Si bëhet Kosova më e mirë?

Ndue UKAJ

Thjesht, nuk ekziston një formulë magjike, por duhet ide të mira, miq dhe kujdes i shtuar – për një mjedis të shëndetshëm mendor ku mund të zhvillohen ide e ideale të nalta estetike e politike.

Tani për tani – idetë e mira i kemi abortuar – dhe si rrjedhojë mjedisi ynë është shumë i ndotur dhe kundërmon.

Kjo ka shkaktuar një rrëmujë të madhe shpirtërore, ku janë kurthuar këmbët tona.

Dihet, një ide e keqe kurrë nuk luftohet me një ide të keqe e as me kërbaç- kanë këshilluar të mençurit.

Këtë këshillë e kemi përqafuar përgjatë viteve dramatike të 90- tave dhe kemi fituar.

E këtë rrugë tani e kemi lënë dhe po ndjekim verbërisht rrugë tjera.

Skenën publike e zotërojnë cektësia, popullzimi i gërditshëm dhe idetë e këqija.

Një ide e keqe luftohet me një ide të mirë, duke e mbjellë ‘kopshtin tonë’, siç këshillonte Volteri,  pra duke e bërë kopshtin tonë më të bukur e më të shëndetshëm se të fqinjëve.

Ne nuk po e mbjellim kopshtin tonë dhe po i urrejmë kopshtet tjera.

Lufta kundër të ‘keqes’ nuk është bërë e nuk po bëhet në emër të së mirës e as të të përbashkëtës, prandaj përditë e ma shumë po shohim ndër ne si lulëzon injoranca, angaria e arroganca.

Lufta kundër të keqes është ushqyer dhe vazhdon të ushqehet nga urrejtja dhe jo nga dashuria e respekti për njeriun. Si rrjedhojë e kësaj gjuhe të egër, raportet politike e shoqërore në vendin tonë kanë pësuar çarje të mëdha dhe tani po lulëzon hipokrizia, cektësia e popullizmi i gërditshëm.

Tensionet e vazhdueshme, mosbesimi në asgjë dhe në askë kanë prodhuar një krizë të thellë dhe, për pasojë, kryevend këtu zë kriza e identitare.

Në këtë gjendje të tensionuar globale, edhe sikur të vepronim tok të bashkuar, dhe të kishim harmonizuar dallesat e shumta, vështirë do t’ia dilnim.

Kështu si jemi e si po sillemi, me tendencat në rritje për t’u fragmentuar edhe më tej, me këtë yrysh për të përmbysë çdo gjë, për të mohuar e njollosë gjithsecilin, po krijojmë një gërmadhë të thepisur në të cilën mund të katandisemi keq e prej të cilës zor se mund të dalim.

Mashtrojmë e mashtrohemi kur drejtojmë gishtin kah të tjerët dhe refuzojmë të këqyrim veten në pasqyrë.

Bëhemi të padrejtë e mosmirënjohës kur pështyjmë miqtë e aleatët tanë dhe ndërkohë s’ jemi të zotët as një punë ta bëjmë pa kujdesin e tyre.

(Marrë nga Facebook)