Kososva nuk e ka luksin të ndjehet komode duke pretenduar se ajo dikur ishte viktimë e agresionit serb dhe kështu duhet të ngelë përgjithmonë. Rrethanat gjeopolitike mund të ndryshojnë nga çasti në çast, kurse miqtë e djeshëm jo gjithmonë mund të kenë sensin e mirëkuptimit për të gjitha ankesat e Kosovës.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka zhvilluar një polemikë në distancë me të dërguarin gjerman në Këshillin e Ministrave, Manuel Saraçi,n duke i thënë këtij të fundit se “nuk do të ketë Kosovë të pavarur ashtu siç e planifikon Berlini”.
Kjo retorikë e Vuçiqit erdhi pas deklaratës së mëhershme të diplomatit gjerman se “nuk do të lejohet të krijohet një Republika Srpska e re”, në një moment kur në Bruksel dhe në Washington janë shpeshtuar zërat për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.
Në anën tjetër, presidenti serb ka përsëritur se Beogradi nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë sepse, sipas tij, “ajo po lufton për politikën e saj”.
Në strukturat udhëheqëse të BE-së ende nuk ka një politikë unike ndaj këtij qëndrimi të Beogradit, ndonëse vëzhgues e analistë të shumtë perendimorë e shohin me brengosje këtë tolerim që i bëhet Serbisë. Kjo edhe për faktin se presidenti rus, Vladimit Putin, të gjitha dështimet në frontin e luftës në Ukrainë do të mundohet t’i kompenzojë në ndonjë aventurë të re në Ballkan, ku Serbia do të ishte sateliti kryesor që do t’i përçonte valët e kësaj aventure. Sepse në Beograd aktualisht janë në pushtet politikanët të cilët dolën nga kapota ushtarake e Millosheviqit dhe ishin protagonistët kryesor të shërbërjes së dhunshme të ish-Jugollavisë, ku Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina e paguan më së shtrenjti koston e kësaj shpërbërjeje. Në rrethana të tilla kur në Serbi nuk ka opozitë, është vështirë të presim reforma politike, prandaj pushteti aktual luan në dy karta, në njërën anë e keqpërdor tolerancën e Perendimit dhe në anën tjetër flirton hapur me Putinin për realizimin e synimeve pansllaviste.
Sa i përket mundësisë së shtrirjes së konflikteve të reja në Ballkan, ku Rusia do të ishte sponzorizuesja kryesore, qëndrimet e diplomatëve dhe analistëve janë të ndara. Disa ndikimin rus e shohin vetëm në planin propagandistik, kurse disa të tjerë janë të prirur të besojnë se Ballkani ende nuk është liruar nga rreziku i përhapjes së konflikteve ushtarake, të nxitura nga Rusia.
Ditë më parë, këshilltari i lartë në Këshillin e Atlantikut, Ian Brzezinski tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, programin në gjuhën serbe, se nga pikëpamja e tij Rusia mund të përpiqet të nxisë probleme në disa zona përreth saj ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që presidenti rus Vladimir Putin të përpiqet të nxisë trazira dhe kriza edhe në Ballkan.
“Ka tensione në Ballkan midis grupeve të ndryshme etnike në vende të caktuara, vende të ndryshme kanë tensione me njëra-tjetrën dhe Kosova e Serbia janë një rast klasik. Pastaj ka një paqëndrueshmëri të mundshme ne Bosnjë përbrenda dhe rreth marrëdhënieve më Serbinë. Këto janë raste të dukshme ku ndërhyrja ruse mund të jetë interesante për Putinin si një mënyrë për të nxitur një lloj krize që do të shpërqendronte perëndimin”, tha zoti Brzezinski.
Në valë të njejta është edhe ambasadorja Jennifer Brush, e cila një kohë ka shërbyer në Ballkan, e cila beson se ndikimi më i madh i luftës në Ukrainë mund të shtrihet në Bosnje e Hercegovinë dhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
“Ato popullata serbe janë nxitur aktivisht nga rusët. Janë zonat e vetme ku mund të keni një poster të Putinit dhe ku Putini ka popullaritet, madje është ndoshta më popullor në Banja Llukë sesa në Moskë”, tha zonja Brush.
