Maqedoni: Zyrtarizmi i gjuhës shqipe kërkon ligj të ri

18 - LART - Vllado Popovski

Përpiluesi i Kushtetutës së parë të Maqedonisë, Vllado Popovski

 

Zejnulla Veseli

 

Shkup, 13 qershor – Duke sqaruar deklaratën e disa ditëve më parë, kur tha që Kushtetuta e re e Maqedonisë mundëson zyrtarizimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë në Maqedoni, përmes një ligji të ri, përpiluesi i Kushtetutës së parë të Maqedonisë Vllado Popovski, në një deklaratë dhëne për mediat në Maqedoni nxjerrë në pah se ligji aktual i gjuhëve me të cilin përdoret gjuha shqipe, jep zgjidhje të pjesërishme.

Amendamenti 5 i Kushtetutës së Maqedonisë mundëson që gjuha shqipe të jetë gjuhë e dytë zyrtare sipas ligjit, thotë Popovski, i cili në këtë amendament sheh hapësirën për miratimin e një ligji që do të shpallte gjuhën shqipe si gjuhë e dytë zyrtare.

“Nëse nuk miratohet një ligj i ri për gjuhën shqipe, atëherë shqipja do të përdoret në bazë të ligjit aktual i cili prek vetëm disa segmente. Për shembull, nëse qytetari u drejtohet disa segmenteve të pushtetit me kërkesë për ndonjë dokument, institucionet duhet t’i përgjigjen edhe në gjuhën shqipe. Pastaj nëse s’është i kënaqur me përgjigjen ai i drejtohet komisionit të shkallës së dytë dhe instancave më të larta shtetërore. Ligji në fuqi për gjuhët është i kufizuar vetëm në disa segmente, prandaj për aspektet e tjera ku shqipja nuk është gjuhë e dytë zyrtare, për çka ka pasur edhe shumë debate në opinion, nevojitet të miratohet ligj i ri që do t’i përfshijë edhe ato aspekte dhe segmente të pushtetit”, thotë Popovski. Me këtë shton më tej ai, do të sqaroheshin edhe dilemat nëse ministrat në Qeveri kanë të drejtë ose jo të përdorin gjuhën shqipe, si dhe në instancat e tjera të pushtetit qendrorë ku shpesh subjektet politike kanë hasur në mosmarrëveshje rreth interpretimit të amendamentit 5 të Kushtetutës.

Popovski thotë më tej se kjo çështje mund të zgjidhet edhe me ndryshimin e ligjit në fuqi në bazë të së cilit përdoret gjuha shqipe.

“Nuk është patjetër ligj i ri, mund që edhe të ndryshohet ligji në fuqi dhe të plotësohet me ato aspektet e tjera dhe ashtu siç lejon Kushtetuta, gjuha shqipe të bëhet gjuhë e dytë zyrtare në vend. Mjafton që partitë politike të arrijnë konsensus dhe një grup deputetësh ose 150000 nënshkrime nga qytetarët, të iniciojnë ligjin e ri ose ndryshimin e ligjit aktual, por paraprakisht duhet pasur marrëveshje”, thotë Popovski, i cili është përpilues i Kushtetutës së parë të Maqedonisë dhe një ndër përpiluesit e Marrëveshjes së Ohrit që i dha fund konfliktit të vitit 2001.

Por, eksperti i së drejtës Kushtetuese, Bajram Pollozhani, vlerëson se ndryshime duhet të pësojë amendamenti 5 i Kushtetutës i cili sipas tij, nuk lejon që gjuha shqipe të jetë gjuhë e barabartë zyrtare në vend.

“Madje as nuk është theksuar se bëhet fjalë për gjuhën dhe shkrimin shqip. Në Kushtetutë më tej definohet se kjo gjuhë përdoret në përputhje me ligjin. Por, sipas kornizës së tanishme kushtetuese, nuk ka gjasa që gjuha shqipe të jetë në të njëjtin nivel në gjuhën maqedonase. Konform Kushtetutës, gjuha shqipe mund të avancohet edhe më tej, por nuk mund të barazohet me gjuhën maqedonase. Për këtë nevojiten ndryshime të Kushtetutës”, shprehet Pollozhani, duke shtuar se para kësaj, politikanët shqiptarë nuk duhet të mbyllin sytë dhe të krijojnë përshtypje në opinion se kinse amendamenti 5 kushtetues vetëm se shpjegohet në mënyrë të ndryshme nga ana e bllokut politik maqedonë dhe shqiptarë.

Deklaratat e disa ditëve më parë të Vllado Popovskit, kanë ngjallur reagime tek partitë politike në vend. Ermira Mehmeti Devaja nga Bashkimi Demokratik për Integrim, thotë se deklarata e Popovskit duhet mirëpritur si qëndrim i guximshëm politik, duke shtuar se është ndër të paktët, në mos i vetmi, nga një maqedonas etnik dhe hartuesi i kushtetutës, i cili pranon se në vitin 2001 u arrit statusi gjuhë zyrtare për gjuhën shqipe.

“Por, ajo çfarë e pengon në praktikë, është mungesa e vullnetit dhe guximit nga klasa politike maqedonase për ta lejuar këtë. Me fjalë tjetra, Kushtetuta e zyrtarizon, por ka tendenca për pengim të zyrtarizimit përmes ligjeve, gjë që pastaj hap dilemën, nëse ligjet janë kushtetuese ose antikushtetuese. Fryma e Marrëveshjes së Ohrit promovon zyrtarizimin e gjuhës shqipe, ndërsa letra e pengon atë, për fat te keq”, vlerëson Mehmeti Devaja.

Ndërkaq, VMRO-DPMNE ka ngritur çështjen e përdorimit të gjuhës maqedonase në komunat ku shqiptarët janë shumicë dominuese.

“Në këtë periudhë duhet t’i kushtohet pak më shumë rëndësi përdorimit të gjuhës zyrtare të vendit, domethënë gjuhës maqedonase, në komunat ku pakicë është populli maqedonas, si dhe përdorimit të parimit të Badinterit”, deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Silvana Boneva.

Ajo konsideron se Ligji për përdorimin e gjuhëve në mënyrë të qartë përcakton kornizën për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike në Republikën e Maqedonisë, në nivel lokal, në komunikim me qendrën dhe me institucionet, duke shtuar se ligji aktual është konsensusi maksimal që ka mundur të arrihet.

“Mendoj se ligjin e sollëm me konsensusin maksimal të mundshëm në Kuvendin e Maqedonisë, në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit. kushtetutën dhe mendoj se kjo u përshëndet edhe nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, ashtu që kjo sferë e përdorimit të gjuhëve të komuniteteve, mendoj se është e rregulluar”, thekson Silvana Boneva.