për të treguar me gisht këtë vend krimi në mënyrë që drejtësia dhe SPAK-u, të heqin shaminë që u ka vënë mbi sy Edi Rama dhe Erion Veliaj e të shohin të vërtetën, të zbatojnë ligjin, të bëjnë detyrën e të çojnë hajdutët rilindas pas hekurave, për krimin e vjedhjes pa fre. Mjaft më me drejtësi me regji”, u shpreh zoti Meta.
Partia Demokratike e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha, nuk u bë pjesë e protestës së thirrur nga Partia e Lirisë, po u mjaftua me praninë aty të disa prej deputetëve të saj, dhe me një fjalim të deputetit Edmond Spaho.
(Zëri i Amerikës)