Sipas prokurores publike Gordana Geshkovska, ekspertët e teknikës kriminalistike pranë Ministrisë së Brendshme kanë arritur në konstatimin gjatë incidentit të 23 nëntorit vitit 2009 një pjesë e plumbave janë qëlluar me automatikë të tjerë, jo me pesë automatikët që u gjetën në hallën me numër katër të fermës Belimbegovë
Zejnulla Veseli
Shkup, 13 qershor – Momente të reja në procesin gjyqësor “Monstra”. Në vazhdimin e gjykimit të gjashtë shqiptarëve të akuzuar për krimin e pesëfishtë që ndodhi në prill të vitit të kaluar në afërsi të liqenit të Smilkovcit, Prokuroria Publike ka kërkuar rishikimin e një incidenti të ndodhur në fund të vitit 2009, në fermën e Fejzi Azirit në Belimbegovë. Ka qenë prokurorja Gordana Geshkovska ajo që i ka propozuar Trupit gjykues rishikim të dokumentacionit dhe ekspertizave që janë bërë lidhur me incidentin e ndodhur më 23 nëntor të vitit 2009, propozim ky që u pranua nga ana e Trupit gjykues. Sipas prokurores, incidenti i ndodhur tre vjet e gjysmë më parë, gjatë të cilit u arrestua Fejzi Aziri, ka lidhje direkte me vrasjen e pesëfishtë. Sipas konstatimeve të saj, bazuar në ekspertizat policore që i janë bërë armatimit me të cilin u qëllua brenda fermës ne Belimbegovë, automatikët që u konfiskuan menjëherë pas incidentit në fjalë përputhen me ato që janë përdorur për ekzekutimin e katër djemve dhe 45-vjeçarit të përkatësisë etnik maqedonase.
“I propozoj gjykatës të bëjw ekspertizë të gjurmëve të armëve të zjarrit, me të cilën do të vërtetohet nëse gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes, më saktësisht në fermë, përputhen me gëzhojat dhe plumbat që janë gjetur në afërsi të liqenit të Smilkovcit, pas vrasjes së pesëfishtë”, tha Geshkovska, duke i kërkuar Trupit gjykues të lejojë një ekspertizë të re.
Sipas saj, gjatë hetimeve lidhur me incidentin e ndodhur më 23 nëntor të vitit 2009, policia në vendin e ngjarjes gjeti dhe konfiskoi 53 gëzhoja, 5 pushkë automatike me 160 plumba, 7 karikator boshe, një pushkë dhe një kuti municioni.
Sipas vlerësimeve policore, që mund të gjenden në dosjen kundër Fejzi Azirit, të përshkruara nga ana e prokurores publike gjatë seancës së mbajtur të enjten, 53 plumbat gëzhojat e të cilëve janë gjetur në Belimbegovë janë qëlluar me disa automatikë, ndërsa në incident kanë marrë pjesë edhe tre persona të maskuar, identiteti i të cilëve nuk u arrit të zbardhet. Megjithatë, ekspertët e teknikës kriminalistike pranë Ministrisë së Brendshme kanë arritur në konstatimin se një pjesë e plumbave janë qëlluar me automatikë të tjerë, jo me pesë automatikët që u gjetën në hallën me numër katër të fermës Belimbegovë.
Kjo kërkesë e Prokurorisë Publike ka imponuar reagimin e mbrojtjes së Fejzi Azirit, personi i vetëm i arrestuar për incidentin e nëntorit të vitit 2009, e cila ka kërkuar nga trupi gjykues të hedh poshtë kërkesën për një ekspertizë të re të armatimit dhe municionit. Megjithatë, trupi gjykues ka lejuar zhvillimin e një ekspertize të re, duke refuzuar mbrojtjen e të akuzuarve, e cila ka kërkuar një ekspertizë të pavarur.
“Meqenëse do të bëhet një ekspertizë e re, kërkojmë që e njëjta të zhvillohet nga cilido organ vendas ose i huaj. Të mos lejohet që ekspertiza të bëhet nga ana e Ministrisë së Brendshme, e cila në rastin konkret është institucioni që ka ngritur padinë penale kundër të akuzuarve”, kërkoi avokati Naser Raufi, por kërkesa e tij u hodh poshtë.
Ndërkohë, trupi gjykues i lejoi mbrojtjes së të akuzuarve të shikojë veturën e markës “Opel vektra”, ndërsa lejoi edhe një ekspertizë të re krahasuese të baltës që është gjetur në këtë veturë dhe tokës në vendin e quajtur Vrazhji Vir, me të cilën mbrojtja pretendon të hedh poshtë provën që vërteton lëvizjen e Opelit në afërsi të liqenit të Smilkovcit.
Seanca e radhës e procesit që morri emrin Monstra është caktuar më 27 qershor.