Prishtinë, 12 qershor 2013 – Komisioni për legjislacion i Kuvendit të Kosovës nuk e ka proceduar për miratim Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mës Kosovës e Serbisë. Anëtarët e komisionit i kanë kërkuar shpjegime shtesë hartuesit të projektligjit, Qeverisë së Kosovës.
Në komision ka dominuar kërkesa për unifikimin e gjuhës së dokumenteve dhe është kërkuar të sqarohet se është e domosdoshme që në projektligj të përfshihet edhe plani i zbatimit.
Anëtarët e Komisionit kanë kërkuar që njëra prej gjuhëve zyrtare të caktohet si gjuhë e parë e dokumenteve, në mënyrë që të evitohet mundësia e interpretimeve të ndryshme, varësisht prej gjuhës së dokumentit. Disa anëtarë të komisionit kërkuan që projektligji të procedohet në Kuvend ndaras prej planit të zbatimit të marrëveshjes.
Ardian Gjini, deputet I Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka propozuar që komisioni t’i drejtohet qeverisë me shkrim.
“Propozoj që ne, sot, t’ia shkruajmë një letër qeverisë dhe t’i kërkojmë në mënyrë eksplicite që përkthimi i marrëveshjes dhe i aneksit të jetë i saktë, ashtu qysh është në gjuhën angleze, e cila është gjuhë e punës, për shkak se në atë gjuhë është nënshkruar”, ka thënë Gjini.
Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes “Vetëvendosje” ka përsëritur thirrjen që komisioni t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së marrëveshjes.
R.M.