Kurti është i pafuqishëm të ballafaqohet me Serbinë i vetëm, Kosova ka nevojë për një tryezë liderësh

This image has an empty alt attribute; its file name is Emin-AZEMI-1-640x640.jpg

Emin AZEMI

 

Problemi që ka aktualisht Kosova me Serbinë është shumë më i madh dhe më delikat se vullneti dhe dëshira e kryeministrit Kurti për ta zgjidhur i vetëm këtë problem. Prandaj, Parlamenti i Kosovës duhet të votojë sa më parë formimin e një tryeze liderësh, ku do të përcaktoheshin objektivat dhe kornizat e strategjisë që do të përdorej në dialogun e ardhshëm me Serbinë.

 

Kosova ka nevojë për një paqe të brendshme politike, në mënyrë që të jetë më e përgatitur për sfidat që pritet të ndodhin në muajt në vazhdim, e që kryesisht lidhen me finalizimin e dialogut me Serbinë. Pa një paqe të brendshme, që do të mund të quhej edhe moratorium, Kosova e ka vështirë të ndërtojë strategjinë e saj shtetërore karshi Serbisë. Kjo e fundit, ndonëse funksionin pa opozitë, i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme shtetërore, ushtarake, kishtare, mediale e diplomatike për të demonstruar një agresivitet të orketruar kundër Kosovës. Paralajmërimi për çnjohje të reja të Kosovës nga shtete të ndryshme të botës flet më së miri për përmasat e këtij agresiviteti.

Maqedonia e Veriut, para se të miratonte Marrëveshjen e Prespës, e cila i hapi rrugë trejkalimit të ngërçit mbi 20 vjeçar me Greqinë, që në thelb e kishte kontestin e emrit, e pat formuar një grup joformal liderësh politikë e shtetërorë, të cilët, në koordinim me diplomatët ndërkombëtarë, mblidheshin herë pas here për të debatuar mbi idetë dhe propozimet rreth arritjes së një kompromisi me Greqinë. Në këtë grup kishte përfaqësues edhe nga opozita, të cilët i shprehnin hapur mospajtimet, por në fund edhe ata u pajtuan që të arrihet Marrëveshja e njohur si Marrveshja e Përzhinos, e cila prodhoi ujdinë me Greqinë dhe, si rrjedhojë, Maqedonia e ndryshoi emrin dhe u bë “Maqedonia e Veriut”. Ky ndryshim mundësoi anëtarësimin e vendit në NATO dhe largimin nga rreziku i influencës serbo-ruse.

Në kohën kur Kosova ka nevojë më së shumti për një konsolidim të brendshëm politik e qytetar, ajo vazhdon të merret me vetveten, duke shmangur temat jetike që kanë të bëjnë me të ardhmen e aj. Opozita merret ende me historinë politike të Kurtit kur ai ishte në opozitë, ndërkohë që Kurti vazhdon të ketë qasje të ngurtë sa i përket bashkëpunimit me opozitën.

Kosovarët nuk e kanë luksin të harxhojnë energji për debate të kota dhe t’i bëjnë karshillëk njëri tjetrit, në kohën kur mbi kokë u qëndron Serbia me të gjitha instrumentet që ajo ka në dispozicion për dëmtimin e Kosovës, duke e bërë atë shtet sa më jofunskional.

Debatet e brendshme për çështje të rëndësishme sociale, ekonomike, arsimore  e shëndetësore në Kosovë nuk duhet të ndërpriten asnjëherë, por ato nuk duhet të shndërrohen në mollë sherri për të zventuar betejën më të madh politike, atë me Serbinë.

Gjithsesi, kjo betejë nuk mund të zhvillohet pa një moratorium disamujor, i cili duhet të prodhojë një tyrezë të përbashkët liderësh politikë e intitucional. Problemi që aktualisht e ka Kosova me Serbinë është shumë më i madh dhe më delikat se vullneti dhe dëshira e kryeministrit Kurti për ta zgjidhur këtë problem i vetëm, pa të tjerët. Prandaj, Parlamenti i Kosovës duhet të votojë sa më parë formimin e kësaj tryeze liderësh, ku do të përcaktoheshin  objektivat dhe kornizat e strategjisë që do të përdorej në dialogun e ardhshëm me Serbinë. Kjo strategji duhet të përmbajë domosdoshmërisht nevojën për kooperim të ngushtë me BE-në dhe për ruajtjen e miqësisë së përhershme me SHBA-të.

Formimi i kësaj tryeze, përpos që do të prodhonte një frymë uniteti e bashkëpunimi, do ta nxiste shoqërinë kosovare të jetë më produketive në zhvillimine vektorëve të përafërt të mendimit e veprimit. Vetëm në këtë formë mund të kemi një narrativ autentik të Kosovës në raport me çështjet e hapura me Serbinë, por edhe një mirëkuptim më të madh të diplomacisë botërore ndaj kërkesave e shqetësimeve që kanë shqiptarët ndaj pretendimeve irracionale të Beogradit.

Kosova deri më tani ka vizatuar disa herë kulla rëre, me dëshira të cilat janë shembur sa herë që kanë ardhur ujërat e rrëmbyeshëm të mosunitetit të brendshëm dhe agresivitetit propagandistik të Serbisë. Temat e hapura që aktualisht qëndrojnë mbi tryezën e dialogut Kosovë-Serbi kërkojnë shumë më tepër vëmendje dhe guxim, por ato nuk mund të trajtohen nga një politikan i vetëm, qoftë ai edhe kryeministri i Kosovës, sado i fuqishëm politikisht të jetë ai.

Nëse në të kaluarën Kosova, me veprimet e saj ushtarake e politike në terren, arriti të tërhiqte  vëmendjen e shteteve më të fuqishme të botës, kjo mund të ndodhë sërish, por me një metodologji tjetër veprimi, ashtu siç dinë të punojnë shoqëritë dhe shtetet e konsoliduara, të cilat në momente të caktuara i groposin sëpatat e mosmarëveshjeve dhe i nxjerrin lapsat për të shkruar platformën e përbashkët të marrëveshjeve.

Shkup, 19 shtator 2022