Të dy ekspertët e cilësuan të dëmshëm nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Rusisë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme. Marrëveshja që u nënshkrua në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka shkaktuar reagime të shumta brenda Serbisë, por edhe në nivel ndërkombëtar. Disa përfaqësues evropianë madje janë shprehur se duhet të mendohet edhe për ngrirjen e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.
Edhe Bashkimi Evropian ka dalur kundër një marrëveshjeje e cila e afron më tepër Serbinë dhe Rusinë. Sipas zëdhënësit të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, kjo marrëveshje erdhi në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin ndaj Ukrainës dhe çdo ditë “po e shkel të drejtën ndërkombëtare, forcat e saj po kryejnë krime ndaj civilëve e në pjesë të okupuara të Ukrainës po organizon referendume ilegale”.
Ndërkaq, duke shprehur mospajtimin e saj të hapur, edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon e ka cilësuar një skandal të rëndë marrëveshjen e nënshkruar midis Rusisë dhe Serbisë për “konsultime” të ndërsjellta mbi çështjet e politikës së jashtme. Përmes një postimi në rrjetet sociale, von Cramon thotë se “në mes të luftës në Ukrainë, Serbia nënshkruan marrëveshje me agresorin. Sipas saj, ky është një sinjal për ngrirjen e bisedimeve me Serbinë, pasi hyrja në Bashkimin Evropian nuk kalon përmes Moskës”.
Serbia vazhdon të merr shuplaka edhe nga Washingtoni zyrtar, pas nënshkrimit ë kësaj marrëveshjeje me Rusinë. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se “lajmi për këtë marrëveshje të nënshkruar me Rusinë ishte befasues dhe në kundërshtim të plotë me takimet e tjera konstruktive në Nju Jork me zyrtarët serbë. Përafrimi i mëtejshëm me Rusinë është një hap në drejtimin e gabuar dhe në kundërshtim me aspiratat evropiane të deklaruara të Serbisë”.
Sa i përket pasojave që mund të ketë ky përafrim i Serbisë me Rusinë, nuk është aq vështirë të konstatohet se Kosova vazhdon të mbetet një nga targetetet e aventurave ruso-serbe, ndonëse sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Rusia nuk synon të ketë ndikim te kosovarët ose qeveria e tyre për të përvetësuar ndjenja ose politika pro-ruse, por ndikimi saj bëhet në disa forma të tjera
“Operacionet ruse të ndikimit janë kryesisht të kufizuara te serbët e Kosovës, me lejen e Serbisë, kryesisht për të parandaluar zgjerimin e sovranitetit të Prishtinës në zonat me shumicë serbe dhe lufta më e madhe e Rusisë ndaj Kosovës është pengimi i saj për t’u njohur nga organizata ndërkombëtare”, thuhet në një raport të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).
Këto dhe arsyet tjera kanë detyruar autoritetet në Kosovë që të njoftojnë BE-në, NATO-n dhe SHBA-të se ka sinjale që dëshmojnë për rrezikun e shtrirjes së ndikimit rus në Kosovë. Ky ndikim manifestohet në forma të ndryshme, sidomos kjo vërehet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku ka organizata të regjistruara në Beograd, si OJQ, të cilat angazhohen për “thellimin e bashkëpunimit humanitar dhe forcimit të marrëdhënieve kulturore me Rusinë”.
Kosova me probleme të shumta të pazgjidhura sociale e ekonomike e ka luks të tepruar të mendojë se është imune ndaj kërcënimeve për destabilitet nga ana e Serbisë? Megjithatë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të sigurisë nuk besojnë se mund të ketë ndonjë luftë klasike në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilën e ka paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në vend të luftës klasike në mes të dy shteteve, mund të ketë luftë diplomatike ose luftë hibride të Serbëve në veri, kanë vlerësuar njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare. Këta të fundit mendojnë se Kurti bën mirë që flet për rrezikun nga lufta, sepe me këtë mund të alarmojë Perendimin që të ndërmerr masa më të ashpra ndaj Serbisë.
“Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, ka deklaruar në një intervistë për gazetën “La Repubblica”, kryeministri Albin Kurti.
