Shtatë persona të tjerë janë marrë në pyetje nga EULEX-i në lidhje me dyshimet për krime të luftës, në Drenicë. Vëllezërit Fadil e Nexhat Demaku, njëri deputet i Kuvendit të Kosovës e tjetri kryetar i komunëzs së Drenasit, të cilët janë vetidentifikuar, kanë konfirmuar se prokuroria ka shprehur shqetësimet për mundësinë e ushtrimit të presionit dhe të formave tjera të ndikimit ndaj dëshmitarëve të rastit të shtatë të të arrestuarve në fund të muajit të kaluar. Fondi për të Drejtën Humanitare ka reaguar ndaj thirrjeve publike kundër EULEX-it, në veçanti ndaj thirrjeve kundër procedimit të lëndëve për krime lufte.
Ramadan Muçolli
Prishtinë, 13 qershor 2013 – Edhe shtatë ish-pjesëtarë të UÇK nga Zona Operative e Drenicës janë marrë në pyetje, të enjten, nga një gjyqtar i EULEX-it, në Prishtinë, në lidhje me dyshimet për krime lufte. Zyra për informim e EULEX-it ka konfirmuar se të intervistuarit janë persona të cilët janë të dyshuar për krime lufte.
“Me kërkesë të prokurorit, një gjyqtar i EULEX-it, ka ftuar shtatë persona të dyshuar për krime lufte që të paraqiten sot për një seancë dëgjimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, thuhet ne njoftimin e Zyrës së EULEX-it.
EULEX-i nuk e ka publikuar identitetin e asnjërit prej të intervistuarve. Por, dy prej tyre janë identifikuar vetë. Ata janë Fadil Demaku, deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Kosovës, dhe vëllai i tij Nexhat Demaku, kryetar i komunës së Drenasit.
Vëllezërit Fadil e Nexhat Demaku kanë konfirmuar se ata janë marrë në pyetje në lidhje me rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”. Në mesin e shtatë pjesëtarëve të këtij grupi, të arrestuar kah fundit i muajit të kaluar, janë edhe vëllezërit e tyre, Jahir dhe Zeqir Demaku.
Deputeti Fadil Demaku ka konfirmuar para gazetarëve se ai është marrë në pyetje në lidhje me rastin e këtij grupi.
“Po, është e vërtetë. Sot në orën 10, jam marrë në pyetje nga prokuroria. Pyetjet kanë qenë kryesisht për Grupin e Drenicës”, ka thënë Demaku.
Sipas tij, prokurori ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me mundësinë e frikësimit, presionit apo ndonjë forme tjetër të ndikimit te dëshmitarët e prokurorisë në lidhje me rastin e “Grupit të Drenicës”, gjë që është kofirmuar edhe nga EULEX-it.
“Prokurori ka kërkuar një urdhër që ndalon të dyshuarit të kontaktojnë apo t’u afrohen dëshmitarëve të rastit”, ka bërë të ditur Zyra për Informim e misionit të BE-së.
Deputeti Demaku ka thënë se gjyqtari nuk u ka caktuar kurrfarë mase sigurie, as atij e as të dyshuarve të tjerë, dhe as nuk nuk u ka thënë se si do të veprojë më tutje.
“Nuk na kanë thënë se çfarë do të bëhet më tej”, ka shpjeguar ai.
Emrat e të dyshuarve të tjerë që janë marrë në pyetje nuk janë publikuar. Vëllezërit Demaku kanë pohuar se bashkë me ta janë marrë në pyetje edhe pesë persona të tjerë, por nuk kanë dashur të publikojnë identitetin e tyre. Sipas disa burimeve që nga mediet cilësohen si të besueshme, të gjithë të intervistuarit kanë pasur funksione të rëndësishme në Zonën e Drenicës. Por, Fadil Demaku e ka kontestuar këtë.
“Mund edhe të gaboj, por e di saktë se dy prej tyre nuk kanë qenë fare ushtarë në kohën e luftës”, ka thënë ai.
