Berisha: “TAP” është gazsjellësi fitues

Qeveria e Shqipërisë thotë se projekti krijon mundësi lidhjeje me rrjetet e gazit edhe për Kosovën dhe të gjithë rajonin

 

Denion Ndrenika

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se gazsjellësi “TAP”, “Trans Adriatika Pajplajn” do të jetë fitues këto ditë përpara projektit “NABUKO” që do të sjellë gazin nga Deti Kaspik për në Europë. Zoti Berisha shfrytëzoi një takim fushate zgjedhore të 23 qershorit në Poliçan të Skraparit në Qarkun e Beratit për të konfirmuar se “TAP” pritet fitues nga konsorciumi “Shah Deniz” në Azerbajxhan.
“Kam kënaqësi t’ju pohoj ju se vendimi i konsorciumit të detit Kaspik do të jetë përzgjedhja e TAP-it si projekti që ata do të mbështesin. projekti energjetik më i madh i Europës, i cili kalon në rrethin tuaj,” tha zoti Berisha
Sipas kryeministrit Shqipëria këto ditë ndodhet në prag të një vendimi të jashtëzakonshëm historik dhe ky është vendimi për gazsjellësin TAP, ndërsa shtoi se “ky projekt do të ndryshojë në mënyrë të rëndësishme jetën e shqiptarëve”.
“Do të punësohen dhjetëra e mijëra qytetarë shqiptarë. Ne do bëjmë gjithçka që Shqipëria dhe bota të njohë Skraparin, Malin e Tomorrit, kanionet, por mbi të gjitha të njohë skraparllinjtë, gratë dhe burrat punëtorë, të ndershëm”-vijoi ai. Qeveria e Shqipërisë thotë se ndërtimi i gazsjellësit “TAP” krijon mundësi lidhjeje me Republikën e Kosovës, shtetin maqedonas, Malin e Zi dhe nëpërmjet projektit “IAP” me Bosnje-Hercegovinën dhe Kroacinë.
Dy ditë më parë në Dubrovnik, Kroacia vendase, Italia, Greqia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina konfirmuan mbështetjen për projektin “TAP”. Ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi e mbrojti projektin pasi foli në konferencë.
“Ne të gjithë besojmë dhe shpresojmë se TAP-i ka të gjitha shanset për të fituar këtë garë. Ne jemi këtu, përsëri, për të vazhduar mbështetjen tonë të fuqishme kundrejt dy projekteve TAP dhe IAP, dhe në të njëjtën kohë për të forcuar bashkëpunimin tonë të shkëlqyer, në një fushë që konsiderohet me prioritet të lartë nga të gjitha qeveritë tona. Ne gjithashtu jemi të inkurajuar nga qasja e vazhdueshme dhe mjaft konstruktive e partnerëve tanë, Komisionit Evropian, SHBA-së, Turqisë dhe Azerbajxhanit. Ndërsa, me rinovimin e angazhimit tonë përmes Deklaratës së Përbashkët me përfaqësuesit e të gjitha këtyre vendeve mike, ne shpresojmë se vendimmarrësit do të marrin parasysh jo vetëm faktin se TAP është më i realizueshëm në aspektin teknik, por gjithashtu gëzon një mbështetje politike të fortë e të bashkërenduar”-tha zoti Bumçi.
Ministrat e Jashtëm në fund dolën me një deklaratë të përbashkët, ku theksuan mbështetjen e plotë për projektin.
Shqipëria është vendi i vetëm që ka miratuar çdo akt ligjor për mbështetje të projektit “TAP” pas marrëveshjes së 13 shkurtit 2013 me Italinë dhe me Greqinë.
Projekti “TAP” prej më shumë se 1 miliardë euro pritet të hapë rreth 20 mijë vende pune në Shqipëri deri në vitin 2017. Shqipëria thotë gjithashtu se “TAP”-i ka rëndësi të jashtëzakonshme për interesat e Shqipërisë, rajonit si dhe sigurinë energjetike të Europës. Po sipas qeverisë, projekti strategjik “TAP” me interesin brenda dhe jashtë Shqipërisë, e shndërron vendin në një pikë të rëndësishme si për qenien në rrjetin europian të gazit, ashtu edhe çmimin e energjisë, përdorimin e gazit dhe veçanërisht për punësimin që me ndërrimin e tij dhe me shërbimet e mëpasme, të më shumë se 20 mijë qytetarëve shqiptarë.