Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Pasi gjykatat nëpër SHBA e hodhën poshtë “testin e (paligjshëm) të pasurisë,” administrata e presidentit Biden nxorri rregulloren e re për barrën publike, duke garantuar kështu që SHBA-ja do të mirëpresë emigrantë nga të gjitha fushat e jetës. Në këtë mënyrë, rregullorja e re i jep drejtim një politike afatgjatë lidhur me barrën publike, që tashmë është e arsyeshme, e drejtë dhe e bazuar në ligj. Të enjten, administrata e presidentit Biden ndreqi një rregull që u ndalonte emigrantëve që përfitojnë ndihma të caktuara qeveritare, të merrnin statusin e residentit të përhershëm në SHBA. Kjo u bë e mundur pas heqjes dorë nga rregullorja e kohës së ish-presidentit Trump, e cila bëhej pengesë edhe për ata emigrantë që merrnin kupona për ndihmë në ushqime si dhe përfitonin nga Medicaid (programi që ofron sigurim shëndetësor personave dhe familjeve me të ardhura të ulëta).
Sipas rregullit të nxjerrë nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (DHS), i cili merr për model rregulloren e vitit 1999, emigrantët do të konsiderohen “barrë publike” që nuk kualifikohet për të marrë green card, kur ata, sipas gjithë gjasave, do të varen kryesisht nga ndihmat qeveritare për të përballuar jetesën. Sipas rregullores së vitit 2019 të nxjerrë nga administrata e ish-presidentit Trump, përkufizimi i “barrës publike” përfshinte këdo që gjatë një periudhe çfarëdo tre-vjeçare, përfitonte ndihma qeveritare për më shumë se 12 muaj. Ky rregull, të cilin DHS-ja e anulloi në mars, ishte kritikuar ashpër nga përkrahësit e emigrantëve, sipas të cilëve rregulli në fjalë vinte në shënjestër në mënyrë të padrejtë njerëzit e varfër dhe pengonte qindra mijëra emigrantë të merrnin rezidencë të përhershme në SHBA. Në vitin 2020, gjykata e Apelit e Qarkut të 9-të, me bazë në San Françisko, vendosi që rregullorja e ish-presidentit Trump zgjeroi në mënyrë të palejueshme kategorinë e personave që, sipas përkufizimit të rregullores në fjalë, llogariten si barrë publike. Gjykata të tjera anembanë vendit morën vendime të ngjashme ndaj dhe vitin që shkoi, administrata e presidentit Biden vendosi që qeveria të mos e mbështeste më këtë rregullore.
Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, tha në një deklaratë të tij se rregulli i ri, i cili hyn në fuqi më 23 dhjetor, u siguron emigrantëve të ligjshëm dhe anëtarëve të familjeve të tyre një trajtim të drejtë dhe human. “Në përputhje me vlerat që qëndrojnë në themel të Amerikës, ne nuk do të penalizojmë ata individë që kanë zgjedhur që të përfitojnë ndihmën shëndetësore dhe shërbimet e tjera shtesë qeveritare në dispozicion të tyre,” tha Mayorkas. Presidenti i Shoqatës Amerikane të Juristëve të Emigracionit, Jeremy McKinney, tha se rregulli i kohës së presidentit Trump kishte ngjallur frikë dhe konfuzion në komunitetet e emigrantëve, duke bërë që shumë emigrantë të hiqnin dorë nga kujdesi shëndetësor dhe marrja e një ndihme ekonomike, jetike për ta. “Këto ndryshime që synojnë të thjeshtojnë dhe të çmitizojnë rregulloren, do të sjellin vërtet ndryshime në jetët [e emigrantëve] në mbarë vendin,” tha McKinney në një deklaratë.
Sipas rregullores, përcaktimi nëse individët ka të ngjarë të bëhen ose jo barrë publike, do të bëhet duke marrë për bazë moshën, shëndetin, burimet financiare, arsimimin dhe aftësitë e tyre. DHS-ja gjithashtu do të marrë në konsideratë faktin nëse emigrantët kanë marrë më parë ose po marrin aktualisht ndihma në të holla ose të ardhura shtesë (si ato që u jepen personave me aftësi të kufizuar dhe të ardhura të ulëta). Por DHS-ja tha se nuk do të marrë në konsideratë faktin që dikush përfiton ndihma që nuk janë në të holla si p.sh. kupona për ushqimin dhe Medicaid, ndihma këto që gjatë kohës së administratës së ish-presidentit Trump shiheshin si faktorë skualifikimi. Sipas rregullores së re, nuk do të konsiderohen si faktorë skualifikues as ndihmat nga të cilat kanë përfituar anëtarët e familjes së një emigranti. Rreth 1.5 milion familje amerikane që kanë të paktën një anëtar që nuk është nënshtetas amerikan marrin kupona ushqimesh dhe rreth 1 milion përfitojnë nga programi Medicaid.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]