Prof. Dr. Skënder Asani është autor i librit “Rrugëtimi”, ku flitet për shpëtimin e qindra hebrejve nga nipi i Heroit tonë kombëtar Isa Boletini, ish Prefekt i Elbasanit Tafil Boletini në vitin 1943.
Nga Merlin Tushe
NEW YORK
Nën drejtimin e Imam Prof. Dr. Tahir Kukaj, në Qendrën Kulturore Islamike Shqiptare në Staten Island, New York, u organizua një veprimtari kulturore me përfaqësuesit e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe komunitetin shqiptar në Staten Island.
Delegacioni i ITSHKSH që udhëheq “Javën Kulturore Shqiptare” në SHBA, përfaqësohej nga Drejtori i këtij Institucioni Prof. Dr. Skënder Asani, Kryetar i Këshillit Sevdail Demiri, Sefer Tahiri – Sekretar shkencor dhe Dr. Zeqirja Ibrahimi – bashkëpunëtor shkencor, të cilët nëpërmjet hulumtimeve të tyre shkencore po shpalosin për disa ditë në SHBA botimet e tyre më të fundit, dedikuar letërsisë, fesë, holokaustit e historisë shqipe në tërësi, titulluar: “Shkupi, vetë historia e Kosovës”, “Adresat e reja të një kujtese”, “Xhamitë dhe Teqetë në Shkup” me autor Skënder Asanin dhe Nora Maliqi Zylaj, “Ditët e Alfabetit – II”, etj.
Prof. Dr. Skënder Asani si historian e hulumtues në shumë aspekte të jetës patriotike, shkencore, fetare e humanitare të shqiptarëve, theksoi rolin e Institutit që ai drejton së bashku me kolegët e tij, si dhe misionin e veçantë që ky Institucion mbart në evidentimin e vlerave e virtyteve të larta të trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve kudo ndodhen.
Prof. Dr. Skënder Asani është gjithashtu autor i librit “Rrugëtimi” ku flitet për shpëtimin e qindra hebrenjve nga nipi i Heroit tonë kombëtar Isa Boletini, ish Prefekt i Elbasanit Tafil Boletini në vitin 1943. Në këtë tubim të rëndësishëm diskutuan drejtuesit e ITSHKSH, Imam Tahir Kukaj, veprimtarë të Qendrës Kulturore Islamike Shqiptare në Staten Island dhe përfaqësueset e Organizatës së Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA, vëmendja e të cilave u përqëndrua kryesisht tek figura e Nënë Terezës – Anjezë Gonxhe Bojaxhi, fituese e Çmimit “Nobel për Paqen”, në lidhje me “Shtëpinë Memorial” ose Muzeun e ngritur në qendër të Shkupit, për nder të saj nga qeveria maqedonase, por që sot drejtohet nga një shqiptar.
Ruajtja e gjuhës, fesë, kulturës e traditave shqiptare ishin në qendër të kumtesave së bashkëfolësve nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore në Shkup, të cilët folën edhe për përpjekjet e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për mos asimilimin e shpërnguljen nga tokat e tyre nga ana e propagandës serbo-maqedonase.
Z. Asani i bëri një pasqyrim të gjerë organizimit të edicionit të katërt të “Javës Kulturore” në SHBA, si dhe theksoi se: “Instituti ITSHKSH si një qendër e respektuar albanologjike, ka si objektiv kryesor ngritjen e Departamentit të Mërgatës Shqiptare dhe qendrave rajonale të trashëgimisë që do të themelohen së shpejti”.
Takimi, i cili u moderua nga Z. Sefer Tahiri, kaloi i ngrohtë, miqësor e i hapur për bashkëpunime të reja, duke shënuar kështu një urë lidhëse mes shqiptarëve në mbarë botën. Pas pyetjeve e përgjigjeve në sallë, për të pranishmit u shtrua edhe një kokteil.