Guajana zyrtarizon njohjen me nënshkrimin e marrëdhënieve diplomatike
Jemeni ka njohur ditën e martë Kosovën duke kurorëzuar një javë shumë të suksesshme diplomatike për shtetin më të ri të Europës.
Në Xhorxhtaun (Georgetown) të Guajanës, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka nënshkruar ka nënshkruar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.
Ndërsa në SHBA, kryeministri Hashim Thaçi është takuar me zëvendëspresidentin Joseph Biden ku është konfirmuar mbështetja e palëkundshme amerikane për njohjen dhe përparimin e Kosovës.
Kosova ka marrë dje notën verbale të njohjes nga Republika e Jemenit, e cila siç konfirmon Ministria e Jashtme e ka marrë këtë vendim më 11 qershor.
“Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Jemenit ka marrë vendimin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës dhe për të punuar për të mirën e përbashkët të dy vendeve mike, në të gjitha fushat”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Jashtme, e cila citon notën verbale.
Në letër, autoritetet e Jemenit shprehin besimin e tyre se Republika e Kosovës do të luajë rolin e saj aktiv si anëtar i ri i komunitetit ndërkombëtar, duke i shërbyer sigurisë e stabilitetit në Ballkan dhe në botë.
Në notën verbale të nënshkruar pardje nga ministri i Punëve të Jashtme i Jemenit Dr. Abu Bekr Abdullah al-Qirbi, shprehen urimet e Qeverisë së Republikës së Jemenit për vazhdimin e progresit e përparimit të Kosovës, si dhe urimet personale për ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka vizituar ndërkohë edhe Guajanën, ku gjatë takimit me ministren e Punëve të Jashtme, Carolyn Rodrigues-Birkett ka nënshkruar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.
“Vendimin për njohjen e Kosovës, Qeveria e Guajanës e ka marrë në mars të këtij viti, ndërsa vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve ka formalizuar dhe zyrtarizuar këtë njohje”, thuhet në njoftim.
Gjatë qëndrimit në Xhorxhtaun, përveç takimit me homologen Rodrigues-Birkett, Hoxhaj u prit edhe nga presidenti i këtij shteti, Donald Ramotar.
Gjatë këtyre takimeve, shefi i diplomacisë kosovare dhe udhëheqësit e shtetit e të diplomacisë së Guajanës kanë shprehur përkushtimin e dy shteteve për fuqizimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ndërmjet Kosovës dhe Guajanës, shtohet në komunikatë.
Guajana është shtet anëtar i Komunitetit të Karaibeve (CARICOM) dhe në kryeqytetin e saj, Xhorxhtaun, ndodhet selia e sekretariatit të kësaj organizate.