Ramadan Muçolli
Afati ligjor për shpalljen e zgjedhjeve lokale në Kosovë po afron, por Presidentja Jahjaga po e pret koncensusin e liderëve të partive politike. Por, koncensusi nuk është krejtësisht në dorën e liderëve. Ata duhet të gjejnë zgjidhje të pranueshme edhe për serbët në veri, të cilat mund të bien ndesh me dispozitat ligjore e kushtetuese.
Prishtinë, 10 qershor 2013 – Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) ka bërë të ditur se është në pritje të vendimit të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, në mënyrë që të fillojë të përcaktojë modalitetet për mbështetjen e këtij procesi. Zëdhënësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikola Gaon, ka deklaruar se detajet e modaliteteve të angazhimit të kësaj organizate do të përcaktohen gjatë konsultimeve të ardhshme me faktorët politikë.
Në bazë të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit, të arritur në Bruksel, më 19 prill, dhe në bazë të planit për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, të hartuar po në Bruksel, më 22 maj, OSBE do të ketë një rol të veçantë në organizimin e zgjedhjeve lokale në komunat me shumicë serbe, në veri të Kosovës.
Beogradi është pajtuar që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen sipas legjislacionit të Kosovës. Por, për shkak të rrethanave specifike në veri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk do të mund t’i organizojë zgjedhjet në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, kështu që për çështjet teknike e organizative të zgjedhjeve atje do të përkudjeset misioni i OSBE-së.
Por, vendimi i Presidentes Jahjaga për shpalljen e zgjedhjeve lokale po vonohet, për shkak të Marrëveshjes së Brukselit. Sipas zëdhënësit të Presidentes, Arbër Vllahiut, data e mbajtjes së zgjedhjeve do të caktohet pas ratifikimit të marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës.
“Meqenëse, në respektim të Kushtetutës dhe të ligjeve të Republikës së Kosovës, zgjedhjet për asambletë komunale dhe për kryetarë të komunave mbahen njëkohësisht në gjithë territorin e shtetit, atëherë duhet pritur ratifikimi i marrëveshjes, përkatësisht marrëveshjes së implementimit, në Kuvendin e Kosovës”, kishte thënë ai.
Vllahiu ka bërë të ditur se Presidentja Jahjaga do të ketë edhe një takim konsultativ me liderët e partive kryesore politike, ku pritet që përfundimisht të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve, dhe ka theksuar se data e zgjedhjeve do të caktohet “brenda afatit të përcaktuar ligjor”, midis 15 shtatorit e 15 dhjetorit.
Megjithkëtë, caktimi i datës së zgjedhjeve duket se nuk është krejtësisht “në dorën” e Presidentes, por në dorën e liderëve të partive politike. Sipas njoftimeve jo mjaft të qarta, midis liderëve ka dallime të konsiderueshme lidhur me reformën zgjedhore. Njëri prej dallimeve kryesore ka të bëjë me përbërjen e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ). Opozita insiston në ndryshimin e përpërjes së komisionit në favor të saj, ndërsa pozita thotë se ndryshimi i përbërjes së komisionit nuk mund të bëhet pa amendamentimin e Kushtetutës, punë kjo që merr shumë kohë. Tjetri ka të bëjë me listat zgjedhore. Ndonëse shumica e liderëve kanë shprehur preferencën e tyre për lista të hapura, ata janë ndarë në dysh lidhur me përkatësinë e votës apo atë që cilësohet si “votë preferenciale”. Njëra palë thonë se vota i takon subjektit politik, ndërsa pala tjetër mbron tezën se vota i përket kandidatit. Sipas informacioneve që kanë rrjedhë nga takimet e fundit, liderët e shumicës së partive e mbrojnë qëndrimin se vota e kandidatit duhet t’i shkojë njëkohësisht kryesuesit të listës, gjegjësisht liderit të partisë, ndërsa një pakicë e vogël mendojnë se vota duhet t’i shkojë vetëm kandidatit apo kandidatëve.