Gazetarët kanë vënë re se një veturë e Shërbimit Korrektues ka qëndruar para ndërtesës së Prokurorisë Speciale gjatë gjithë kohës që janë marrë në pyetje shtatë të dyshuarit e rinj lidhur me rastin “Grupi i Drenicës”. Shtatë të dyshuarve të Grupit të parë të Drenicës (Sylejman Selimit, Sami Lushtakut, Sahit Jasharit, Jahir Demakut, Zeqir Demakut, Hysni Thaçit dhe Avni Zabelit), të cilët akuzohen për krime lufte ndaj civilëve, Gjykata e Apelit ua ka shqiptuar masën e paraburgimit 30 ditësh, pas ankesës së prokurorit ndaj vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak 30 ditësh. Në arsyetimin e Gjykatës së Apelit thuhej se kjo masë ishte e domosdoshme pikërisht për shkak të mundësisë së ndikimit te dëshmitarët e rastit.
Arrestimi i Grupit të parë të Drenicës kishte hasur në reagime të ashpra të asociacioneve që përfaqësojnë ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe familjarët e dëshmorëve të rënë gjatë luftës në Kosovë, si edhe të disa grupimeve politike, përfshirë edhe ndonjë disa zyrtarë të institucioneve të shtetit të Kosovës. Në reagimet e manifestimet e tyre publike kritikohej ashpër EULEX-i për shkak të ngritjes së akuzave ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, gjë që konsiderohet si përpjekje për njollosjen e luftës çlirimtare të tyre.
Ndaj thirrjeve publike kundër EULEX-it e, në veçanti, thirrjeve kundër procedimit të lëndëve për krime lufte, ka shprehur shqetësimet e veta Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në Kosovë, një organizatë e cila monitoron gjykimet për krime të luftës në Kosovë.
Në një komunikatë të saj për opinion, FDH thekson se këto reagime janë “ndërhyrje e drejtpërdrejtë në çështjet e drejtësisë” dhe “presion publik ndaj këtij misioni”, që në mënyrë indirekte pengon sundimin e ligjit në Kosovë.
“Duke pasur parasysh që prokurorët dhe gjykatësit vendorë ende nuk janë të gatshëm të procedojnë rastet e tilla, FDH në Kosovë kërkon që të ndalet presioni ndaj EULEX-it. Drejtësia nuk mund të kushtëzohet dhe as të jetë përzgjedhëse. Ndërhyrja në punët e gjyqësorit rrezikon paanshmërinë e tij dhe e zbeh besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, thuhet në reagimin e FDH.
“FDH në Kosovë është e pakënaqur me numrin e lëndëve të proceduara për krime të luftës në Kosovë dhe i bën thirrje EULEX-it që të intensifikojë punën, në mënyrë që sa më shumë kryerës të krimeve të luftës të vihen para drejtësisë, pa marrë parasysh se cilit komunitet i takojnë kryerësit e veprave apo viktimat”, thuhet në kmomunikatë.
Ky reagim erdhi pas një letre publike që dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, Berat Buzhala i PDK-së dhe Lutfi Haziri i LDK-së, ia kanë drejtuar shefit të misionit të EULEX-it, Bernd Borchardt, në të cilën adresojnë kritika ndaj misionit të BE-së për hetimin dhe ngritjen e akuzave për krime lufte ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Më herët, EULEX-i ishte në qendër të kritikave edhe të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. Më 12 qershor, këto organizata kishin vendosur në Skënderaj afishe me emrin dhe fotografinë e dëshmitarit të mbrojtur të prokurorisë lidhur me rastin e “Grupit të Drenicës”. Afishet e etiketonin dhe e gjykonin në mënyrë brutale dëshmitarin, duke e cilësuar edhe “tradhëtar”.
Por, identiteti i këtij dëshmitari ishte publikuar më parë nga njëfri prej të dyshuarve kryesorë të këtij rasti, nga kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, gjatë një procesi tjetër gjyqësor ndaj tij dhe pesë të tjerëve, të njohur si rasti BIRN. Lushtaku dhe pesë të akuzuarit tjerë lidhur me këtë rast janë liruar nga akuzat për fushatë mediale kundër drejtoreshës ekzekutive të BIRN-it, Jeta Xharra.
Organizatat e ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve kishin organizuar një protestë të përgjithshme në Prishtinë, ku kishin kërkuar largimin e EULEX-it nga Kosova. Ndërsa në Skënderaj ishin organizuar disa manifestime proteste të punëtorëve të administratës e të shërbimeve komunale, si edhe një protestë e maturantëve, e cila ishte cilësuar si “protestë spontane”.