Shkodër, 14 shtator 2022 – Në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës, në qytetin e Shkodrës, u hap të mërkuren ekspozita kushtuar 14 personaliteteve të shquara të kulturës dhe të qëndresës antikomuniste, të vrarë apo të burgosur gjatë regjimit komunist, për shkak të fjalës së lirë dhe bindjeve politike.
Sipas përfaqësuesve të shoqatës së ish të burgosurve politikë, në Shkodër regjimi komunist i vrau me gjyq dhe pa gjyq 601 kundërshtarë politikë, pjesa më e madhe e tyre intelektualë të njohur të kohës, të cilëve nuk u dihet vendvarrimi as sot e kësaj dite.
Mes emrave të njohur, të cilët u paraqitën të mërkuren në ekspozitën e hapur në mjediset e Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës së Krimeve të Komunizmit, janë edhe vëllezërit Myzafer e Arshi Pipa, Jup e Sait Kazazi, Mark e Pal Thani, Qemal Draçini, Paulin Pali apo Pashko Gjeçi. Të gjithë të shkolluar në universitetet perëndimore, por të pushkatuar, torturuar deri në vdekje, burgosur apo përndjekur.
“Kemi paraqitur profilet e një grupi intelektualësh, të gjithë nga qyteti i Shkodrës, të cilët studiuan jashtë shtetit, në universitetet më të mira evropiane të periudhës para luftës së dytë botërore, kryesisht në universitetet italiane dhe, pas mbarimit të studimeve të tyre, ata u rikthyen në vendin e tyre, pra në Shqipëri, për të dhënë kontributin e tyre në fusha të ndryshme, por u persekutuan nga diktatura komuniste me format nga më të ndryshmet”.
Zenel Drangu, i cili drejton Shoqatën e ish të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shkodrës, më e madhja në Shqipëri, thotë se gjatë periudhës së diktaturës, Shkodra pësoi persekucionin më të thellë; 601 persona u pushkatuan me gjyq dhe pa gjyq, 3 mijë të tjerë u burgosën, ndërsa 1900 familje u internuan në kampet e punës në Berat dhe Tepelenë. Pjesës më të madhe të të pushkatuarve, sipas zotit Drangu, ende nuk u dihet vendvarrimi, megjithëse kanë kaluar 30 vite nga rrëzimi i komunimit.
“Nga 601 të vrarët janë mbi 450 që nuk u dihet varri. Kjo është se politikës, në mënyrë të përgjithshme, nuk i ka interesu. Apeli që i bëj sot politikës shqiptare, kryesisht të djathtës, është që të ndihmojnë sa më shumë për të gjetë eshtrat e tyre, që familjarët të kenë një varr ku t’i përkujtojnë.”
Për Pjerin Mirditën, i cili drejton Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës së Krimeve të Komunzimit, të 14 intelektualët shkodranë, të paraqitur në mjediset e këtij muzeu, i bashkon atdhetarizmi dhe dashuria për vendin e tyre.
“Aktiviteti i tyre ka qenë i rëndësishëm pasi ishin intelektualët më të mirë që kishte qyteti gjatë asaj kohe. Ajo që i dalloi ishte patriotizmi i madh që kishin, sepse studiuan në universitetet më të mira të Evropës, por u rikthyen në vendin e tyre, në Shqipëri për të dhënë kontributin e tyre në shoqërinë shqiptare. Dhe ky ndoshta duhet të jetë edhe një mesazh për të rinjtë sot”.
14 intelektualët shkodranë, janë të parët që paraqiten në një ekspozitë, të hapur në mjediset e Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës së Krimeve të Komunizmit, proces ky që pritet të vazhdojë me paraqitjen e dhjetra intelektualëve të tjerë të vrarë, burgosur apo internuar për bindjet e tyre politike.
(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)