Ndryshimi i kodit zgjedhor ishte iniciuar qysh para dy vjetësh dhe Kuvendi i Kosovës e kishte formuar një komision të veçantë për hartimin e kodit të ri. Komisioni e kishte kryer punën e vet, por drafti i kodit të ri nuk ishte nxjerrë asnjëherë në kuvend, për arsye të panjohura për opinionin publik.
Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes “Vetëvendosje”, mendon se reforma zgjedhore mbetet peng i interesave të liderëve të partive politike që kishin arritur marrëveshjen për reformë, e cila i kishte dhënë fund krizës institucionale që ishte shkaktuar pas zgjedhjes antikushtetuese të Behxhet Pacollit në postin e Presidentit të Kosovës.
“Liderët politikë, nënshkrues të marrëveshjes PDK-LDK-AKR, e kanë shndërruar reformën zgjedhore në pazar, duke insistuar që të shpikin mjetet dhe metodat më perfide për rritje artificiale të elektoratit”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka kërkuar që në hartimin e kodit të ri zgjedhor të përfshihen më shumë palë, përfshirë shoqërinë civile dhe ekspertët.
Ndërkaq, ish-kryetari i këtij komisioni, Haki Demolli, mendon se reforma zgjedhore duhet të kthehet përsëri në Kuvend, në mënyrë që të fitojë legjitimitetin e nevojshëm.
Por, stërzgjatja e procesit të harmonizimit të qëndrimeve të liderëve duket se nuk po bëhet vetëm për shkak të dallimeve të pikëpamjeve të tyre mbi çështje të caktuara, politike apo teknike, të kodit zgjedhor. Besohet se arsyeja kryesore për zhagitjen e këtij procesi ka të bëjë me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë e Kosovës apo, më saktë, me zgjidhjet që kanë të bëjnë me përmbushjen e “kushteve” për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, sidomos në komunat me shumicë serbe, në veri të Kosovës.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, serbët do të mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale edhe me dokumente identifikimi të lëshuara në Serbi. Kështu, Thaçi është përplasur me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, e cila kishte deklaruar se me dispozitat ligjore në fuqi, votuesit mund të marrin pjesë në zgjedhje vetëm me dokumente valide të Republikës së Kosovës.
“Kjo nuk është e vërtetë. Ky është një mesazh negativ që i frikëson qytetarët në veri. Qytetarët mund të votojnë me dokumentet identifikuese që i kanë”, ka thënë Thaçi në emisionin “Slobodno srpski” të televizionit publik të Kosovës.
Pengesë tjetër për miratimin e kodit të ri zgjedhor, madje shumë më e madhe, duket të jenë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Komunitetet pakicë, sidomos serbët, kërkojnë që edhe dy mandate të tjera të kenë vendet e rezervuara, krahas vendeve që do t’i fitonin në zgjedhje.
Konstitucionalistët e konsiderojnë të paligjshme këtë kërkesë. Dr Mazllum Baraliu përkujton se vazhdimi i këtij privilegji për pakicat është kundërkushtetues.
“Çdo kërkesë për vazhdimin e këtyre privilegjeve, beneficioneve dhe favoreve që janë diskriminime pozitive për minoritetin serb dhe minoritetet tjera, është kundërkushtetuese, e paarsyeshme dhe e papranueshme”, ka thënë Baraliu.
Sipas Pakos së Ahtisarit, komunitetet pakicë i kishin 20 vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, në dy mandatet e para të këtij kuvendi, pas shpalljes së pavarësisë. Më pas vendet e rezervuara do të shndërrohen në vende të garantuara, pavarësisht vendeve të fituara me votën e drejtpërdrejtë.
Liderët politikë të Kosovës nuk kanë gjetur ende një zgjidhje që do t’i kënaqte komunitetet pakicë, pa e shkelur kushtetutën e vendit. Dhe kjo zgjidhje nuk është e lehtë. Sipas zhvillimeve aktuale në Kosovë e rreth Kosovës, kjo zgjidhje nuk mund të zgjidhet pa përfshirjen e faktorit ndërkonmbëtar.