Tiranë, 29 shtator 2022 – Është nënshkruar sot kontrata në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit Operatorit “Satellogic USA Inc.
Sipas ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi dy satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” do ti kushtojnë shtetit shqiptar 6 milionë dollarë për një kohëzgjatje prej tre vjetësh. Nëpërmjet satelitëve do të bëhet e mundur marrja e informacioneve për të ndaluar aktet kriminale, ndërtimet pa leje, parcelat me kanabis etj.
“Kjo kontratë konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, për një periudhë tre vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale të Republikës së Shqipërisë për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS), si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj. Do të monitorohet rrjeti i kanaleve ujitëse, kulluese në mënyrë që të analizohet sipërfaqja e prekur. Monitorimi i burimeve ujore, për qëllime të vlerësimit të sasisë së ujit. Duke instaluar inteligjencën artificial dalin informacione të jashtëzakonshme. Është bërë një punë e madhe në kuadrin ligjor. Kemi një agjenci që o të jetë e përfshirë në dispecerinë e të gjitha imazheve që do të kenë nevojë”, tha Peleshi.
“Për të gjithë ata që na kanë qeshur unë sot mund t’i them se do të kemi një inspektorat në qiell, i cili nuk ka parti, nuk ka kushërinj, nuk ka emër të përveçëm por një sy që i shikon të gjitha. Me satelitët nuk do të ketë mundësi që të ndërtohen katet pa leje pa u vënë re që në momentin që nisin. Kjo nuk do të varet më nga inspektorë apo policë që herë pas herë nuk kanë sy fare për të parë nëse një pallat aty pranë shton dy kate, sepse sytë ia mbyll paraja”, deklaroi kryeministri Rama.
Në lidhje me planin e shërbimit satelitor ka reaguar edhe deputetja e PD Jorida Tabaku. Sipas saj nënshkrimi i marrëveshjes është justifikim cinik.
“ER ka premtuar satelitë për të verifikuar ndërtimet pa leje. Çudi si na duhet 150 km mbi tokë për të parë diçka që dallohet lehtësisht mes Tiranës. Justifikim cinik për tenderin me vlerë 5.7 mln € në këtë kohë, kur i kërkon sakrifica dhe vetë shpërdoron taksat e tyre!”.
(Monitor.al)