Sido që të jetë, Kosova nuk guxon të neglizhojë rrethanat që mund të prodhojnë destabilitet të ri, sidomos në veri të vendit, pasi që edhe në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Serbisë të vitit 2021, Kosova cilësohet si rreziku kryesor për interesat e Serbisë. Në faqen e 18-të të këtij dokumenti Kosova përshkruhet si “vend i tensionve ndëretnike, si shoqëri e myslimanëve radikalë dhe prej nga projekti i Shqipërisë së Madhe vjen si burim i destabilitetit në rajon”.
Në anën tjetër , Kosova edhe pas katërmbëdhjetë viteve nga shpallja e pavarësisë, nuk ka miratuar në Kuvend një dokument strategjik të sigurisë, ndonëse një draft-strategji e sigurisë 2022-2027, u miratua nga qeveria Kurti më 4 korrik 2022.
Në mungesë të një strategjie kombëtare, Kosova si shtet e ka vështirë të hartojë plane veprimi që determinojnë interesat vitale të shtetit.
Luftërat nuk mund të parashikohen, dhe kjo vlen edhe për Kosovën e cila nuk mund të bëhet viktimë e parashikimeve të gabuara, qoftë të politkanëve, qoftë të ekpertëve të ndyrshëm. Nga historia ka plot shembuj që tregojnë se sa të paparshikueshme janë luftërat. Madje edhe udhëheqës të kalitur botërorë nuk kanë arritur t’i ikin kurtheve që sjell mosparashikimi i luftërave. Kështu, bie fjala, më 30 shtator 1938 u nëshkrua Marrëveshja e Munichut, mes Gjermanisë së Hitlerit, Italisë së Musolinit, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës. Kryeministri britanik Neville Chamberlain u kthye në Londër duke e njoftuar popullin që nuk do të ketë luftë. Por pak pa u mbushur një vit nga kjo marrëveshje, më 3 shtator 1939, ishte po kryeministri Chamberlain dhe kryeministri francez Édouard Daladier, që së bashku kishin vendosur firmat në Munich, ata që i shpallën luftë Gjermanisë, dy ditë pasi Adolf Hitler kishte urdhëruar invadimin e Polonisë më 1 shtatori i vitit 1939, data kur tanket gjermane kaluan kufirin dhe hynë në terrritorin polak, që në histori njihet si fillimi i Luftës së Dytë Botërore.
Kosova dhe Serbia nuk janë në luftë, por vokabulari i politikanëve nuk dallon shumë nga atmosfera dhe psikoza që luftën e ka elementin kryesor të tensionimit të situatës në terren. Nëse i referohemi rrethanave historike, lufta ka qenë produkt i mosmarrëveshjeve në mes të dy e më shumë vendeve. Në rastin e Kosovës, luftërat kishin shënuar bilancin e vdekjeve e dëmtimeve që i kishte shkaktuar Serbia që nga betejat mesjetare e deri në luftën e fundit të vititi 1999. Por në luftën e fundit, Kosova, me ndihmën e aleatëve stategjikë (NATO-SHBA) doli e fituar dhe kjo vazhdon të prodhojë frustrim të pakontrolluar në kokat e politikanëve të pareformuar serbë, të cilët me çdo kusht duan ta kthejnë situatën para vitit 1999. Kjo është edhe arsyeja pse presidenti serb Vuçiq kohëve të fundit e paraqet shtetin e tij si viktimë, duke e akuzuar Kosovën se ajo është fajtore për këtë “pozitë të mjerueshme të Serbisë”.
Se sa seriozisht do të trajtohet nga diplomacia botërore ky viktimizim serb, mbetet të shihet, por Kosova nuk e ka luksin të ndjehet komode duke pretenduar se ajo dikur ishte viktimë e agresionit serb dhe kështu duhet të ngelë përgjithmonë. Rrethanat gjeopolitike mund të ndryshojnë nga çasti në çast, kurse miqtë e djeshëm jo gjithmonë mund të kenë sensin e mirëkuptimit për të gjitha ankesat e Kosovës. Prandaj, klasa jonë politike dhe shoqëria në përgjithësi duhet të lirohen nga iluzioni i gabuar se Kosova nuk ka nevojë të ketë strategji mbrojtëse pasi që për këtë po mjaftoka asistenca ushtarake e KFOR-it dhe mekanizmave ndërkombëtare të sigurisë.
Prishtinë, 3 tetor 2022